Nga borxhi te miliardat, historia e Grant Cardone-s, sipërmarrësi që nuk pranoi të dorëzohej - Business Magazine Albania

Nga borxhi te miliardat, historia e Grant Cardone-s, sipërmarrësi që nuk pranoi të dorëzohej

Nëse do të kërkoje një përkufizim të gjallë për fjalën “vetëbesim”, ndoshta nuk do të gjeje shembull më të mirë se Grant Cardone. Një njeri që nuk pranoi të bëhej viktimë e rrethanave, por që i shndërroi vështirësitë në trampolinë për suksesin. Nga një i ri me borxhe në një prej figurave më frymëzuese të botës së biznesit. Grant Cardone është më shumë se një sipërmarrës i suksesshëm, ai është një fenomen që frymëzon miliona njerëz si të rimarrin kontrollin e jetës dhe financave të tyre. I lindur në Lake Charles, Louisiana, në një familje të thjeshtë me pesë fëmijë, Cardone përjetoi humbjen e babait në moshë të vogël. Fëmijëria e tij nuk ishte aspak e lehtë dhe të njëzetat i kaloi mes varësisë nga droga dhe pasigurisë financiare. Por kjo nuk do të ishte historia që do i paracaktonte jetën.

Nga shitës makinash në investitor miliarder
Pas një transformimi personal të thellë, Cardone nisi karrierën e tij si shitës makinash. Ai nuk ishte thjesht i  aftë në shitje, por ishte i palodhur. Shpejt e kuptoi se suksesi nuk qëndron vetëm te produkti që shet, por te mënyra si e shet. Ky përkushtim e çoi drejt ndërtimit të Cardone Training Technologies, një kompani që ndihmon individë dhe biznese të rrisin shitjet dhe të zhvillojnë aftësi lidershipi. Sot, ai është themelues i Cardone Capital, një kompani investimesh në pasuri të paluajtshme që menaxhon mbi 4 miliardë dollarë asete, duke përfshirë mijëra njësi banimi në gjithë Shtetet e Bashkuara.

Lexo edhe : Nga Bjellorusia në SHBA, kush është Gary Vaynerchuk, mjeshtri i marketingut dhe sipërmarrjes

“10X Rule” – filozofia që e ndryshoi lojën
Në vitin 2011, ai publikoi librin e tij më të njohur, “The 10X Rule”, i cili që prej asaj kohe është kthyer në një manual të domosdoshëm për çdo sipërmarrës apo profesionist ambicioz. Filozofia e tij është e thjeshtë, por radikale: çdo objektiv që ke, mendoje 10 herë më të madh dhe puno 10 herë më shumë për ta arritur.

Cardone nuk është një nga ata “guru” të vetëndihmës që predikon suksesin nga një karrige e rehatshme. Ai është praktik, shpesh i drejtpërdrejtë deri në ashpërsi, dhe ka një etikë pune që i ka fituar respektin edhe të kritikëve më skeptikë. Ai është shpesh në qendër të debatit për stilin e tij ekstravagant, marketingun agresiv dhe qëndrimet e forta ndaj “justifikimeve” që njerëzit bëjnë për të mos pasur sukses. Por ajo që nuk mund të mohohet është ndikimi i tij global: me mbi 20 milion ndjekës në platformat sociale, seminare që mbledhin mijëra pjesëmarrës dhe një rrjet biznesesh që punëson qindra njerëz.

Mësimet që mund të nxjerrim nga Grant Cardone

  • Mendo dhe syno për më tutje. Në një botë ku shumica kënaqen me “mjaftueshmërinë”, Cardone të sfidon të synosh më shumë.
  • Vepro me vendosmëri.Hesitimi është armiku më i madh i suksesit.
  • Investo në veten tënde. Nga trajnime te libra, nga eksperienca te mentorët, gjithçka fillon me zhvillimin personal.
  • Mos prit të ndodhë, bëje të ndodhë. Ai është shembull se si veprimi i qëndrueshëm tejkalon çdo strategji perfekte.

Grant Cardone nuk është vetëm një histori suksesi , ai është një thirrje për veprim për të gjithë ata që ndihen të mbërthyer në jetë. Nga një djalë me varësi, në një magnat të pasurive të paluajtshme dhe autor bestseller i The New York Times, ai dëshmon se me vizion të qartë dhe përkushtim ekstrem, gjithçka është e mundur.

Përgatiti: Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0