U largua nga Shqipëria 15 vite më parë, kur mbaroi gjimnazin, ndërsa sot punon në Microsoft. Florida Doçi, emri i së cilës i bashkohet listës së shqiptarëve që po korrin sukses nëpër botë, nisi rrugëtimin në Universitetin e Windsorit në Kanada ndërsa tani që punon si kërkuese shkencore në Microsoft.
Në një intervistë për “ABC-ja e mëngjesit”, Florida tregoi se për të është një arritje e madhe që t’i bashkohet stafit të Microsoft.
“Kënaqësi të punoj me Microsoft dhe të drejtoj AI, produktet e ndryshme të Microsoft që lidhen me bashkëpunimin dhe produktivitetin. Është një arritje personale, profesionale. Kam jetuar në Shqipëri deri pas gjimnazit, dhe i përkas brezit ku kompjuterët ishin një luks nëpër shkolla. Kemi mësuar produktet e Microsoft nëpërmjet tabelave të zeza dhe për dikë si unë që ka mësuar në mënyrë të tillë, është arritje akoma më e veçantë, sidomos në një fushë si Inteligjenca Artificiale.”, tregoi ajo.
Florida kreu studimet në Universitetin e Windsorit, ku mori dy diploma në Shkenca Politike dhe Shkenca Biologjike e Bioteknologji. Më pas nisi studimet Master në Shkenca Ndërdisiplinare të Shëndetit në Universitetin e Otavës.
Aktualisht, po kryen doktoraturën në të njëjtin universitet. Florida njihet gjithashtu edhe për kontributet e saj në hulumtime shkencore, dhe ka fituar çmime dhe bursa. Punimet e saj janë prezantuar në konferenca ndërkombëtare dhe publikuar në revista shkencore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.