Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos përmes një publikimi në median sociale X, ka bërë me dije se Tirana dhe Shkupi kanë bërë progres në zbatimin e reformave kyçe dhe do të përfitojnë fonde nga Plani i Rritjes. Fondet u miratuan ditën e djeshme për Maqedoninë e Veriut, ndërsa e njëjta gjë pritet të miratohet sot pë Shqipërinë.
“Urime për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për vendosjen e ritmit në Ballkanin Perëndimor për të marrë parafinancim në kuadër të Planit të Rritjes së BE-së! Kjo duhet të nxisë zbatimin e reformave kyçe për të nxitur rritjen, përmirësuar jetën e qytetarëve dhe afruar vendet më shumë me BE-në”, ka shkruar Kos.
Sipas deklarës së kryeministrit Rama në komunikimin në mediat sociale mëngjesin e sotëm me qytetarët, bëhet fjalë për 64.5 milionë euro që vijnë drejtpërdrejt nga BE për Shqipërinë, ku një pjesë janë mbështetje për reformat dhe 34 milionë euro kalojnë për Fondin e Investimeve të Ballkanit për infrastrukturën.
“Plan i Rritjes për Ballkanin Perëndimor” synon që të forcojë një treg të përbashkët rajonal, të integruar gradualisht me atë të BE-së. Ai është i bazuar në katër shtylla themelore si: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Ky plan synon që ta sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së, si në aspektin e reformave strukturore por edhe në drejtim të zhvillimit ekonomik.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto