Prodhuesit shqiptarë të mobiljeve, si mbërritën deri në Afrikë dhe furnizojnë rrjete ndërkombëtare hotelesh - Business Magazine Albania

Prodhuesit shqiptarë të mobiljeve, si mbërritën deri në Afrikë dhe furnizojnë rrjete ndërkombëtare hotelesh

Biseda me Silvanën na nxiti më tej për të parë industrinë e mobilerisë. Edhe pse perceptimi i tregut është se cilësia ka ardhur në rritje, ne ende mund të rendim pas prodhimeve të huaja me mendimin se puna dhe cilësia janë më të larta. Por ajo çfarë ndodh në këtë treg pa vëmendje e promovim nga ana e politikave vendase është dëshmi e qartë e rezultatit që sjell profesionalizmi dhe investimi në teknologji.

Kompani që furnizojnë me mobilje rrjetet më të mëdha të hoteleve nëpër botë, madje edhe kanë hapur përfaqësi të tyre jashtë.

Kjo industri është dëshmi reale e mundësisë së rritjes së prodhimit falë investimeve.  

Korel, fabrika e prodhimit të dyerve në Elbasan ka 20 vite në treg. Sipërmarrësi Joti Marku kujton vështirësitë e fillimit të punës. Ndërsa pranon se kthesën e mori në vitin 2007 kur investuan në makineri dhe teknologji. “Kjo rriti efektivitetin dhe cilësinë e produktit. Në bashkëpunim me kompaninë Si-Mak Albania në fund të vitit 2007 kemi rinovuar gjithë teknologjinë dhe makineritë, duke ndryshuar tërësisht filozofinë e kompanisë dhe produktivitetin”, thotë ai. Investimi në teknologji e mundësoi të jetë konkurrent, jo vetëm në tregun vendas, por dhe atë të huaj, siç është Gjermania, Franca, Italia dhe Kanadaja. Ai sot tregton atje dyer të çertifikuara me cilësi të lartë.

Artikulli u publikua më parë në faqen 47 të numrit 27 të revistës Business Magazine Albania.  Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 27 të saj.

Në planet e ardhshme të kompanisë, “krahas rritjes së cilësisë së produkteve dhe gjetjes së tregut jashtë kufijve të Shqipërisë, objektiv i kompanisë është funksionimi autonom me energji jeshile në masën 95%. Për këtë do të instalojmë panele diellore. Ndërsa po punojmë të kalojmë nga makinat me karburant tek ato elektrike në masën 100%”, thotë z.Joti.

 

Një tjetër hov në sipërmarrjen e saj, ka bërë falë investimeve në teknologji edhe kompania e njohur fillimisht për prodhimin e karrigeve “Ardeno”. E vendosur në fillim të autostradës Tiranë-Durrës, Ardeno po punon sot për të ofruar një gamë të gjerë produktesh në mobilim. Tonin Alija, prej 20 vitesh, punon dhe ëndërron për sipërmarrjen e tij, duke bërë realitet çdo ditë projektet e reja. “Merremi me përpunimin e drurit në të gjitha llojet. Fokusi fillestar ishte në prodhimin e karrigeve dhe tavolinave me një linjë industrial prodhimi karrigesh 500/ditë. Klientët e kënaqur nisën të kërkojnë edhe produkte të tjera, çka na nxiti të shkojmë drejt prodhimit për kuzhina, dhoma gjumi, etj”, thotë z.Alija. Pas një investimi në vitin 2007, ai rriti prodhimin dhe gamën e produkteve, por pikën e kthesës e mori në vitin 2018, kur investimi për pantografin i dha mundësi të shtojë prodhimet e personalizuara në të gjitha llojet e mobiljeve. “Në 2010 vizitova SCM në Rimini dhe pamë makineritë. Pas rreth 10 ditësh kontaktohem nga znj.Silvana, e cila kishte marrë ekskluzivitetin. Në vitin 2018 kemi marrë pajisjen e pantografit, personalizuar dhe dizenjuar posaçërisht sipas kërkesave tona”, thotë ai. Me këtë investim ai ka rritur 20% nivelin e prodhimit të kuzhinave dhe dhomave të gjumit. Është një makineri e shpejtë dhe efikase, e programuar. Në krijimin e produkteve të veçanta, kompaninë e ka ndihmuar edhe investimi i një programi dizenjimi francez.

Aktualisht Ardeno prodhon në masën 70% për tregun vendas, ndërsa eksporton edhe në Gjermani, Zvicër dhe Britaninë e Madhe.  Tregu i huaj kërkon produkt në seri, ndërsa z.Aliaj tregon se punon në formë të personalizuar për të gjitha drejtimet, dhoma gjumi, kuzhina.

Pjesë e shkuadrës së tij tashmë janë arkitektë, dizenjatorë, menaxherë dhe punonjës në prodhim. Një pikë e fortë furnizimi janë hotelet me kapacitete mbi 60 dhoma.

