Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale.
Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të kontribojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit Perëndimor.
Programi siguron mbështetje financiare dhe ndihmë të planifikuar për idetë dhe bizneset e përzgjedhura që ofrojnë zgjidhje inovatore dhe kontribuojnë në arritjen e shtatë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përkatësisht:
- OZHQ 2: Zero uri. Arritja e sigurisë ushqimore, përmirësimi i të ushqyerit dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme.
- OZHQ 7: Energji e Përballueshme dhe e Pastër. Sigurimi i aksesit në energji të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe bashkëkohore.
- OZHQ 8: Punë e denjë dhe rritje ekonomike. Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, si dhe punësim dhe punë të denjë për të gjithë.
- OZHQ 11: Qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm.
- OZHQ 12: Prodhim dhe konsum i përgjegjshëm. Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit.
- OZHQ 13: Veprim ndaj klimës. Marrja e masave të menjëhershme për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij.
- OZHQ 15: Jeta në tokë. Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.
Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta bazohet në parimet e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit, sjelljes etike, diversitetit, përfshirjes dhe fuqizimit, autonomisë me qëllim promovimin e mirëqenies së komuniteteve lokale, duke fuqizuar sipërmarrjen dhe duke u mundësuar njerëzve të përmbushin potencialin e tyre.
“Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta” në Shqipëri mundësohet me mbështetjen financiare të Rockfeller Brothers Fund, Tirana Bank, Credins Bank dhe Kastrati Group.
QËLLIMI
Qëllimi i Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta është mbështetja e nismave të biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.
SHPËRNDARJA FINANCIARE
Çdo propozim i dërguar në këtë thirrje duhet të jetë pjesë në një nga LOT-et vijuese:
LOT 1: Ide Biznesi në Fazë Konceptuale
Ky LOT i referohet propozimeve te biznesit që janë në një fazë konceptuale / embrionale dhe që nuk janë regjistruar ende sipas një forme të caktuar ligjore. Fondi do të mbështesë propozime për një periudhë kohore gjashtë (6) deri në nëntë (9) muaj, me një financim maksimal prej jo më shumë se 500,000 lekë.
LOT 2: Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit
Ky LOT i referohet propozimeve të biznesit që janë në fazat e para të zhvillimit, produktet apo shërbimet janë të pranishme në treg prej jo më shumë se 3 vitesh. Fondi do të mbështesë propozime biznesi për një periudhe kohore gjashtë (6) deri në nëntë (9) muaj, me një financim maksimal jo më shumë se 800,000 lekë.
Inkurajohet bashkëfinancimi nga burime alternative!
Lexo edhe:Ky film, nuk ja ngop kot!
KRITERET E APLIKIMIT
Kush mund të aplikojë?
Konkursi është i hapur për:
- Individët. Individët nuk mund të aplikojnë në LOT 2. Në rastin kur propozimi është shpallur fitues, do të kërkohet të regjistrohet si një entitet ligjor në QKB përpara nënshkrimit të kontratës dhe rimbursimit të fondeve. Forma ligjore e përzgjedhur është në varësi të individit dhe duhet të parashikohet në propozimin e dërguar.
- Sipërmarrjet sociale me një balancë pozitive jo më shumë se 2,000,000 lekë.
- Biznesin e vogël në vend me një fitim vjetor jo më shumë se 2,000,000 lekë.
- Organizatat jo-fitimprurëse me një balancë pozitive jo më shumë se 2,000,000 lekë.
Kriteret që duhet të plotësojë aplikimi si Ide Biznesi në Fazë Konceptuale (LOT 1):
– Ideja është ende në fazë konceptuale, produktet apo shërbimet nuk janë të pranishme në treg;
– Ideja bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;
– Ideja ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;
– Ideja ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;
– Ideja ka një qasje inovatore dhe ndikim të vlefshëm në shoqëri;
– Ideja bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është e vetëdijshme për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;
– Ideja është novatore në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;
– Ideja fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.
Kriteret që duhet të plotësojë aplikimi si Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit (LOT 2):
– Biznesi është në fazat e para të zhvillimit të tij, produktet apo shërbimet e tij janë të pranishme në treg për një periudhë kohore jo më shumë se 3 vite;
– Biznesi bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;
– Biznesi ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;
– Biznesi ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;
– Biznesi ka një qasje inovatore dhe impakt të vlefshëm në shoqëri;
– Biznesi bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është i vetëdijshëm për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;
– Biznesi është novator në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;
– Biznesi fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.
