Nga Chris Bradley dhe Jan Mischke
Pak njerëz e vënë në dyshim faktin që rritja e produktivitetit është e mirë për shoqërinë. Zakonisht, kjo përkthehet në paga më të larta, përfitime për konsumatorët (çmime më të ulëta se sa ata janë të gatshëm të paguajnë), fitime më të mëdha dhe rritje të vlerës së aksionarëve. Por më pak e kuptuar është mënyra se si krijohet rritja e produktivitetit. Kërkimi i ri nga McKinsey Global Institute tregon se pjesa më e madhe vjen nga një numër i vogël kompanish që ndërmarrin veprime të guximshme.
Sipas mendimit të zakonshëm, rritja e produktivitetit buron nga përmirësime graduale dhe kolektive të efikasitetit në shumë kompani. Por analiza jonë sugjeron të kundërtën. Vetëm një numër shumë i vogël kompanish janë përgjegjëse për shpërthime të fuqishme përparimi, pasi ato ndërmarrin lëvizje të guximshme dhe unike që i detyrojnë edhe konkurrentët të përgjigjen. Pra, në vend që një mijë ose një milion kompani të ecin nga një hap i vogël, fitimet reale vijnë nga disa kompani të jashtëzakonshme që bëjnë hapa gjigantë.
Analiza është bazuar në 8,300 kompani në Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara, me fokus të veçantë në katër sektorë: shitje me pakicë, automobilistikë dhe hapësirë ajrore, udhëtime dhe logjistikë, dhe kompjuterë dhe elektronikë. Ne krijuam një “laborator ekonomik”, duke ndjekur saktësisht se kush po krijon vlerë dhe kontribuon në rritjen kombëtare të produktivitetit – dhe kush po e ul atë. Edhe pse vëzhguam periudhën relativisht të qëndrueshme midis viteve 2011 dhe 2019 – pas krizës financiare globale dhe para pandemisë së COVID-19 – konstatuam të njëjtat modele edhe në të dhënat nga viti 2019 deri në 2023.
Në këtë laborator, më pak se 100 kompani “kampione të produktivitetit” përbënin dy të tretat e rritjes së produktivitetit në kampionin tonë. Këto janë kompani që kanë shtuar të paktën një pikë bazë në rritjen e produktivitetit në vendin përkatës gjatë periudhës 2011-2019. Një numër edhe më i vogël kompanish “në prapambetje” kontribuan negativisht me të paktën një pikë bazë. Ky përqendrim është shumë më i thellë sesa sugjeron këndvështrimi i zakonshëm mbi produktivitetin.
Lexo edhe:OpenAI do të lançojë opsionin “Hyr me ChatGPT” për aplikacionet e palëve të treta
Çfarë i bën kampionët të veçantë? Ata kanë ndjekur pesë strategji kryesore shpesh në kombinim për të përparuar: rritja e shkallës së modeleve të biznesit apo teknologjive më produktive (si tregtia elektronike apo modelet me kosto të ulët); zhvendosja e portofolit rajonal dhe të produkteve drejt aktiviteteve më produktive; riformësimi i vlerës që u ofrohet klientëve, në tregjet në masë apo ato të ngushta; ndërtimi i efekteve të rrjetit dhe të shkallës; dhe transformimi i operacioneve për të rritur efikasitetin e fuqisë punëtore dhe për të ulur kostot. Ndër rastet studimore, spikasin zgjerimi strategjik i Apple drejt shërbimeve, EasyJet që vendosi trendin e linjave ajrore me kosto të ulët, dhe Zalando si pionier i tregtisë elektronike në veshje.
Kjo mënyrë e të parë produktivitetin na ndihmon të kuptojmë më mirë pse disa vende përparojnë ndërsa të tjerat ngecin. SHBA-të, për shembull, udhëheqin në raport me ekonomitë kryesore evropiane përsa i përket rritjes së produktivitetit. Mes viteve 2011 dhe 2019, produktiviteti në SHBA u rrit me 2.1% në vit brenda kampionit tonë, krahasuar me 0.2% në Gjermani dhe zero në Mbretërinë e Bashkuar. Arsyeja? SHBA kishte 44 kompani kampione dhe vetëm 14 në prapambetje – një raport prej tri me një. Në Mbretërinë e Bashkuar raporti ishte më i balancuar (30 me 25), ndërsa në Gjermani kishte më shumë në prapambetje (16) sesa kampione (13).
Por nuk mjafton vetëm të kesh kampionë – burimet duhet të zhvendosen drejt tyre. SHBA-të u dalluan edhe në këtë aspekt: gjysma e rritjes së tyre të produktivitetit erdhi nga rishpërndarja e fuqisë punëtore larg kompanive në prapambetje dhe drejt atyre që udhëhiqnin përparimin. Në Evropë, mobiliteti i punës ishte më i ulët dhe kjo pengoi rritjen e produktivitetit.
Ky zbulim ka pasoja të mëdha për politikat publike. Shumë politika aktuale synojnë të përmirësojnë mirëqenien duke mbështetur bizneset e vogla dhe duke përhapur praktikat më të mira. Por nëse shumica e përfitimeve vijnë nga një pakicë e vogël kompanish, atëherë nevojiten strategji asimetrike që përputhen me realitetin. Kjo nënkupton krijimin e kushteve për rishpërndarje më të shpejtë të kapitalit dhe fuqisë punëtore, dhe ndërtimin e ekosistemeve që ndihmojnë kampionët të rriten. Për shembull: nëse Gjermania do të kishte pasur 19 kompani të tjera si REWE gjatë periudhës së analizuar, rritja e produktivitetit të sektorit privat do të ishte më shumë se dyfishuar.
Nxitja e hapave të guximshëm mund të jetë edhe më e rëndësishme në ekonomitë në zhvillim, ku kompanitë potenciale kampione mund të kapërcejnë disa nga teknologjitë dhe modelet e vjetra që përdoren në vendet e zhvilluara. Për më tepër, nëse këto kompani janë të rralla, atëherë rritja e shpejtë e produktivitetit do të jetë e vështirë pa përpjekje të qëllimshme për t’i zhvilluar dhe mbështetur ato.
Liderët e biznesit duhet të ndalojnë së e trajtuari produktivitetin si një efekt anësor i operacioneve dhe ta shohin atë si një objektiv strategjik. Kjo do të thotë ta matin, të investojnë në të, dhe të marrin vendime të guximshme – të shoqëruara me zhvendosje burimesh – për të rritur dhe për të tërhequr vëmendjen aty ku ka më shumë potencial. Në kohën e pasigurisë ekonomike sot, shumë kompani në të gjithë botën po vonojnë investimet, po ulin kostot dhe po përpiqen të ruajnë burimet e kufizuara. Por mësimi nga kërkimi ynë është se ato duhet të bëjnë të kundërtën. Rritja reale e produktivitetit nuk vjen nga të luajturit e sigurt – ajo vjen nga krijimi i kushteve për t’i kthyer bastet e guximshme në sukses.
Chris Bradley është drejtor në McKinsey Global Institute dhe partner i lartë në McKinsey & Company, me seli në Sydney.
Jan Mischke është partner në McKinsey Global Institute, me seli në Zyrih.
Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto