Si materialet e gatshme po “dirigjojnë” mediat ne Shqiperi - Business Magazine Albania

Si materialet e gatshme po “dirigjojnë” mediat ne Shqiperi

Nga Klesiana Omeri

Ishte viti 2002, kur gazetari Vladimir Lame, në një ditë të zakonshme pune,  udhëtoi nga Tirana në Elbasan për të raportuar për fushatën e zgjedhjeve parlamentare. Ai u pozicionua në zonën ku kishte një garë të drejtpërdrejtë mes ish-ministres socialiste, Valentina Leskaj dhe gazetarit, Fahri Balliu.

Për shkak të klimës së qetë që ekzistonte në atë kohë mes dy kampeve kryesore, nuk priteshin surpriza, por gjithsesi gazetari Lame zgjodhi ta ndjekë procesin nga afër. Kjo zgjedhje i dha mundësinë të pasqyronte me video dhe fakte blerjet e votave me ndihma ushqimore nga ana e kandidates së partisë në qeveri.

Ky është vetëm një rast që tregon se si prezenca e gazetarit në terren, mund të prodhojë lajme të rëndësishme për opinionin publik, pavarësisht pritshmërive fillestare që mund të kesh për ngjarjen.

22 vite më pas paraqitet një tjetër realitet në media. Partitë politike dhe shumë prej institucioneve publike, duke shfrytëzuar zhvillimin teknologjik kanë devijuar  axhendat redaksionale.  Për çdo aktivitet që realizojnë, dërgojnë materiale të gatshme në media, të filmuara dhe edituara nga stafet e tyre të dedikuara për këtë proces. Në  këtë mënyrë, zbehet çdo vit e më shumë roli i i gazetarit të terrenit, i jepet mundësinë palës tjetër të ofrojë informacion e dëshiruar dhe jo informacionin e vlefshëm për opinionin publik, dhe ndër të tjera “bunkerizohet” institucioni.

Gazetari Vladimir Lame,  i cili vijon të jetë pjesë e tregut mediatik edhe pas 25 vitesh, jep një këndvështrim të situatës  ndër vite, pasi e ka jetuar tranzicionin e gjatë në gazetari.

“Pasqyrimi i aktiviteteve politike në mediat audiovizive të paktën pas vitit 2005 ka pësuar ndryshime thelbësore. Centralizimi i vendimmarrjes brenda tre partive më të mëdha në vend solli edhe një kontroll me të madh të çdo deklarate politike që paraqitej në media kjo nëpërmjet prodhimit të materialeve audiovizive nga stafi komunikues që ata punësuan. Servirja e materialeve të gatshme audiovizive ka minimizuar rolin e gazetarëve në terren. Duke i shtuar kësaj edhe faktin që gazetarët profesionistë janë larguar nga ky profesion, atëherë vetëkuptohet gjendja aktuale e pasqyrimit mediatik të jetës politike në vend”, tregon Lame.

 Por si janë devijuar axhendat redaksionale nga materialet e gatshme?

Duke mos pasur mundësinë që gazetari të jetë në terren, materialet e servirura janë ato që përcaktojnë se çfarë përbën lajm në një ngjarje të caktuar. Puna që redaksia e lajmeve bën mbi një material të gatshëm, është e kufizuar, pasi nuk sheh një panoramë të plotë apo detaje që mund të bëjnë diferencën.

Redaktori i televizionit Klan News, Aurel Pepa thotë se kjo situatë po ndikon drejtpërsëdrejti në cilësinë e një pune redaksionale dhe gazetarisë profesionale.

“Gazetarët duke mos qenë prezent në terren po humbasin intuitën për të kërkuar diçka ndryshe nga ajo që iu ofrohet nga institucionet. Gazetarët duke mos qenë prezent nuk pasqyrojnë zërat kritikë, por edhe nuk bëjnë pyetjet e duhura për të nxjerrë një informacion më të detajuar për publikun. Kjo situatë ndikon negativisht edhe në punën e redaksisë, pasi gazetarët duke u mjaftuar me materialet e gatshme, nuk po shkojnë më rregullisht nëpër institucionet që mbulojnë, ç’ka bën  që ata të kenë më pak kontakte të drejtëpërdrejta me funksionarët e punonjësit dhe rrjedhimisht më pak burime informacioni”, thotë ndër të tjera, Pepa.

Për ta konkretizuar me shembuj konkret, janë monitoruar 3 media kombëtare;

  • Vizion Plus
  • Top Channel
  • Tv Klan

për materialet e dërguara nga 3 institucione;

  • Kryeministria
  • Bashkia e Tiranës
  • Presidenca

Monitorimi është bërë  përgjatë një jave gjatë muajit qershor. Nga data 10 deri në 17 qershor janë dërguar nga;

Kryeministria- 10 materiale

Bashkia e Tiranës- 6 materiale

Presidenca- 11 materiale

Përgjatë kësaj jave,  televizionet kanë përdorur rreth 80% të materialeve të gatshme që janë dërguar, specifikisht;

Vizion Plus- 6 materiale

Top Channel – 7 materiale

Tv Klan- 12 materiale

Ky është vetëm një shembull i thjeshtë,  se si në 3 mediat më të mëdha kombëtare, ka një orientim të axhendës redaksionale. Në këto aktivitete, materialet e të cilave janë dërguar të gatshme nga këto 3 institucione nuk ka pasur asnjë njoftim për gazetarët.

Gazetari i Euronews Albania, Ardit Hoxha eksperiencën e tij, jo pak herë problematike me institucionet që çdo herë e më shumë po sofistikojnë metodat e centralizimit të informacioneve.

“Ky fenomen në 8 vitet e mia si gazetar ka ardhur duke u shpeshtuar, aq sa ka marrë përmasat e “normalitetit”. Pra janë të shumta aktivitetet në institucionet kryesore të shtetit shqiptar, ku zyrat e shtypit pasi njoftojnë ditën dhe orën e aktivitetit, në mbyllje të njoftimit shtojnë se shumë shpejt do sjellin edhe linkun me pamje nga takimi, duke bërë që në disa raste të mos e kërkojnë praninë e medieve, e në disa raste të mos e lejojnë atë kur kërkohet nga mediet. Nuk mungojnë edhe rastet kur material të xhiruara dhe përpunuara në montazh paraqiten si “live” nga zyrat e shtypit që tek mediat përcjellin linkun e transmetimit”, thotë gazetari Hoxha.

 

Çfarë ndodh gjatë një fushate zgjedhore?

Nisja e fushatës zgjedhore shton edhe intensitetin e raportimeve për aktivitetet elektorale, rrjedhimisht rritet edhe numri i materialeve të gashtme të dërguara nga redaksitë. Por ndryshe nga çdo periudhë tjetër e vitit, për transmetimin gjatë muajit të fushatës zgjedhore ka disa rregulla ligjore.

Pika 2/d e nenit 84 të Kodit Zgjedhor thotë se:

“Kur për shkaqe objektive media nuk është në gjendje të ndjekë veprimtari të veçanta zgjedhore, ajo lejohet të shfrytëzojë dhe përzgjedhë pamje filmike nga regjistrimet e plota të servirura nga subjektet zgjedhore, me kushtin që ta shoqërojë lajmin me shënimin ‘materiali filmik servirur nga subjekti’.

Për të kuptuar se sa është respektuar ky rregull nga mediat, kemi vëzhguar raportet e AMA-s, përgjatë një jave gjatë fushatës së fundit elektorale në prill, 2023, për zgjedhjet vendore të 14 majit.

Nga raportet e datës 20-27 prill, nuk ka asnjë të dhënë mbi mungesën e shënimit të nevojshëm  (“materiali filmik servirur nga subjekti”) që duhet të vendoset në materialet e gatshme.

Ndërkohë, në Kodin Zgjedhor nuk ka të parashikuar asnjë masë administrative në lidhje me këtë çështje.

Këto elementë, tregojnë se si mediat, ashtu dhe partitë politikë zotërojnë më shumë terren për të devijuar praktikat normale të raportimeve në terren.

Por mungesa e angazhimit në terren gjatë fushatave zgjedhore, ndër të tjera  prek edhe aktivitetin  e operatorëve të televizioneve. Elton Kaziu, operator në Neës 24 thotë se gjatë fushatave zgjedhore, për ta është një periudhë e qetë.

“Tashmë nuk ka më kaseta për të shpërndarë pasi shumica e aktiviteteve gjatë fushatave zgjedhore nuk xhirohen nga ne. Supozohet të jetë një periudhë e vitit me shumë ngarkesë, si vite më parë por në fakt jemi shumë të qetë. Partitë, institucionet sjellin gjithçka të filmuar nga stafet e tyre”, thotë Kaziu.

A po e lufton media këtë fenomen?

Pasqyrimi i elementëve të mësipërm tregon se mungojnë përpjekjet për të luftuar këtë fenomen. Mediat janë përshtatur me këtë realitet të ri, duke pranuar materialet e gatshme dhe duke i transmetuar ato, situatë që rrjedhimisht çon në uljen e intensitetit të punës së  reporterëve të terrenit por dhe në uljen e cilësisë së informacionit që njerëzit marrin nga media.

E vetmja përpjekje për të mos pranuar materialet e gatshme ka qenë e RTSH në vitin 2017, që me anë të një një njoftimi për shtyp, theksoi se nuk do të pranojë, në edicionet e veta të lajmeve, materiale të gatshme të partive politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e afërme elektorale, por do mbulojë fushatën zgjedhore vetëm me gazetarët e redakisë.

Kjo situatë ka ndikuar edhe në fuqizimin e mediave online, të cilat nuk operojnë me punë në terren. Nëse deri para pak vitesh, “ushqimi” i tyre buronte nga televizionet, tashmë materialet e gatshme të partive politike dhe institucioneve u kanë lehtësuar punën, por sigurisht kanë ulur cilësinë e informacionit.

Në një studim të  Forumit të Mendimit të lirë,  të realizuar në vitin 2021 rezulton se gazetarët në 90% të rasteve nuk lejohen të marrin pjesë në aktivitetet politike apo të institucioneve të ndryshme publike.

Thuajse në 40% të rasteve nuk informohen paraprakisht për kohën dhe zhvillimin e veprimtarive të kryeministrit, ministrave apo zyrtarëve të tjerë të lartë.

Kjo situatë nuk cënon vetëm lirinë e medias, por sjell një panoramë edhe më dëshpëruese; media që kërkojnë të mbijetojnë vetëm nëpërmjet materialeve të gatshme.

 

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0