Mësimet që nuk i jep asnjë shkollë, 4 leksione nga sipërmarrëset... - Business Magazine Albania

Mësimet që nuk i jep asnjë shkollë, 4 leksione nga sipërmarrëset që po ndryshojnë botën e biznesit

Në një botë biznesi ku shpesh gratë përballen me më shumë barriera sesa mundësi, disa jo vetëm që ecin përpara, por ndërtojnë ura për të tjerët. Në këtë rrugëtim, ato nuk ndjekin thjesht suksesin për hir të tij, por i japin atij kuptim, qëndrueshmëri dhe frymëzim.

Ish-pronare e një biznesi të vogël dhe tashmë Drejtore e Përgjithshme e Marrëdhënieve me Klientin në kompaninë BILL, Sarah Acton sjell katër leksione të fuqishme që ka mësuar nga gratë që nuk po ndërtojnë thjesht kompani, por histori që frymëzojnë gjenerata.

Mos u ndal nga misioni yt, aty është forca jote

Historia e Bee Nance është një dëshmi që suksesi nuk matet vetëm me shifra. Ajo përdori përvojën e saj në kontabilitet për të shërbyer kauzave që donte më shumë, arsimin dhe komunitetin. Gjatë kohës si COO në “Generation Teach”, organizata u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe financiarisht e pastër për gjashtë vite me radhë.

Sot, ajo vazhdon të punojë si CFO për organizata të ndryshme që ndikojnë në shoqëri, ndërsa ka botuar dhe një libër për fëmijë mbi edukimin financiar “Sunny Gets Money”. Mësimi që lë pas? Gjej ku bashkohen aftësitë e tua me pasionin. Prej aty lind ndikimi real.

Lexo gjithashtu: Demo Day e Growpreneur dëshmon se startup-et shqiptare janë gati për tregun global

Ktheji disavantazhet në mundësi të arta

Courtney Spritzer dhe Stephanie Cartin u përballën me sfida klasike të një sipërmarrëseje, mungesë kapitali dhe rrjete të dobëta mbështetëse. Por ato nuk u dorëzuan. Përkundrazi, krijuan Entreprenista, fillimisht si një podcast, që sot është kthyer në një komunitet me mbi 2,000 themeluese biznesesh që ndajnë këshilla, histori dhe suksesin e njëra-tjetrës.

Kur bota të mbyll derën, ato tregojnë që mund të krijosh dritaren tënde dhe të fton edhe të tjerët brenda.

Lexo gjithashtu: Si një nënë e trajtoi diagnozën e rrallë të vajzës si sfidë biznesi dhe e fitoi?

Forca e vërtetë nuk është vetëm të rezistosh, por të dish kur të ndryshosh drejtim

Kur Brittany Malidore përjetoi një aksident të rëndë që i rrezikoi jetën, ajo nuk hoqi dorë nga misioni i saj, t’i ofrojë shërbime financiare bizneseve dhe organizatave që nuk përballojnë tarifat e larta.

Por diçka ndryshoi. Gjatë rikuperimit të gjatë, ajo rishikoi qëllimin e saj dhe e thelloi më shumë. Sot, ajo është një shembull i gjallë që pivoti në karrierë nuk është dobësi, është mençuri dhe forcë e brendshme për t’u rilindur më e qartë dhe më me qëllim.

Lexo gjithashtu: Si një ‘‘mashtrim’’ prej 40 dollarësh e bëri Mark Cuban milioner?

Suksesi nuk është solo, është orkestër e komunitetit

Claire Coder, që në moshën 19-vjeçare, la universitetin për të ndjekur një ide. Aunt Flow, një kompani që shpërndan produkte menstruale në shkolla dhe biznese, si një domosdoshmëri bazë, njësoj si sapuni dhe letra higjienike.

Në një treg të dominuar nga meshkujt, Claire nuk e pati të lehtë të fliste për ciklin menstrual apo të siguronte fonde. Por ajo u lidh me gra të tjera, ndau eksperiencat, pyeti dhe dëgjoi. Sot, produktet e saj janë në mbi 60,000 banjo publike dhe mbi 7 milion artikuj janë dhuruar për gratë në nevojë.

Çfarë mësojmë? Rrjeti është më shumë sesa një kontakt në LinkedIn, është ura që të çon më larg se çdo CV.

Në vend të epilogut, gratë që ndërtojnë me kuptim

Këto katër gra nuk janë vetëm sipërmarrëse. Ato janë modele që na tregojnë se vizioni, misioni, komuniteti dhe gatishmëria për të kthyer sfidat në mundësi janë sekreti i suksesit të qëndrueshëm.

Në muajin e historisë së grave, është momenti i duhur të kujtojmë se biznesi nuk është thjesht një garë për fitime, është një mjet për të ndryshuar botën.

Një histori e mirë nuk ka nevojë për bujë, thjesht për zëra që i japin jetë. Këto janë zëra që ia vlen t’i dëgjosh.

Entrepreneur

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0