Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të takohen mbrëmjen e të hënës për një darkë pune në Berlin, për të diskutuar rreth çështjeve të ardhmes së përbashkët europiane.
Së pari, skema e mega-subvencionimit të energjisë, shpallur nga Gjermania, rrezikon të përkeqësojë krizën e çmimit të gazit për vendet e tjera të Bashkimit Europian, pasi Gjermania si lojtar kryesor në treg ndikon në rritjen e çmimit. Së dyti, subvencioni do të thellojë në mënyrë të pashmangshme një hendek pabarazie midis vendeve më të pasura dhe më të varfra të BE-së.
Gjermania nuk do të subvencionojë gazin vetëm për konsumatorët e saj, por edhe për kompanitë, e mëdha dhe të vogla. Kjo do të thotë se kompanitë mund të prodhojnë me çmime më të lira në Gjermani, duke konkurruar edhe më shumë ato të vendeve të tjera. Në të njëjtën kohë, Berlini po kundërshton masat e institucioneve europiane në Bruksel, siç është kufizimi i çmimit të gazit të BE-së.
Lexo edhe: Gjermania 200 miliardë euro për energjinë: “Mbrojmë familjet dhe bizneset”
Një problem shumë i ngjashëm u shfaq gjatë krizës së COVID, kur Gjermania vendosi të prezantojë një stimul masiv për të mbajtur kompanitë e saj në këmbë – dhe vendet e tjera të BE-së, përfshirë Francën, paralajmëruan për problemet e mëdha që kjo mund të krijonte në tregun e përbashkët. Përfundimisht, Gjermania ra dakord për huamarrjen e përbashkët të BE-së për të kompensuar të paktën pjesërisht vendet me më pak kapacitete.
Por pyetja që shtrojnë të gjithë tani është: A do ta bindë Macron Scholz-in se solidariteti i BE-së është sërish në provë të madhe – dhe a do të pajtohet Scholz për një raund tjetër të huamarrjes së përbashkët?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.