Kinematografia shqiptare ndodhet në një pikë kthese. Nga një industri e vogël e mbështetur kryesisht në iniciativa personale ajo po shndërrohet sot në një terren me potencial të jashtëzakonshëm për bashkëpunime dhe prodhime ndërkombëtare.
Në këtë tranzicion, një rol kyç po luajnë edhe institucionet shtetërore. Në një postim në mediat sociale të disa ditëve më parë ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja ndërsa ndau disa foto nga takimi me drejtues të industrisë globale të filmit në Tiranë, (Veronica Sullivan -NBCUniversal, Mindy Macinnes -Warner Bros/HBO, Anna Cassina -Amazon MGM Studios dhe Olivier Dock -Motion Picture Association) shprehu ngazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një ekosistem konkurrues për industrinë kreative, përmes stimujve fiskalë, reformave ligjore dhe investimeve në talente e infrastrukturë moderne.
Shqipëria në qendër të ekonomisë kreative në Ballkanin Perëndimor
Në Takimin Ministerial të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, të zhvilluar në Kotor të Malit të Zi, Shqipëria u vlerësua si një nga shtetet më premtuese për zhvillimin e ekonomisë kreative në rajon. Nën drejtimin e të Ngarkuarës Speciale të Mbretërisë së Bashkuar, Dame Karen Pierce, dhe me praninë e përfaqësuesve të British Council dhe Bankës Botërore, u shpall zyrtarisht Paketa e Përkrahjes për Ekonominë Kreative. Sipas parashikimeve, ekonomia kreative mund të gjenerojë deri në 700 milionë euro vlerë të shtuar dhe mbi 70 mijë vende të reja pune në vend. Raundi i parë i fondeve nis menjëherë, ndërsa raundi i dytë do të zyrtarizohet në tetor në Londër.
Lexo edhe: Shqipëria digjitale ecën përpara: InsectIntel rrëmben 50,000 € në ACT NOW 2025
Catalyst Story Institute
Catalyst Story Institute, një nga institutet më prestigjioze amerikane për zhvillimin e talenteve krijues dhe rrëfimeve vizuale, tashmë është pjesë e këtij vizioni edhe në Shqipëri. Me hapjen e Tirana Training Institute, kjo platformë globale po sjell qasje profesionale, trajnime intensive dhe lidhje reale për kineastët e rinj që synojnë tregun ndërkombëtar.
Në këtë frymë, Business Magazine bisedoi me Kristina Culaj, kineaste dhe përfaqësuese e Shqipërisë në programin ndërkombëtar Catalyst Stories, për të kuptuar më nga afër se si po ndërtohet kjo e ardhme dhe cilat janë sfidat që e shoqërojnë.
Pas pjesëmarrjes së figurave të mëdha të industrisë globale në Tiranë dhe përfshirjes së Catalyst Story Institute në këtë ekosistem të ri, duket se ka një momentum real për të ardhmen e prodhimeve filmike në Shqipëri. Si do të jetë kjo e ardhme ?
Për herë të parë, Shqipëria do të vendoset në hartën e produksioneve ndërkombëtare. Historitë shqiptare do të kenë mundësinë të prekin një audiencë më të gjerë, duke hapur më shumë hapësira për bashkëpunime dhe bashkëprodhime. Megjithatë, rruga përpara është ende e gjatë. Jemi në fillimet tona, dhe ndonëse entuziazmi dhe përfshirja nuk mungojnë, ka ende shumë nevojë për trajnim dhe edukim për të përmbushur kërkesat e produksioneve të këtij niveli. Në vendin tonë nuk mungojnë profesionistët e fushës, por secili funksionon në struktura të ndryshme pune. Shërbimet mbështetëse për industrinë e filmit janë ende të paorganizuara. Për të bërë një shembull konkret: hotelieria është e përgatitur për të pritur turistë, por filmi ka kërkesa specifike, si xhirimet gjatë natës, që kërkojnë organizim ndryshe të pastrimit dhe shërbimeve të tjera ose orareve te punës, e të tjera të ngjashme si këto. Filmi është një industri që mbledh shumë sektorë së bashku, prandaj hapi i parë është të bashkëpunojmë me kompanitë vendase për të ofruar një shërbim të koordinuar që lehtëson procesin e punës. Në vitet e ardhshme, synojmë të forcojmë qendrën e trajnimeve në Kinostudio, duke sjellë mentorë dhe profesionistë të njohur ndërkombëtarisht për të ndarë praktikat më të mira që përbëjnë një prodhim të suksesshëm dhe në nivelin që kërkohet sot në botë. E bukura e kësaj nisme është që çdokush mund të bëhet pjesë: studentë, të papunë apo profesionistë me përvojë qofshin.
