Rënia e diplomave në shkencat sociale: Po zhduket brezi i mësuesve, gazetarëve dhe artistëve? - Business Magazine Albania

Rënia e diplomave në shkencat sociale: Po zhduket brezi i mësuesve, gazetarëve dhe artistëve?

Në Shqipëri po diplomohen gjithnjë e më pak të rinj në fushat që dikur dominonin universitetet: arsimi, gazetaria, artet dhe shkencat sociale, të cilat të gjitha janë në rënie të lirë. Nga viti 2019 deri në 2024, këto degë kanë humbur mbi 10 mijë të diplomuar. Ndërkohë, shkenca të aplikuara si mjekësia dhe inxhinieria po tërheqin gjithnjë e më shumë studentë, duke reflektuar një ndryshim radikal në ambiciet e brezit të ri.Sipas të dhënave më të fundit nga INSTAT, arsimi ka rënë nga mbi 9 mijë diplomime në vit në 2019, në vetëm 6,840 këtë vit, një alarm i heshtur për mungesën e ardhshme të mësuesve. Po ashtu, artet dhe shkencat humane janë përgjysmuar, duke sinjalizuar një krizë të ardhshme në sektorët kulturorë dhe kreativë.

Në anën tjetër, shëndeti dhe mirëqenia kanë shënuar rritje të ndjeshme, mbi 4,200 diplomime në pesë vjet, ndërsa inxhinieria dhe ndërtimi vijojnë të ngjiten në mënyrë të qëndrueshme, duke reflektuar orientimin drejt profesioneve më të sigurta dhe të paguara mirë.

Ekspertët argumentojnë se tendenca sugjeron një realitet të ri universitar në Shqipëri, ku studentët po lënë pas pasionin për të ndjekur pragmatizmin, një reflektim i drejtpërdrejtë i sfidave ekonomike dhe emigrimit.

Lexo edhe: Samiti i BE-së në Tiranë, akset rrugore që do të bllokohen

Sipas ekspertit të punësimit Erion Mucca, kjo tregon një zhvendosje të qartë drejt profesioneve më të kërkuara në tregun e punës, që shpesh janë më të mirëpaguara, më të eksportueshme dhe më “të sigurta” për të ardhmen.

Por çfarë po lëmë pas?

Sipas tij, kur mësuesit e rinj mungojnë, kur gazetaria nuk është më një ëndërr dhe kur arti mbetet pa studentë, pasojat nuk do të ndihen vetëm në statistikat e vitit tjetër, por në cilësinë e shoqërisë që po ndërtojmë.

“Një vend pa mësues të mirë, pa gazetarë që kërkojnë të vërtetën dhe pa artistë që frymëzojnë, është një vend që varfërohet në mënyra që nuk maten me shifra. Po riformësohet heshtur profili i brezit të ri, më racional, më i fokusuar tek siguria ekonomike, por ndoshta më larg pasionit dhe misionit shoqëror. Kjo është “zhvendosja e madhe” që po ndodh në universitet dhe ndoshta është koha ta vëmë në qendër të debatit publik.”- përfundon eksperti.

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0