Business Mag Nr. #28 – Prill 2022

500.00L

Përshkrim

Si sipërmarrës e keni dëgjuar, madje e keni predikuar shprehjen: jeta nuk bëhet më e lehtë, thjesht ju bëheni më të fortë. Kësaj radhe po e përjetojmë siç nuk e kishim imagjinuar.

Ndërsa po synonim të dilnim nga kthetrat e pandemisë, një tjetër plagë goditi Europën. Sulmi rus ndaj Ukrainës, i pakonceptueshëm nga bota moderne, erdhi si një Tsunami në Europë dhe madje në të gjithë Botën. Lufta me armë shkatërruese, deri tek kërcënimi i përdorimit të armëve nukleare, po sjell një dëm të jashtëzakonshëm për Ukrainën dhe popullin e saj. Mijëra të vrarë dhe mbi 4 milionë të shpërngulur nga vendi, pavarësisht rezistencës së fortë dhe të paparashikuar të ukrain- asve.

Zhvillimet dinamike në më pak se një muaj, çuan në vendime të pamenduara më parë për dhjetëra kompani ndërkombëtare. Tregjet e lëndëve të para panë çmime të rritura me ritmet më të larta të 40 viteve të fundit, ndërsa sheshet në kryeqytetet botërore, përfshirë Tiranën, pritën protestat, fillimisht kundër luftës e më tej kundër rritjes së çmimeve. Më 8 Mars, Çmimi i Naftës kaloi nga 199 lekë/litër në 260-270 lekë për litër, ndërsa po gjatë marsit, çmimi i bukës masive kaloi nga 80 lekë në 100 dhë së fundi 120 lekë. Qeveria ngriti komitete për të monitoruar tregjet dhe mbajtur çmimet nën kontroll, një formë e përkohshme e frenimit të rritjes. Vetë komitetet, rritën pak ditë më parëçmimin e naftës, duke treguar se nuk mund t’u rezistojmë presioneve ndërkombëtare të rritjes së çmimeve.

Ashtu si në pandemi edhe ky është një rast sprove për qeverisjen. Çdo qeveri me borxh të lartë publik, nuk ka hapësirë të ulë barrën e taksave dhe paketat e saj mbështetëse do të jenë sipërfaqësore.

Në kushte tërësisht të pasigurta, sipërmarrjet vazhdojnë të shohin përpara, duke synuar të realizojnë objektivat e tyre, qoftë edhe duke shtuar përpjekjet, apo kostot e tyre.

Në këtë numër ju sjellim një grup sipërmarrësish të cilët, me rrugëtimet e tyre, tregojnë se si po punojnë për të siguruar qëndrueshmëri. Profilet e kompanive dhe sipërmarrjeve
janë të fushave të ndryshme, nga të cilët mund të mësoni, frymëzoheni, apo të besoni se, edhe në kushte të vështira, mund të ecni përpara dhe mund të jeni amortizatori më i mirë për ekonominë e
vendit, tregun e punës. Ky i fundit në fakt, është një plagë e madhe për vendin tonë. Pikërisht për shkak të nivelit të lartë të emigrimit, ne i kemi kushtuar një speciale emigracionit, ndikimeve në
sipërmarrje dhe mundësive për të frenuar emigracionin.

Lexim të këndshëm!