Konfindustria i kërkon vendimarrjes politike të ndërmarrë nismën ligjore për shkrirjen e menjëhershme të Bordit të Trasparencës/BT shoqëruar me themelimin e Entit Rregullator të Karburanteve/ERK. ERK të krijohet si institucion i përhershëm, profesional dhe në varësi të Kuvendit të Shqipërisë, sipas modeleve rajonale të provuara të sukseshme. “BT është institucion i përkohshëm, në varësinë e qeverisë dhe përbëhet në një akt të qartë konflikti interesi në gjysmën e antarëve nga subjektet, që duhet të kontrollohen”, thekson Konfindustria në njoftimin e saj.
Konfindustria vlerëson, se Bordi i Trasparencës në gjithë vendimarrjet e tij ka vepruar në dëm të interesit publik, duke favorizuar qartësisht kartelin e karburanteve, sidomos në çmimet e tregut të shumicës dhe tarifat e operacioneve portuale dhe depozituese, si dhe shtimin e sforcuar të të ardhurave publike me pasoja të rënda për qytetarët, biznesin dhe ekonominë kombëtare në afatgjatë.
Rasti më i qartë i vendimarrjes klienteliste të Bordit të Trasparencës është i datës 6/8/2022. Me një akt qartësisht sfidues ndaj interesit publik dhe pa asnjë shpjegim teknik shoqërues nga BT çmimi i naftës u ul me vetëm 1 lek/litër, të paktën 20 herë më të vogël, sesa bëhej e mundur nga vlerësimet krahasimore të rënies së çmimeve në bursat ndërkombëtare. Çmimi i naftës me pakicë duhej të ishte nën 200 lekë/litër.
Sipas Administratorit të Konfindustrisë Gjergj Buxhuku, “Shqipëria ka sot çmimet e karburanteve nga më të lartët në botë në vlerësim relativ dhe 20-30% në vlerësim absolut në rajon. Për më tepër, shoqërohet më cilësi jashtë standarteve minimale ndërkombetare dhe abuzime të rënda vjedhje të volumeve të shitjes së karburanteve. Ngarkesa fiskale është nga më të lartat në rajon, duke nxitur qartësisht kontrabandën masive”.
Kostot e abuzimit në sektorin e karburanteve, shoqëruar dhe me kontrabandën masive në dëm të buxhetit të shtetit, mund të arrijnë deri në 500 milionë/vit në dëm të bizneseve, qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik në afatgjatë, vlerëson Konfindustria. Këtu nuk llogariten sipas saj kostot e dëmëve mjedisore, shëndetësore, makineri, pajisje dhe pasojat e drejtëpërdrejta në sektorët e tjerë të ekonomisë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.