Kristiana Capo është një sipërmarrëse e re, e cila ka zgjedhur të sjellë në tregun shqiptar, produkte që bazën e kanë nga natyra. E diplomuar për Inxhinieri Kimike, gjithçka për të nisi kur gjimnazistë dhe të rinj të tjerë i kërkonin ndihmë për ushtrimet e pazgjidhura në lëndën e Kimisë dhe kështu u krijua kanali i saj në Youtube.
Pas hapjes së kanalit, Kristiana rrëfen për Business Magazine se lindi edhe ideja tjetër e saj për të krijuar produkte kozmetike në kushte shtëpie me produkte organike. Në këtë mënyrë ne shpëtojmë lëkurën nga kimikatet e rrezikshme, por mbrojmë edhe natyrën.
Më poshtë ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë që kemi zhvilluar me sipërmarrësen. Ndërsa këtu mund të gjeni kanalin e saj në Youtube
Si lindi dëshira juaj për të hapur një kanal në Youtube mbi produktet kozmetike të prodhuara në mënyrë organike?
Ideja ime për të krijuar receta të cilat kanë përbërës organik të parrezikshëm për shëndetin dhe lëkurën e njeriut ka lindur prej profesionit tim dhe kujdesit rutinor që unë kam bërë gjithmonë me lëkurën time. Unë jam një inxhiniere kimike në profesion dhe çdo kimikat i hedhur pa kontroll, çdo produkt kozmetik industrial i prodhuar në kushte laboratorike sigurisht që ka efekte negative tek lëkura jonë. Unë do doja që pak nga pak ne shqiptarët të mësohemi të drejtojmë sytë nga ajo çka eshte e shëndetshme dhe jetëgjate dhe jo nga ajo që na bën të bukur momentalisht, kujdesi për lëkurën nënkupton një rutinë strikte, me bazë organike, pa produkte kimikatesh shtesë të cilat kanë gjithmonë efekte anësore.
Cilat janë përfitimet kryesore të produkteve kozmetike që prodhohen në mënyrë organike?
Përfitimet do të thoja unë janë shumë por po listoj disa;
✅Produktet gjenden shumë thjeshtë, pra kostot e blerjes janë minimaliste;
✅ Nuk janë kimikisht të dëmshme, janë bio pa kontraceptivë apo aditivë të shtuar;
✅ Mund të prodhosh sasi produktesh dhe mund ti tregtosh duke e kthyer në formë biznesi
✅Shikon rezultate në kohë shumë të shpejtë dhe ti më mirë se kushdo di sesi i prodhon dhe nuk merakosesh nëse eshte vërtetë një produkt cilësor apo jo siç ndodh gjithmonë kur ne blejmë një produkt kozmetikë në dyqan, pra je i sigurtë për çfarë prodhon dhe çfarë cilësie produkti përdor për kujdesin tënd personal
Si ka qenë reagimi i njerëzve deri më tani?
Unë jam e kënaqur me reagimin e njerëzve pasi e kanë pritur mjaft mirë dhe mbi të gjitha ka nga ata që i kanë kthyer në biznes dhe kanë prodhuar dhe tregëtuar këto produkte duke marrë prej tyre fitime, më vjen mirë që kam qenë një ogur i mbarë dhe kam mbështetur shumë persona që duan të ndërrmarin iniciativa vetjake, gjithashtu dua të edukoj dhe të mëshoj fort që ti kthejnë sytë tek produktet “homemade” dhe jo tek produktet industriale, eshte një mentalitet i vështirë për tu çrrënjosur, por jo i pamundur për ne shqiptarët.
Pse zgjodhët Youtube si platformë për të shpërndarë krijimet tua?
Mendoj se është një platformë e cila po zhvillohet tejmase sidomos në Europë dhe ka një impakt pozitiv. Të ndjekësh video tutoriale në youtube për mua eshte më komode, më e qetë dhe ti mund të marrësh kohën tënde në dispozicion pa qenë nevoja të ngutesh apo të ndikohesh nga postimet, njoftimet e reja që vijnë në platformat e tjera dhe sjellin një çorientim dhe largim të interesit.
Ideja kryesore e kanalit në Youtube nisi prej faktit që unë të ndihmoja sa më shumë studentë e gjimnazistë në kapërcimin e problemeve në lëndën e kimisë, gjatë gjithë kësaj kohe kam ngarkuar video leksione me ushtrime dhe problema të shumta në lëndën e kimisë, duke i ardhur në ndihmë çdokujt që më ka kërkuar ndihmë, ky ka qenë fillimi i kanalit tim, më pas unë përpos tyre mendova ta zgjeroja më tej kanalin tek produktet kozmetike “homemade” dhe vendosa të krijoja produkte të shumta në kushte shtëpie dhe ti shpërndaja ato me të gjithë
Cilat janë objektivat e tua për zgjerimin e kanalit? Ku synoni të jeni pas 5 vitesh?
Jam pak njeri supersticioz, por mendoj se do dua të krijoj një brand tim dhe të prodhoj produkte bimore me emrin tim të cilat janë në dobi të kujdesit tonë personal
Cilat janë format që keni zgjedhur për të promovuar kanalin tuaj?
Jam përpjekur ta shpërndaj si fillim tek miqtë e mi dhe tek të afërmit, më pas jam përpjekur në disa radio lokale dhe një mbështetje shumë të madhe më ka dhënë emisioni “Stop” në TV Klan ku më ka mbështetur dhe e ka shpërndarë kanalin tim për të gjithë ata që kanë nevojë dhe që kërkojnë dicka ndryshe.
Cila është moto juaj për të ecur përpara në fushën e sipërmarrjes?
Motoja ime është: beso në aftësitë dhe profesionalizmin tënd aq fort saqë të mos i trembesh asgjëje dhe askënd. Kur lufton dhe punon për veten gjithmonë do dalësh fitimtar edhe nëse dështon, pa dështim nuk ka sukses!
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.