PROCESI I APLIKIMIT
Dokumentet që duhen dorëzuar:
- Forma e Aplikimit;
- Forma Financiare;
- Modeli i Biznesit ‘Canvas’;
- Një dokument që vërteton statusin ligjor të entitetit që aplikon (nuk aplikohet për individët);
- Pasqyrat Financiare të vitit të fundit (2023), të dorëzuara pranë Autoritetit të Tatimeve (Drejtorisë së Tatimeve) (nuk aplikohet për individët).
Dokumentacion plotësues që duhet dorëzuar:
Përveç dokumenteve të renditura më sipër, aplikantët do të duhet të dorëzojnë edhe:
- CV të aplikantit individ / një CV të entitetit, si dhe një përshkrim të ekipit zbatues;
- Dëshmi penaliteti e aplikantit individ (për aplikimet në Lot-1); dëshmi penaliteti e administratorit / drejtuesit të entitetit/organizatës (për aplikimet në Lot-2);
- Vërtetim që entiteti nuk ka detyrime të papaguara (nuk aplikohet për individët).
“Forma e Aplikimit”, “Forma Financiare” dhe “Modeli i Biznesit ‘Canvas’” duhet të plotësohen sipas formateve të vendosura në dispozicion nga Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2024. Asnjë format tjetër i ngjashëm nuk do të pranohet si dokument aplikimi në vend të tyre.
Si të Aplikoni?
Aplikimet mund të dorëzohen vetëm duke u regjistruar në platformën Dua Partner Investduke ndjekur hapat e përkatëse.Nëse nuk jeni regjistruar më parë në këtë platformë, shkoni te menu ‘Sipërmarrës’, nënmenu ‘Procesi’ për të parë hapat e regjistrimit në platformë.
Hapi 1
- Nëse jeni individ, do të regjistroheni si Sipërmarrës – Individ me Ide Biznesi
- Nëse jeni OJF ose biznes, do të regjistroheni si Sipërmarrës – Startup i Regjistruar
Hapi 2
- Plotësoni të gjitha fushat e pyetësorit. Te ‘Emri i Idesë’ dhe “Përshkrimi i Idesë” vendosni idenë që po aplikoni për skemën e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta.
- Pasi ta dërgoni, do ju vijë një pop-up që do t’ju kërkojë verifikimin e email-it. Bëni verifikimin e email-it që keni vendosur në pyetësor.
- Me fjalëkalimin dhe email-in që keni vendosur në pyetësorin e regjistrimit, kyçuni (sign in) në platformë dhe plotësoni te profili juaj fushën “Rreth meje” me jo më shumë se 300 karaktere. Më pas do të prisni që administratori i platformës të aprovojë profilin tuaj.
- Pasi administratori të aprovojë profilin tuaj, do t’iu vijë një email informues për këtë. Ju lutem kyçuni në platformë me email-in dhe fjalëkalimin e dhënë dhe mund të merrni dhe mesazhe nga administratori në rast se do të jetë e nevojshme për orientim.
Hapi 3
- Pasi të jeni aprovuar, do të gjeni në dashboard një menu “Mundësi Financimi”. Do t’ju shfaqet tek skemat “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2024”.
- Do të klikoni te butoni “Hapur” në skemën “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2024” ku do të shikoni një informacion të përgjithshëm për skemën.
- Më pas do të klikoni butonin “Apliko tani” ku do të gjeni 3 formatet e dokumenteve: 1. Forma e Aplikimit; 2. Forma Financiare; 3. Modeli i Biznesit “Canvas”.
- Do të plotësoni fushat e aplikimit online si dhe do të shkarkoni 3 dokumentet, të cilat do t’i punoni sipas formatit përkatës dhe kur të jeni gati, do t’i ngarkoni po aty. Sipas LOT-it ku po aplikoni, do të ngarkoni edhe dokumentat e tjera të kërkuara sipas seksionit të thirrjes “Dokumentacion plotësues që duhet dorëzuar”.
- Më pas do të klikoni butonin “Dërgo”.
- KUJDES! Aplikimin mund ta ruani në cdo kohë, dhe të shtypni “Dërgo” vetëm pasi të jeni të sigurtë që keni ngarkuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm.
Hapi 4
- Pas afatit përfundimtar të dërgimit të aplikimeve, ju do të merrni një email automatik lidhur me statusin e aplikimit tuaj. Si në rastin që aplikimi nuk do e kalojë fazën e parë, ashtu dhe në rastin që do e kalojë atë, ju do të njoftoheni përmes platformës.
- Edhe në rast se nuk e kaloni fazën e parë, ideja juaj do të qëndrojë në platformë për të marrë benefitet e tjera që ofron platforma.
- Në rastin se e kaloni fazën e parë, do të prisni komunikime nga ana e Partnerëve Shqipëri me email për përgatitjen për konkursin kombëtar, ku do prezantoni idenë tuaj para jurisë.
- Nëse keni probleme me regjistrimin apo aplikimin, kontaktoni në adresën info@duapartnerinvest.com
Gjuha:
Gjuha për dorëzimin e aplikimit është Shqip.
Ofrimi i asistencës për aplikuesit:
Për të mbështetur individët dhe subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë trajnimin 2-ditor mbi temat “Hartimi i Planit të Biznesit” dhe “Marketing & Promocion”. Individët dhe subjektet e interesuara për të marrë pjesë në programin e trajnimit duhet të kenë paraprakisht një propozim biznesi në linjë me konkursin.
Trajnimi mbi temën “Hartimi i Planit të Biznesit” do të organizohet në datë 30 prill 2024!
Trajnimi mbi temën “Marketing dhe Promocion” do të organizohet në datë 3 maj 2024!
Individët dhe subjektet e interesuara për të marrë pjesë në trajnime duhet të shprehin interesin jo më vonë se data 29 prill 2023në adresën info@duapartnerinvest.com, si dhe të regjistrohen nëpërmjet link-ut përkatës.
Seancat e Informimit dhe afatet kohore:
Për të orientuar subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë seminare orientuese lidhur me procesin dhe procedurat e aplikimit, në datat e mëposhtme.
Lloji i sesionit informues |
Data |
Ora |
Sesion informues online* |
22 prill 2024 |
Ora 10:00 |
Sesion informues fizik** |
2 maj 2024 |
Ora 15:00 |
* Për të marrë pjesë në sesionet informues online, regjistrohuni në linkun më poshtë: https://us02web.zoom.us/meeting/register/tZAof-2qrzwrE9ErfeqlBHJsBC5a_8Jwaa29
** Sesioni informues fizik do të zhvillohet pranë zyrave të Partnerëve Shqipëri, në adresën: Rruga e Elbasanit, Park Gate Building, Kati i 10-të, Ap. 71/73, Kutia Postare 2418/1, 1010, Tiranë, Shqipëri. Individët dhe subjektet e interesuara për të marrë pjesë duhet të shprehin interesin jo më vonë se data 30 prill 2024 në adresën info@duapartnerinvest.com.
Çdo pyetje në lidhje me Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2024 mund të dërgohet brenda datës29 prill 2024 në adresën e email-it: info@duapartnerinvest.com. Përgjigjet do të publikohen në datën 3 Maj 2024, në faqen web të Partnerëve Shqipëri: http://www.partnersalbania.org dhe në faqen web të platformës Dua Partner Invest: http://www.duapartnerinvest.com.
Afati i fundit për dërgimin e aplikimeve për Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2024 është data 10 maj 2024, ora 16:00!
PROCESI I PËRZGJEDHJES
Procesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ekspertësh, profesionistë të fushës së ekonomisë, mjedisit dhe biznesit.
Procesi i vlerësimit do të realizohet në tre faza:
- Faza e parë do të konsistojë në përzgjedhjen e propozimeve të biznesit që plotësojnë kriteret bazë të aplikimit, së bashku me dokumentacionin përkatës. Përzgjedhja e kandidatëve që kalojnë fazën e parë do të bëhet nga Partnerët Shqipëri.
- Faza e dytë do të konsistojë në organizimin e një konkurrimi të hapur publik të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë. Pesë propozime biznesi do të përzgjidhen fituese nga një juri e pavarur ekspertësh.
– Tre idetë e para nga pesë idetë fituese, të cilat do të përzgjidhen në konkursin kombëtar do të konkurrojnë në konkursin rajonal.
– Tre fituesit që do të shkojnë në konkursin rajonal do të konkurrojnë për fonde shtesë, respektivisht për 5,000 $ për LOT 1 dhe 10,000 $ për LOT 2.
- Faza e tretë do të konsistojë në një proces verifikimi në terren dhe më pas negocimi të buxhetit, nëse është e nevojshme.
Shpallja fitues nga Konkursi, nuk përbën detyrim për financim nga ana e Partnerëve Shqipëri. Akordimi i grantit është i kushtëzuar nga kalimi me sukses i të gjitha fazave të procesit.
Kalimi i grantit:
Kalimi i grantit te fituesit do të bëhet me rimbursim, pas paraqitjes së faturave për shpenzimet e kryera sipas zërave të buxhetit të miratuar dhe përcaktuar në kontratën e grantit dhe sipas afateve kohore të përcaktuara në kontratë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.