Kriza energjetike ka qenë njëra nga temat që kryeministri Edi Rama është ndalur fillimisht gjatë fjalës së tij në Kongresin e Partive Socialiste Europiane, që po mbahet në Berlin. Rama kërkoi ndihmën nga BE për kapërcimin e kësaj krize ndërsa përmendi zhgënjimin nga periudha e pandemisë. Rama theksoi se lënia pas e Shqipërisë me ndihmën e vaksinave, nuk duhet të ndodhe me energjinë.
“Kemi pasur përvoja të tmerrshme me Bashkimit Europian kur nisi pandemia dhe kur Bashkimi Europian u mblodh me nxitim dhe nën trysninë e një angështie shumë të madhe për të nisur vaksinimin dhe në raundin e parë të vaksinimit, ne u harruam krejtësisht. Kështu që, na u desh të shihnim, si të tjerët rreth nesh nisnin të vaksinonin të moshuarit e tyre, infermierët, mjekët e tyre, ndërkohë që ne, qytetarët e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ishim kaq besimplotë e kaq shumë besnikë karshi Europës, ishim si peshku pa ujë. Bashkimi Europian nuk ishte për ne, nuk ishte për njerëzit tanë, nuk ishte i pranishëm për një çështje jetë a vdekjeje. Përsëri, ja ku jemi. Kriza e energjisë nuk është pandemia, por është e ngjashme kur vjen fjala për fuqinë goditëse që mund të trazojë të gjithë komunitetin europian. Dhe unë shpresoj që nuk do të ndodhë sërish që cilado zgjidhje të gjendet brenda BE sidoqoftë BE të zgjedhë të mbështesë vendet anëtare për të përballuar këtë goditje të stërmadhe, ne nuk do të lihemi sërish jashtë”, apeloi kryeministri Rama.
Rama u ndal edhe tek problematika e largimit të të rinjve ekselentë jashtë vendit. Sipas kreut të qeverisë të rinjtë largohen pasi universitetet tona nuk mund të krijojnë sinergjinë dhe të krijojnë rrugëtimin e përbashkët në universitetet në BE. Për Ramën është e padrejtë që të rinjtë shqiptar të mos kenë të njëjtin akses si të tjerët në sistemin e lartë europian.
“Po shohim të rinjtë tanë më të mirë që largohen sepse nuk kemi të njëjtën qasje në sistemin europian të arsimit të lartë, që do të thotë universitetet tona nuk mund të krijojnë sinergjinë dhe të krijojnë rrugëtimin e përbashkët në universitetet në BE. Nga ana tjetër, shohim që edhe ata që i paguajmë me paratë e taksapaguesve tanë që të bëhen mjekë e infermierë merren nga Gjermania menjëherë. Nuk duket e drejtë dhe nuk duket solidaritet europian që nga njëra anë të shohësh universitetet dhe të rinjtë e tu të vendit të lihen jashtë sistemit duke u larguar nga vendi sepse duan të bëhen pjesë e këtij sistemi dhe me shumë të drejtë dhe nga ana tjetër të shohim krahun tonë të kualifikuar të punës që merret nga tregu europian, natyrisht, e kuptoj që është tregu, por kjo duhet të jetë njëfarësoj e ekulibruar me një lloj solidariteti në kuptimin që vendet tona duhet të marrin diçka në këmbim”, tha Rama.
Ndalur tek sulmet kibernetike të Iranit Rama deklaroi se erdhi si pasojë e strehimit të anëtarëve të MEK.
“Shqipëria renditet e teta në Europë, në gjithë Europën, jo vetëm në Europën tonë që ka vetëm E dhe nuk ka B dhe e 19 në botë, çka nënkupton që kemi një sistem mjaft të sofistikuar të shërbimeve online që tashmë është pjesë e jetës së qytetarëve me një mori përfitimesh që eliminojnë pritjen në kohë, në radhë, eliminojnë ryshfetet. Pra, ata goditën në një pjesë shumë strategjike të funksioneve tona të përditshme. Arsyeja lidhet me faktin që Shqipëria strehon disa mijëra pjesëtarë të opozitës iraniane sepse ne jemi një vend paksa ndryshe kur vjen fjala për solidaritet me njerëzit që kanë nevojë dhe nuk është rastësi që Shqipëria ishte i vetmi vend në gjithë Europën që kishte më shumë hebrenj pas Luftës së Dytë Botërore sesa para saj, sepse hebrenjtë në Shqipëri u mbrojtën dhe nuk ka asnjë dëshmi e të dhënë për asnjë hebre të vetëm të dorëzuar nazistëve”, tha Rama.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.