PPNEA BËHET ANËTARE E ALEANCËS SË MESDHEUT PËR LIGATINAT - Business Magazine Albania

PPNEA BËHET ANËTARE E ALEANCËS SË MESDHEUT PËR LIGATINAT

PPNEA BËHET ANËTARE E ALEANCËS SË MESDHEUT PËR LIGATINAT

PPNEA, organizata mjedisore pionere në Shqipëri, ka zyrtarizuar anëtarësimin në Aleancën e Mesdheut për Ligatinat. Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm në përpjekjet për të mbrojtur dhe menaxhuar në mënyrë të qëndrueshme ligatinat, duke forcuar njëkohësisht vendin që Shqipëria zë në nismat rajonale dhe ndërkombëtare për ruajtjen e natyrës.

Aleanca e Mesdheut për Ligatinat bashkon 29 organizata nga 18 vende, duke inkurajuar bashkëpunimin për ruajtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të ligatinave, të cilat janë ekosisteme jetike për biodiversitetin, për rregullimin e klimës dhe për komunitetet lokale. Ky rrjet i fuqishëm ofron mundësi për shkëmbimin e eksperiencave për teknika të avancuara për restaurimin e habitateve, mjetet për monitorimin e biodiversitetit dhe praktika të qëndrueshme menaxhimi. Për Shqipërinë, kjo qasje sjell forcimin e ndikimit në politikat ndërkombëtare për ligatinat dhe ekspertizë në hartimin e projekteve restauruese.

Ligatinat janë ekosistemet me vlerat më të larta të biodiversitetit dhe ofrojnë shërbime tejet kyçe për mirëqenien e njerëzve, përfshirë furnizim me ujë, kontroll ndaj përmbytjeve dhe erozionit, peshkim dhe shumë të tjera. PPNEA i ka veçanërisht në fokus ekosistemet ligatinore, jo vetëm për vlerat e jashtëzakonshme natyrore që kanë, por edhe sepse ato janë ndër ekosistemet më të kërcënuara nga aktiviteti njerëzor.

Në Shqipëri, sidomos në vitet e fundit, ligatinat po përballen me presione të jashtëzakonshme të nxitura nga zhvillime të paqëndrueshme infrastrukturore dhe të turizmit masiv. Mjafton të përmendim që Aeroporti i Vlorës po ndërtohet ilegalisht në mes të një Zone të Mbrojtur ligatinore, Vjosë-Nartë, ndër më të rëndësishmet që ka vendi dhe e njohur ndërkombëtarisht për vlerat e larta ekologjike, si edhe projektet e turizmit masiv të propaganduara në Zvernec, buzë lagunës së Nartës, për të kuptuar që ligatinat në vendin tonë janë nën një kërcënim të jashtëzakonshëm si kurrë më parë” – tha Aleksandër Trajçe, Drejtor i PPNEA.

Lexo edhe:Koha e dhuratave nga DigitAlb! Oferta të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët

– “Hyrja e PPNEA në Aleancën për Ligatinat e Mesdheut e fuqizon përpjekjen tonë për ruajtjen e këtyre ekosistemeve tejet delikate dhe na jep shpresën, mbështetjen dhe vëmendjen e duhur ndërkombëtare për të theksuar që këto asete natyrore janë një detyrim për t’u ruajtur jo vetëm për hir të vlerave që i japin vendit tonë, por për të gjithë trashëgiminë e përbashkët natyrore të Mesdheut”- shtoi ai.

Sipas Konventës së RAMSAR-it, ligatinat përfshijnë ekosisteme natyrore dhe të krijuara nga njeriu si liqene, lumenj, këneta, grykëderdhje dhe zona të tjera, përfshirë rezervuarët. Në Shqipëri, ligatinat përfshijnë rreth 96,803 hektarë, ose 3% të territorit të vendit. Prej tyre, ligatinat natyrore zënë 77,354 hektarë (79.91%), duke përfshirë liqene, laguna, moçale, grykëderdhje lumenjsh dhe ekosisteme të tjera. Inventari i pasur përfshin 16 komplekse ligatinore dhe 140 ligatina më të vogla, duke theksuar rëndësinë e tyre ekologjike.

PPNEA synon të rrisë përpjekjet për ruajtjen e ligatinave me rëndësi globale, përfshirë Peizazhin e Mbrojtur Vjosa-Nartë, Lagunën Divjakë-Karavasta, Liqenet e Prespës, Parkun Kombëtar të Butrintit dhe shumë të tjera.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0