Kryeministri Rama mbajtjen e stafit njerëzor e ka cilësuar luftën e radhës së cilës Shqipëria duhet t’i mbijetojë.
“Kjo nuk është një garë, kjo është një luftë. Vendet e europës po vuajnë të gjithë, dhe ne si vend më i vogël por edhe pjesë e kontinentit jemi më vulnerabël, por duhet t’i mbijetojmë, prandaj nisëm edhe rritjen e pagave. Në këtë epokë të re ku ka hyrë shqipëria është e vetmja mënyrë që të mbijetojmë.” – tha Rama në forumin e klimës së biznesit
Ministrja e Financave tha se rritja e pagave duhet të shoqërohet patjetër me produktivitet dhe për këtë qeveria do mbështesë financiarisht bizneset që do ta arrijnë
“Ne duhet të punojmë të gjithë bashkë në mënyrë që produktiviteti i biznesit privat të rritet. Kjo është dhe arsyeja pse Ministria e Financave dhe Ekonomisë është duke punuar për të hartuar një politikë industriale e cila do të kanalizojë mbështetjen buxhetore drejt atyre sektorëve që janë më produktivë dhe sjellin rritje ekonomike.”
Në forumin e klimës së biznesit kryeministri dhe ministrja e financave thanë se qeveria do investojë edhe më shumë në digjitalizim dhe inovacion për të mbështetur biznesin. Fronti i radhës është inteligjenca Artificiale
“Ne gjithashtu po punojmë për vënien në dispozicion dhe përdorim të Inteligjencës Artificiale për të digjitalizuar të gjitha shërbimet e tregut të punës, si dhe për të krijuar një dritare unike për të papunët, punëkërkuesit dhe emigrantët që rikthehen në atdhe.” – tha Ibrahimaj.
“Inteligjenca Artificiale do të kryejë të gjitha prokurimet publike. Kompanitë do duhet të çojën vetëm ofertën ekonomike dhe asgjë tjetër. Duam t’i shkrijmë Komisionet e Vlerësimit të ofertave.” – tha Rama
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto