Zyrtare/Qeveria miraton fondin për startup-in e Mira Muratit - Business Magazine Albania

Zyrtare/Qeveria miraton fondin për startup-in e Mira Muratit

Startup-i i Mira Murati synon një raund gjigand prej 2 miliardë dollarësh

Qeveria ka ndryshuar buxhetin e shtetit për herë të parë për vitin 2025. Përmes një akti normativ të publikuar në Fletoren Zyrtare, Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit i është shtuar një fond prej 1 miliard lekësh apo 10 milionë eurosh në formën e transfertës kapitale për Korporatën e Investimeve Shqiptare, si aksionar i vetëm i këtij institucioni, me qëllim pjesëmarrjen e qeverisë shqiptare, të përfaqësuar nga Korporata e Investimeve Shqiptare, në startup-in “Thinking Machines Lab”.

Referuar relacionit që shoqëron këtë akt normativ, ky efekt financiar në buxhet do të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej 1 miliard lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”.

INVESTIMI

Në relacion argumentohet se referuar shkresës së Ministrisë së Ekonomisë, ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancimin teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e vendit në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit, për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar.

Lexo edhe: A është Mira Murati Elon Musk-u i AI-së? 5 fakte që duhet të dini për Thinking Machines Lab

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që kanë të bëjnë me angazhimin në fjalë, me leverdishshmërinë financiare që ai parashikohet të sjellë dhe me përllogaritjen e fondit të nevojshëm për këtë qëllim janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit brenda përgjegjësive të saj funksionale si ministria përgjegjëse për politikat e teknologjisë dhe inovacionit. Kështu, referuar shkresës së Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e AI, me potencial të madh për avancimin teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin, duke ofruar përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe hulumtimin e avancuar”, – thuhet në relacion.

Po ashtu, sipas qeverisë, kjo do të tërheqë investitorë ndërkombëtarë dhe do ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale (AI), një bashkëpunim që do të shërbejë edhe si mundësi marketingu global për vendin tonë. Akti normativ vepron me fuqinë e ligjit për një periudhë kohe, maksimalisht 45-ditore. Ndërkohë që është depozituar për miratim edhe në Parlament.

Panorama

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0