Në një takim me gazetarë çdo fundvit Banka e Shqipërisë ndan çmimet e konkursit të hapur “Çmimi i Guvernatorit për Diplomën më të Mirë për vitin 2023”. Ky konkurs organizohet prej 17 vjetësh nga Banka e Shqipërisë dhe vlerëson çdo vit tre temat më të mira të përgatitura nga studentë shqiptarë të diplomuar brenda dhe jashtë vendit në fushën e ekonomisë dhe financës. Studimet trajtojnë tematika bashkëkohore dhe hulumtojnë fenomene interesante në fushën e ekonomisë dhe financës qe lidhen drejtpërsëdrejti apo në mënyrë indirekte me aktivitetin e bankës së Shqipërisë dhe tregut financiar.
Këtë vit temat fokusohen te problemet reale të ekonomisë dhe financës dhe përdorin metoda bashkëkohore gjithnjë e me të sofistikuara për të bërë vlerësimin e hipotezave dhe analizën e të dhënave ekonomike e financiare.
Me çmimin e parë u vlerësua zj. Aurora Kapo, studente në Universitetin e Amsterdamit, Hollandë me temën e diplomës: “Narrative economics: Central Bank Communication and Inflation Expectations”. Nëpërmjet kësaj temë është vlerësuar efekti i tonit (duke nënkuptuar me këtë qëndrimin pozitiv ose negativ) të komunikimit të deklaratave të politikes monetare, për rastin e Bankës Qendrore Evropiane dhe të Bankës së Rezervës Federale Amerikane, në pritshmëritë e inflacionit të familjeve dhe të ekspertëve profesionistë, si dhe në tregues të tjerë makroekonomikë. Vlerësimi empirik i fenomenit është bazuar në metodologjinë e modeleve të Vektorëve Autoregresivë (VAR). Është përdorur metoda e “analizës së ndjeshmërisë së tekstit” (sentiment text analysis) për të ndërtuar një tregues të matshëm sasior për tonin e komunikimit të bankës qendrore.

Me çmimin e dytë u vlerësua z. Virjosin Stafasani, me temën “The relationship between Market Efficiency, Expected Return and Volatility in the Stock Market“ nga Universiteti i Greenwich, Angli. Materiali i paraqitur i merr në analizë kthimet e pritshme në tregun e letrave me vlerë, si dhe efiçencën e këtij tregu. Më konkretisht në fokus të materialit të studimit janë marrë indekset e tregjeve për S&P 500 në Shtetet e Bashkuara, Shanghai Stock Exchange (SSE) në Kinë, dhe S&P Merval në Argjentinë. Autori ka vlerësuar nëse çmimet dhe kthimet në tregjet e zhvilluara dhe ato në zhvillim ndikohen apo jo në mënyrë të ngjashme brenda së njëjtës periudhë kohore, ku efekti i ditës së javës (e hënë – e premte) dhe ai i javës së plotë janë të pranishëm. Më tej, ai vlerëson se në cilat ditë volatiliteti dhe kthimi rezultojnë më të larta. Vlerësimet e marra i shërbejnë për të evidentuar eficiencën e tregut, si dhe identifikimin e indeksit me rrezik më të ulët.

Me çmimin e tretë u vlerësua zj. Krista Kozmai, studente pranë Universitetit Europian të Tiranës, me temën: “ Frika” nga kursi i lirë i këmbimit, rasti i Shqipërisë”. Materiali i paraqitur ka për qëllim ndikimin që faktorët përcaktues të kursit t këmbimit lek/euro, si eksportet, importet, IHD, remitancat, norma e interesit dhe inflacioni kanë ndikuar gjatë periudhës 2008-2022, duke përdorur të dhëna. Gjithashtu është parë nëse ndërhyrjet e Bankës së Shqipërisë kanë ndikuar në ecurinë e kursit të këmbimit, kuantifikuar me anë të një variabli cilësor mbështetur në deklaratat e BSH-së. Rezultatet nga regresi i shumëfishtë tregojnë që sjellja e kursit të këmbimit shpjegohet nga faktorët fondamentalë, ku të ardhurat nga emigrantët rezultojnë me ndikim të rëndësishmen, ndërsa treguesit e tjerë rezultojnë jo-statistikisht të rëndësishëm dhe në kundërshtim me teorinë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.