Hapja e Tirana Training Institute shihet si një hap kyç për zhvillimin profesional të talenteve lokale. Çfarë profili artistësh apo profesionistësh kërkon të formojë Catalyst në Shqipëri dhe si planifikoni t’i lidhni ata me tregun ndërkombëtar?
Ne nuk trajnojmë vetëm pjesën krijuese të filmit, si regjisorë, skenaristë apo montazhierë, por gjithashtu edhe pastrues, marangozë, elektricistë dhe shumë profesione të tjera që janë po aq të rëndësishme, madje ndonjëherë edhe më shumë, sepse ata janë shtylla kurrizore e çdo prodhimi. Në programet tona përfshihen rreth 150 kurse profesionale të kësaj natyre. Për të ndjekur risitë dhe hapjet e kurseve, ju ftojmë të konsultoni faqen tonë zyrtare: catalystories.org.
Në kushtet kur qeveria shqiptare ka premtuar stimuj financiarë dhe investime në infrastrukturë, si mund të shfrytëzohen këto mundësi për të kthyer Shqipërinë në një qendër të qëndrueshme për prodhime filmike të huaja?
Po punojmë ngushtësisht me qeverinë shqiptare, e cila na ka dhënë një mbështetje shumë domethënëse. Ne jemi të gatshëm të ofrojmë gjithë mbështetjen e nevojshme nga ana jonë për të lehtësuar punën e Komisionit të Filmit, nevojat e industrisë së filmit, qendrës kombëtare të kinematografisë dhe të gjithë filmmberësve që duan të rriten ne profesion, si dhe të ndajmë përvojën tonë për të forcuar këtë bashkëpunim edhe më tej. Jemi shumë entuziastë për këtë bashkëpunim dhe besojmë se kjo është vetëm fillimi i një kapitulli të ri për industrinë e filmit në Shqipëri.
Cilat janë sfidat më të mëdha që Catalyst Story Institute ka identifikuar në zhvillimin e industrisë kinematografike shqiptare dhe si mund të kapërcehen ato me bashkëpunim mes institucioneve, talenteve dhe industrisë globale?
Shqipëria i ka të gjitha. Ajo që mungon është trajnimi i duhur dhe lidhja me aktorët e rëndësishëm të industrisë ndërkombëtare. Shpesh shohim skepticizëm nga krijuesit vendas, duket sikur kanë humbur shpresën ose kanë frikë të endërrojnë duke menduar që Hollywood-i është i paarritshëm. Jemi këtu për të krijuar ura të reja bashkëpunimi, prandaj një nga sfidat kryesore është të mbajmë entuziazmin gjallë, ndërkohë që ndërmarrim hapat e nevojshëm për të realizuar vizionin që kemi premtuar, të cilat do të duan kohë. Jemi të sigurt që gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Premtuam që do sillnim vendimmarrës nga Hollywood-i dhe ata erdhën, duke pranuar ftesën tonë me shumë interes. Shumë nisma të tjera do të publikohen së shpejti, dhe shpresojmë që kjo të bashkojë industrinë në një familje të madhe që njihet dhe respektohet në botë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto