Pasi lexova këtë libër, mendova të shkruaja përshtypjet që më la, sepse më duket se është libër që duhet lexuar nga kushdo pikërisht për shkak të punës së mrekullueshme të përkthyesit Jonis Y. Buzi, veprën e të cilit kam pasur rast ta lexoj këto kohë.
Përkthimet e tij nuk janë thjesht përkthime, por vepra mjeshtërore të artit (për nga natyrshmëria) dhe të shkencës (për nga saktësia terminologjike). Niveli i jashtëzakonshëm i përkushtimit ndihet në çdo fjalë dhe fjali që rrjedh me një natyrshmëri që haset vetëm në tekstet shqip të para viteve 1990.
Në këtë kritikë, nuk kam marrë në shqyrtim gabimet e mundshme tipografike. Kushdo që ka botuar libra, e di që këto gabime janë të pashmangshme. Ata që duan libra të përsosur nga ky drejtim, duhet të presin një përjetësi.
Po sqaroj që ky shkrim nuk është reklamë, edhe pse ka njerëz që mund ta keqkuptojnë. Në të pasqyrohen pikëpamjet e mia si kritike përkthimi.
Të dhënat e librit:
Autori: Patrik Bet-David (Patrick Bet-David) dhe Greg Dinkin (Greg Dinkin)
Titulli në gjuhën burimore: Choose Your Enemies Wisely: Business Planning for the audiacious few
Titulli në gjuhën shqipe: Zgjidhi armiqtë me maturi: Planifikimi i biznesit për guximtarët e rrallë
Shqipërues: M.Sc. Jonis Y. Buzi
Numri i faqeve: 340
Shtëpia botuese: KOLIQI
ISBN: 9789951814775, 978-9951-814-77-5
Data e botimit: Tetor 2024
Për kë është ky libër?
Në plan të parë, duket sikur ky libër është vetëm për biznesmenët.
Në fakt, ai është për këdo që ka guxim të krijojë diçka që do të ekzistojë për shumë e shumë dekada.
Bëhet fjalë këtu për krijimin e një trashëgimie dhe tradite që ia vlen të ndiqet.
Parimet që jepen këtu, ku ndërthuret logjika me emocionet, vlejnë në çdo vend dhe kohë dhe për çdo profesion, nga profesionistët e lirë e deri te politikanët dhe ushtarakët.
Meqë po flasim për përkthimin dhe jo për lëndën, më duhet të theksoj se cilësia e punës është e tillë që e bën këtë libër të këndshëm në lexim edhe për adoleshentë.
Për më shumë informacione, shihni më poshtë kapakun e pasmë të librit.
Për të shkarkuar një kapitull të këtij libri, hapni këtë link: https://drive.google.com/file/d/1uhTII2iFU78AhSJfoTdp8jtCvVUiNDOH/view
Përshkrimi i librit fizik:
Në kapakun e përparmë të kuq spikat silueta e dy lojtarëve të shahut. Kjo na kujton metaforën e lëvizjeve të shahut, të cilat autori i ka trajtuar në librin e tij të mëparshëm, “Pesë lëvizjet e tua të radhës”. Bie në sy përdorimi i ngjyrës së zezë dhe të bardhë në sfond të kuq. Fjala “armiqtë” është me të zezë, për të nënkuptuar diçka negative, të keqe, diçka që duhet shmangur.
Në fund, poshtë emrit të bashkautorit, Greg Dinkin, jepet emri i përkthyesit. Rrallë ndodh ta ketë përkthyesi emrin në kapakun e librave të kësaj natyre, prandaj duhet parë si arritje.
Në kapakun e pasmë jepet një përshkrim ose përmbledhje e vetë ideve kryesore të librit. Pasi e lexon librin, aty sheh përmbledhjen dhe i kujton lehtë gjërat që ke mësuar në këtë libër të pasur me ide dhe frymë sipërmarrësi. Libri ka rreth 340 faqe, format A5, me ngjitje dhe kapak të hollë. Është i lehtë në dorë dhe i shtypur në letër cilësore.
