Nga vizion në veprim, si Evropa po punon që të kthehet në superfuqinë botërore të AI-së - Business Magazine Albania

Nga vizion në veprim, si Evropa po punon që të kthehet në superfuqinë botërore të AI-së

Bashkimi Evropian synon të bëhet lider global në fushën e inteligjencës artificiale (AI), duke nxitur zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të AI-së që sjellin përfitime për shoqërinë dhe ekonominë. Komisioni Evropian ka paraqitur planin e veprimit “Kontinenti i AI-së” për të kthyer pikat e forta të BE-së, si talenti i jashtëzakonshëm dhe industritë tradicionale të fuqishme, në nxitës të zhvillimit të AI-së. Ky plan ambicioz synon të shfrytëzojë potencialin ende të pashfrytëzuar të studiuesve dhe industrive evropiane, për të formësuar fazën e ardhshme të zhvillimit të AI-së, duke nxitur rritjen ekonomike dhe fuqizuar konkurrueshmërinë në fusha strategjike si shëndetësia, automjetet, shkenca dhe të tjera.

Plani ndërtohet mbi nismën InvestAI, që synon të mobilizojë 200 miliardë euro investime në fushën e AI-së brenda BE-së. Qëllimi është të forcohen kapacitetet evropiane përmes pesë shtyllave kryesore:

 1. Ndërtimi i infrastrukturës kompjuterike në shkallë të gjerë
Modelet e avancuara të AI-së kërkojnë investime të mëdha, infrastrukturë të specializuar dhe bashkëpunim të gjerë. Plani përfshin:

  • Krijimin e të paktën 13 “fabrikave të AI-së” në mbarë Evropën, duke përdorur rrjetin evropian të superkompjuterëve. Ato do të mbështesin startup-et, industrinë dhe kërkimin shkencor në zhvillimin e modeleve dhe aplikacioneve më të avancuara të AI-së.
  • Themelimin e deri në 5 “gjigafabrikave të AI-së”, qendra të mëdha me fuqi të jashtëzakonshme kompjuterike dhe kapacitete të mëdha të të dhënave, të cilat do të mundësojnë trajnim të modeleve komplekse të AI-së në shkallë të paprecedentë.
  • Aktivizimin e instrumentit financiar InvestAI, që do të mobilizojë 20 miliardë euro investime private për gjigafabrikat.
  • Propozimin e një akti për zhvillimin e cloud-it dhe AI-së, që do të nxisë investimet private në qendrat e të dhënave, me synimin për të trefishuar kapacitetin e qendrave të të dhënave të BE-së në 5–7 vitet e ardhshme, me theks në qëndrueshmëri.

 Lexo edhe: Si po e transformon Inteligjenca Artificiale sektorin e Burimeve Njerëzore, sfidat dhe rreziqet

2. Rritja e aksesit në të dhëna cilësore
Të dhënat e mëdha dhe cilësore janë thelbësore për trajnimin e AI-së. Plani përfshin:

  • Prezantimin e strategjisë për “bashkimin e të dhënave”, që synon të krijojë një treg të brendshëm të vetëm për të dhënat dhe të mundësojë shkallëzimin e zhvillimit të AI-së në të gjithë BE-në.
  • Krijimin e laboratorëve të të dhënave brenda fabrikave të AI-së për të mbledhur e organizuar të dhëna me cilësi të lartë nga burime të ndryshme.

3. Promovimi i AI-së në sektorët strategjikë

Aktualisht, vetëm 13.5% e ndërmarrjeve në BE përdorin AI. Për të mbyllur këtë boshllëk, Komisioni do të nisë:

  • Strategjinë “Apply AI”, që synon të rrisë përdorimin e AI-së në industri.
  • Integrimin e AI-së në sektorët publikë dhe në shëndetësi.
  • Zbatimin e strategjisë përmes fabrikave të AI-së dhe Qendrave Evropiane për Inovacion Digjital (EDIH).

4. Fuqizimi i aftësive dhe talenteve në AI
Për të përmbushur kërkesën në rritje për profesionistë në AI, BE-ja do të:

  • Lehtësojë rekrutimin ndërkombëtar, përfshirë hapjen e rrugëve të ligjshme për migrimin e talenteve të larta jashtë BE-së.
  • Tërheqë dhe mbajë talentet më të mira duke sjellë studiues dhe ekspertë në Evropë.
  • Nisë programe edukimi dhe trajnimi për AI dhe AI gjenerative në sektorët kryesorë, për të përgatitur brezin e ri të specialistëve dhe për të ndihmuar punonjësit të fitojnë aftësi të reja.

 5. Thjeshtimi i zbatimit të Aktit për AI
BE-ja do të mbështesë kompanitë dhe shtetet anëtare në zbatimin e Aktit për AI, duke ofruar:

  • Udhëzime zyrtare dhe kode praktike.
  • Shërbimin e ri “AI Act Service Desk”, një pikë qendrore kontakti për bizneset që kërkojnë informacion dhe orientim rreth ligjit të AI-së.

Evropa ka potencialin për të udhëhequr botën në epokën e re të inteligjencës artificiale. Me këtë plan të guximshëm, ajo po krijon themelet për një të ardhme më të zgjuar, më të qëndrueshme dhe më konkurruese.

 

Burimi: Komisioni Evropian/ Përshtati: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0