Opinion/Pse investimi në energji të pastër forcon sigurinë evropiane - Business Magazine Albania

Opinion/Pse investimi në energji të pastër forcon sigurinë evropiane

solare

Nga Greg Pollock dhe Joshua Busby Shtetet e Bashkuara, të paktën për momentin, kanë hequr dorë nga roli i tyre udhëheqës në tranzicionin global energjetik. Përveç se ka braktisur objektivat për energjinë e pastër të vendosura nga paraardhësi i tij, Presidenti amerikan Donald Trump ka refuzuar të pranojë rreziqet e thella që paraqet ndryshimi i klimës për shëndetin, ekonominë dhe sigurinë e amerikanëve, e jo më për aleatët dhe partnerët tradicionalë të SHBA-së në mbarë botën. Përkundrazi, administrata Trump është përqendruar në ringjalljen e industrisë së qymyrit dhe rritjen e eksporteve të naftës dhe gazit, me synimin për të arritur një “dominim energjetik” ndaj miqve dhe kundërshtarëve njësoj.

Pasojat nuk vonuan. Në mars 2025, komuniteti amerikan i inteligjencës nuk përmendi ndryshimet klimatike në vlerësimin vjetor të kërcënimeve, për herë të parë pas më shumë se një dekade – ndërsa Shtëpia e Bardhë hoqi dorë nga vlerësimi kombëtar për klimën, një raport i detyruar nga Kongresi dhe i publikuar çdo katër vjet që nga viti 1990. Agjencia Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit, nga ana e saj, po përpiqet të rrëzojë konstatimin shkencor të qëndrueshëm se gazrat serrë (GHG) dëmtojnë shëndetin e njeriut, bazë e të gjitha rregulloreve amerikane për emetimet.

Me SHBA-në që kthen shpinën ndaj veprimit klimatik dhe Kinën ende të varur rëndë nga qymyri, Evropa është ajo që duhet të marrë drejtimin në axhendën e dekarbonizimit global. Pa dyshim, Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare janë gjithashtu nën trysni të madhe për të rritur shpenzimet për mbrojtjen, një prioritet që disa politikanë evropianë e shohin më urgjent sesa investimet për klimën. Por kjo është një dilemë e rreme. Për Evropën, investimi i vazhdueshëm në energjinë e pastër është investim në siguri.

BE-ja ka shënuar përparim të ndjeshëm në rritjen e pjesës së energjisë së rinovueshme në përzierjen e saj energjetike që prej miratimit të Ligjit Evropian për Klimën në vitin 2021, i cili formalizoi objektivat e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane dhe vendosi si qëllim ndërmjetës uljen e emetimeve të gazrave serrë me të paktën 55% deri në vitin 2030. Këto përpjekje për dekarbonizim u vonuan përkohësisht nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022, çka e detyroi Evropën të gjente zëvendësime urgjente për gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Rusia. Por pavarësisht apo ndoshta për shkak të këtij sfidimi, pothuajse 50% e energjisë elektrike të prodhuar në BE gjatë vitit 2024 erdhi nga burime të rinovueshme, ndërsa përdorimi i gazit ra për të pestin vit radhazi dhe energjia diellore e tejkaloi qymyrin për herë të parë. Energjia bërthamore dhe ajo nga era janë kthyer në burimet kryesore të bllokut.

Arritjet e BE-së janë mbresëlënëse. Blloku ka reduktuar jo vetëm varësinë nga lëndët djegëse fosile, të cilat përbëjnë tashmë vetëm 29% të energjisë elektrike, por edhe nga fqinji i tij armiqësor: importet e gazit nga Rusia ranë nga 150 miliardë metra kub në 2021 në më pak se 52 miliardë në 2024. Problemi tani është se Evropa rrezikon të bëhet e varur nga dy partnerë gjithnjë e më të pabesueshëm: SHBA-ja dhe Kina.

Të dy administratat, ajo e Biden dhe ajo e Trump ishin më se të gatshme të kompensonin mungesën e gazit rus: importet evropiane të LNG nga SHBA janë më shumë se dyfishuar që nga viti 2021, nga 18.9 në 45.1 miliardë metra kub në 2024. Por, duke pasur parasysh përçmimin e dukshëm të Trump ndaj aleatëve tradicionalë amerikanë, siç tregohet nga politikat e tij të paparashikueshme me tarifa, administrata e tij mund të jetë e gatshme të përdorë energjinë si armë, ashtu siç ka bërë Rusia, për të detyruar Evropën në çështje si përfundimi i luftës në Ukrainë apo blerja e armëve të prodhuara nga SHBA.

Lexo edhe: Tregjet evropiane në rënie pas kërcënimeve të Trump për tarifa të reja ndaj BE-së

Njësoj, përpjekjet evropiane për dekarbonizim e kanë bërë bllokun gjithnjë e më të varur nga Kina, e cila dominon përpunimin dhe furnizimin me mineralet kritike thelbësore për teknologjitë e energjisë së pastër. Qeveria kineze ka treguar mjaft qartë së fundmi si përgjigje ndaj tarifave amerikane se është e gatshme të kufizojë aksesin ndërkombëtar në këto minerale dhe elemente të rralla për të avancuar qëllimet e saj ekonomike dhe gjeopolitike.

Samiti i fundit për të Ardhmen e Sigurisë Energjetike, organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë dhe Mbretëria e Bashkuar, ofroi një mundësi për politikanët që të vlerësojnë se si Evropa mund të avancojë objektivat e saj të sigurisë dhe klimës në këtë peizazh gjeopolitik që ndryshon me shpejtësi. Pavarësisht përpjekjeve të administratës Trump për të minuar mbështetjen ndaj tranzicionit energjetik të pastër, organizatorët e samitit qëndruan të vendosur, duke riafirmuar se energjitë e rinovueshme dhe magazinimi i baterive janë kyçe për sigurinë energjetike.

Investimet në avionë luftarakë dhe sisteme raketore janë të rëndësishme për të frenuar kërcënimet ushtarake. Por, në planin afatshkurtër, BE-ja duhet të përqendrohet në zhvillimin e mekanizmave që e mbrojnë kundër rrezikut më të afërt: ndikimi dhe shantazhi përmes energjisë – qoftë nga Rusia, Kina apo SHBA – që mund të minojë Marrëveshjen e Gjelbër ose edhe vetë aftësinë e bllokut për të marrë vendime të pavarura. Për të shmangur këto skenarë, Evropa duhet të vazhdojë të investojë në prodhimin dhe transmetimin e energjisë së rinovueshme, të rrisë riciklimin e mineraleve kritike dhe të krijojë rezerva strategjike të këtyre mineraleve.

Në një moment kur shumë zëra në Evropë i kërkojnë BE-së të zgjedhë mes përmbushjes së angazhimeve klimatike dhe forcimit të mbrojtjes ushtarake, vendimmarrësit duhet të kujtojnë se përparimi në tranzicionin drejt energjisë së pastër kryesisht përmes investimeve të vazhdueshme në të rinovueshmet do të forcojë sigurinë e bllokut. Me SHBA-në që ka braktisur lidershipin ndërkombëtar për klimën, Evropa duhet ta marrë stafetën. Bota ka nevojë për një model të besueshëm dekarbonizimi që mund të ndiqet.

*Greg Pollock është profesor i asociuar në Shkollën për Shërbim të Jashtëm në Universitetin Georgetown dhe ka shërbyer më parë në poste drejtuese në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, përfshirë këtu si Drejtor Kryesor dhe zëvendëssekretar i përkohshëm për Politikën e Qëndrueshmërisë Globale dhe të Arktikut.
*Joshua Busby është profesor i Çështjeve Publike në Universitetin e Teksasit në Austin dhe ka qenë më parë këshilltar i lartë për klimën në Departamentin e Mbrojtjes së SHBA.

Copywrite: Project Syndicate / Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0