Kapakët jepen më poshtë.
Poezia
Libri nis me një poezi të përshtatur shumë këndshëm dhe që përmbledh vetë frymën e librit.
Teksti i poezisë, i përshtatur mjeshtërisht në gjuhën shqipe, është ky:
Po më thua se nuk paske armiq?!
Mos, mik! Kjo mburrje të fëlliq!
Kush në fushëbetejë ka luftuar,
Dhe si trim ka duruar,
Armiq domosdo ka grumbulluar.
Në mos paç asnjë, sa pak ke arritur!
Asnjë tradhtar nuk ke goditur,
Asnjë fjalë gënjeshtare s’ke përbuzur,
Kundër të padrejtës kurrë s’ke luftuar,
Në luftë burracak je treguar.
—Çarls Mekkej, autor skocez
Regjistri i gjuhës
Me sa vërej unë, përkthyesi ka zgjedhur të përdorë trajtën joformale “ti”. Përdorimi i këtij regjistri bën që lexuesi ta përjetojë leximin sikur të jetë duke lexuar ndonjë shok. Qartësia dhe natyrshmëria e fjalive bëjnë që lexuesi të përqendrohet te lënda dhe jo te fjalitë e ngatërruara që nuk vijnë shqip, sikurse ndodh shpesh me përkthimet e sotme.
Gjatë leximit, vura re diçka interesante. Kur Patriku, autori i librit, flet me babanë e tij, e thërret “baba”, ndërsa kur djali i Patrikut, Dilani, flet me të, i thotë “ba”.
Këto fjalë të vogla tregojnë nivelin e kujdesit në përkthim. Kështu vihet re edhe njëfarë dallimi midis brezave: ndryshe sillet autori me babanë e tij, ndryshe sillet djali i autorit me të. Dhe ky ndryshim bie në sy edhe te këto fjalë: “ba” dhe “baba”, në dukje të njëjta, por që pasqyrojnë dy mendësi breznore të ndryshme.
Terminologjia
Libri ka terma nga fusha të ndryshme, por kryesisht nga ajo e biznesit. Termat duket se janë përkthyer saktë në çdo rast, çka më lë të kuptoj njohuritë e gjera të përkthyesit. Në fund të fundit, çdo lloj vepre, kur përkthehet, i vjen lexuesit sipas këndvështrimit të përkthyesit. Prandaj njohuritë e tij dhe etika e punës përbëjnë çelësin e suksesit të ideve që jepen në vepër.
Ka edhe terma nga futbolli amerikan. Këta terma, si “quarterback”, nuk janë përkthyer në gjuhën shqipe më përpara, sepse ky lloj futbolli nuk luhet fare te ne. Megjithatë, përkthyesi ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i shqipëruar këta terma, të cilët i ka vënë në fund në një shtojcë si fjalor. Me sa pashë unë, këta terma jepen gabim edhe te fjalorët kryesorë ekzistues, prandaj terminologjia e futbollit është krijim titanik i vetë përkthyesit dhe udhërrëfyes për çdo përkthyes tjetër.
Emrat në gjuhën burimore të këtyre ekipeve jepen në shtojcën e përgatitur nga vetë përkthyesi. Kjo shtojcë shërben për t’u mundësuar lexuesve të hulumtojnë vetë më gjerë, përtej librit, në rast se ka ndonjë koncept ose ekip futbolli që u bën përshtypje.
Sintaksa
Nuk e di se si do të ishte libri po të mos ishte përkthyer nga Jonisi. Di të them vetëm që fjalitë rrjedhin aq mirë, saqë, sikur të mos e dija që autori është i huaj, do të mendoja se është shqiptar. Vërej që në përkthim është përdorur edhe trajta habitore e foljeve.
Me sa kam lexuar unë, kjo formë sa vjen e përdoret gjithmonë e më pak edhe pse është një nga disa karakteristika të shqipes që e bëjnë këtë gjuhë atë që është. Shpesh më ka ndodhur që plot njohës të gjuhës ta quajnë formë të vjetërsuar të gramatikës së shqipes dhe të mos e përdorin apo duke e zëvendësuar me forma të tjera jo shqip.
Shprehjet idiomatike
Edhe këto janë të përshtatura shumë mirë. Bie në sy shprehja “have a backbone”, përkthyer jo “ka shtyllë kurrizore”, por “jam kockë e fortë”. Këto ndryshime të vogla në dukje, por shumë thelbësore në përmbajtje, e bëjnë tekstin më të gjallë dhe e afrojnë atë më shumë zemrës së lexuesit.
Emrat e ekipeve të futbollit amerikan
Ka diçka shumë interesante në këtë libër që nuk e kam hasur askund në librat që kam shqyrtuar për kritikë.
Në këtë libër, emrat e ekipeve të futbollit janë shqipëruar. Përkthyesi shpjegon në shënimet e tij se këto përshtatje janë bërë duke ndjekur të njëjtën linjë që përdoret edhe në shqipe, si p.sh. “Shqiponjat e Agimit”, “Gjelat e Francës”, “Bardheblutë” etj. Nuk di se sa kohë iu desh përkthyesit për t’i bërë këto, por niveli i përkushtimit është i mahnitshëm.
Kur e lexoj librin dhe shoh këto shqipërime, ndihem sikur jam pjesë e kulturës së autorit. Nuk ka me pengesa midis meje si shqiptare dhe autorit si amerikan i natyralizuar (është iranian).
Shënimet e përkthyesit
Siç kam vënë në dukje edhe në një shkrim tjetër, ajo që i bën përkthimet e Jonisit tepër të veçanta është vendosja e shënimeve të përkthyesit. Këto ma bëjnë shumë të lehtë të kuptoj pse autori përdor këtë ose atë fjalë, apo pse përmend këtë apo atë njeri.
Këto shënime janë tepër të vyera. Në vend që të kërkoj në internet se kush është filani dhe se çfarë nënkupton ky apo ai term, këtë mund e ka hequr përkthyesi për mua. Mua më mbetet vetëm të përqendrohem tek idetë e autorit.
Gjithçka që më duhet të di për librin dhe për elementet kulturore, e kam aty, në libër, te shënimet. Nuk më duhet të hallakatem në internet dhe as të rri e të vras mendjen se çfarë nënkupton autori me këtë apo atë shprehje a togfjalësh.
Njëra nga arsyet kryesore pse më pëlqejnë shënimet e qëlluara në këtë libër është se ato zhdukin barrierat kulturore. Amerika ka tjetër kulturë. Ka të tjerë njerëz të famshëm. Ka të tjera emisione televizive që ne këtu nuk i shohim. Por përkthyesi i ka shpjeguar çfarë janë këto. Lexuesit i mbetet vetëm të bëjë lidhjen logjike midis tyre dhe ta shtrydhë deri në pikën e fundit dobinë që ka ky libër.
Përkthyesi Jonis Y. Buzi nuk e ka tepruar me shënime, por ka vënë aq sa duhet për ta ndihmuar lexuesin.
Them se ky libër, falë këtyre shënimeve, mund t’u jepet si dhuratë edhe njerëzve që nuk kanë lexuar ndonjëherë libra të kësaj natyre, madje edhe fëmijëve. Sepse është shumë i kuptueshëm, madje më shumë sa edhe vetë origjinali.
Shtojca e emrave të shqipëruar
Me sa kam parë unë, Jonisi është i vetmi dhe i pari që përdor këtë teknikë. Në këtë libër, ai ka shqipëruar emrat e njerëzve, por jo ato të kompanive. Megjithatë, në shtojcë lexuesi gjen emrat e njerëzve në gjuhën e tyre burimore dhe shqiptimet e sakta të emrave të kompanive.
Këto ndryshime ma bëjnë të lehtë leximin, sepse nuk më duhet të hamendësoj se si shqiptohet emri i këtij apo atij personi. Gjithçka e kam të gatshme. Edhe lakimi, një nga karakteristikat e shqipes, është përdorur me saktësi të jashtëzakonshme, gjë që e bën tekstin të rrjedhë shqip dhe shumë këndshëm.
