Euro zhvlerësohet ndjeshëm brenda 24 orëve. Bie në nivele minimale - Business Magazine Albania

Euro zhvlerësohet ndjeshëm brenda 24 orëve. Bie në nivele minimale

Euro është zhvlerësuar ndjeshëm duke shënuar një rekord të ri të ulët historik në 116.5 lekë në tregun e këmbimit valutor vendas. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë monedha europiane ka humbur 0.8 lekë nga një ditë më parë në raport me monedhën kombëtare, lekun.

Pasi preku në korrik nivelin më të ulët historik në dy dekada në 116.6 lekë, euro shfaqi më pas një trend  të lehtë në rritje duke u luhatur prej thuajse një muaji në nivelin e 117 lekëve.

Megjithatë, shumë poshtë nivelit që ishte krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kur këmbehej mesatarisht për 121.5 lekë.

Lexo edhe: Forcimi i dollarit po sjell probleme për tregtinë globale. Arsyet përse

Zakonisht, kjo periudhë përkon me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e emigrantëve çka sjell një forcim gradual të euros në raport me monedhën vendase me mbarimin e efekteve sezonale, por duket se po ndodh e kundërta.

Ndërkohë, pasi shënoi rritje të ndjeshme duke prekur edhe nivelin e 118.3 lekëve në fillim të shtatorit, edhe dollari amerikan i është rikthyer trajektores rënëse duke u barazuar sërish me euron në tregun vendas dhe këmbehet për 116.5 lekë.

Që prej fillimit të vitit dollari është forcuar me 9.7 lekë, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë monedha është rritur me plot 13.7 lekë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0