Duhet thënë se është fatkeqësi që në shumë libra të përkthyer gjatë viteve të fundit, emrat e njerëzve lihen të pashqipëruar. Lexuesi që nuk di anglisht nuk di si ta shqiptojë dhe kjo ia bën leximin të pakëndshëm, të lodhshëm dhe bajat.
Këto probleme nuk ndodhin me këtë libër dhe, me sa kam parë, as në libra të tjerë të përkthyer nga z. Buzi.
Përkthyesi ka arritur të respektojë parimet e gjuhës, por edhe t’i japë mundësinë lexuesit anglishtfolës që të hulumtojë më shumë nëse ka dëshirë. Këtë libër ai e ka bërë të tillë që t’i hapë dyert hulumtimit.
Në botën e sotme, ku gjithçka po bëhet gjithmonë e më globale, mundësia për të hulumtuar vetë është tepër thelbësore. Z. Buzi ua mundëson këtë lexuesve. Nëse lexuesit i intereson të lexojë më shumë për një emër, ai e gjen emrin e personit në fjalë në gjuhën origjinale në fund të librit dhe mund të bëjë hulumtimet e veta.
Ka edhe elemente të tjera, por këto mbetet të zbulohen nga vetë lexuesit.
Shtojca shërben edhe si fjalorth për përkthyesit e tjerë. Kështu do të ketë më shumë koherencë midis termave, pa qenë nevoja që të shpiket rrota nga fillimi. Kjo është praktikë e shkëlqyer për të krijuar një fond fjalësh të fushës së zhvillimit personal dhe profesional.
Përfundimi
Në fund, mund të them se ky libër ka arritur suksesin që ka arritur jo aq për shkak të autorit, por kryesisht për shkak të përkthyesit. Në gjykimin tim, botuesi “Koliqi” ka zgjedhur përkthyesin më të mirë për këtë lloj zhanri. Libri lexohet me një frymë, të frymëzon dhe të bën të ndiesh i lidhur me një botëkuptim dhe kulturë të re, pa e kuptuar as ti vetë.
Të gjitha këto janë falë punës mjeshtërore të përkthyesit, i cili, me të drejtë, është nderuar duke e pasur emrin në kapakun e përparmë.
Libra të tillë, të përkthyer nga përkthyes kaq të përkushtuar, janë pasuri kombëtare. Them përsëri që këta duhen lexuar nga studentët e biznesit, sipërmarrësit, pronarët e dyqaneve, drejtorët e kompanive, prindërit, madje edhe nga klerikët, politikanët dhe ushtarakët.
Në aspektin e përkthimit, ky libër duhet të studiohet nga çdo përkthyes, pavarësisht nëse është fillestar apo profesionist. Nëse doni të dini se çfarë është përkthimi i mirëfilltë, lexoni përkthimet e Jonis Y. Buzit.
————————-
*Shënim: Nuk kam asnjë lloj interesi nga shitjet e librit. Këto janë mendimet e mia të sinqerta, të cilat po i jap pa asnjë lloj shtrëngimi nga askush. Kush më njeh e di që vlerësoj aty ku duhet pa pasur asnjë lloj interesi. Rrallë bëj shkrime të tilla, por kjo vepër më ra në sy dhe desha të thosha disa fjalë për ata që duan të lexojnë përkthime cilësore.
** Për autoren: Lindita Begolli është poeteshë, konsulente dhe eksperte e burimeve njerëzore, shkrimtare e botuar dhe kritike përkthimit. Ky shkrim është bërë nga dashuria e saj për shqipen dhe nga urrejtja e saj për përdhunimin që po i bëhet gjuhës sot kudo dhe në çdo vend. Lindita beson se kritika e përkthimeve është njëra nga mënyrat më të fuqishme për t’u vënë fre prirjeve të dëmshme, madje edhe antishqiptare, që ekzistojnë sot.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.