Në qytetin bregdetar të Vlorës, gjendet një kompani tjetër e rritur tashmë me 30 vite përvojë në treg. Vip Saloti në Vlorë, është ndër kompanitë më të mëdha të mobilerisë në vend falë investimeve me vlera të larta. Z.Sulejman Hoxha, tregon për Businessmag.al se, vetëm 4 vitet e fundit ka investuar në teknologji rreth 8 milionë euro. Gama e shërbimeve të kësaj kompanie përfshin përpunimin e xhamit, qeramikës, mermerit, melaminës, si dhe proceset e punës në tapiceri, Vip Saloti ka një ofertë të gjerë për një treg që tashmë ka mbërritur edhe në Afrikë. Biznese dhe rrjete hotelesh në vende të ndryshme të botës, po furnziohen prej kësaj kompanie. Së fundi, kontratat e shitjes janë me vendet e tregut afrikan dhe Arabisë Saudite. Prej 7 vitesh, kompania po furnizon një rrjet hotelesh në Dubai dhe është një prej furnitorëve kryesor të rrjetit të hoteleve “Marriott”. Pak vite më parë “VIP Saloti” hyri në tregun amerikan me pika referimi në Boston dhe New York. Por, z. Hoxha e ka fokusuar vëmendjen e tij te dinamika e tregut të Afrikës dhe Lindjes së Mesme. Sot numëron rreth 200 të punësuar. Por, falë investimeve në teknologji, kompania po zhvillon 90% të aktivitetit të saj në tregun e huaj. Sulejman Hoxha vlerëson si një pikë kthese në industri (dhe jo vetëm në kompaninë e tij) ka patur ndikim kompania italiane e pajisjeve dhe drejtuesja e Si-Mac Albania, Silvana Kulla.

Në këtë drejtim, një element i rëndësishëm është Si-Mac Training Center e ngritur si një përgjigje konkrete ndaj sfidave të vazhdueshme teknologjike, si dhe në përgjigje të procesit të të mësuarit në vazhdimësi. Si një mbështetje ndaj biznesit, por edhe si një shprehje e përgjegjësisë sociale, nëpërmjet të cilës Si-Mac Albania synon të trashëgojë kompetencën dhe eksperiencën e saj në sektorin e makinerive dhe pajisjeve industriale te profesionistët aktualë dhe te profesionistët e së ardhmes në Shqipëri e më gjerë. Si-Mac Training Center synon të promovojë aktivitetin e zhvilluar në aspektin e përmirësimit të aftësive teknike, dizenjuese, programuese dhe përpunuese të personelit të biznesit, i cili është i trajnuar dhe i çertifikuar për të punuar me makineritë përkatëse. Për këtë qëllim, nga personeli teknik i Si-Mac Albania organizohen çdo vit një sërë kursesh formimi për përdorimin e makinerive dhe programeve të veçantë. Këto kurse, sipas kërkesës së të interesuarve, mbulojnë të gjithë gamën e makinerive të përpunimit të drurit të prodhuara nga kompania SCM Group.

Përtej synimeve me karakter teknik dhe atyre të lidhur direkt me procesin e formimit dhe të prodhimit, Si-Mac Training Center synon të jetë edhe një ndërlidhës aktiv midis biznesit dhe kurseve të formimit profesional, shkollave të formimit profesional, institucioneve të arsimit të lartë, shkollave të biznesit, me të cilat Si-Mac Albania ka një bashkëpunim të hershëm dhe të qëndrueshëm. Si-Mac Albania nuk dallohet vetëm për qëndrueshmërinë e strukturës së saj organizative dhe për tendencën për inovacion që e karakterizon. Motoja e saj kryesore, “punonjësi është në qendër të vëmendjes”, tregon më së miri se ku përqëndrohet fokusi i kësaj kompanie. Prej vitesh, Si-Mac Albania investon në zhvillimin e vazhdueshëm të personelit të saj, duke siguruar për ta kryerjen e kurseve me specialistë italianë, nga më të kualifikuarit e sektorit. Këto kurse ofrojnë pajisjen me aftësi teknike dhe eksperiencë nga më të mirat e mundshme.

Një teknikë, pjesë përbërëse e stafit të Si-Mac Albania, i trajnuar dhe çertifikuar në këtë mënyrë është i aftë të përballet dhe të zgjidhë me sukses shumë sfida që paraqiten gjatë proceseve të ndryshme gjatë punës. Si-Mac Albania, që prej vitit 2008, kryen kurse të formimit profesional për klientët e saj. Në këto kurse transmetohen njohuri, eksperiencë, vlera dhe një mbështetje e vazhdueshme për ta. Në këto dymbëdhjetë vite operim në treg, stafi teknik i Si-Mac Albania ka trajnuar më shumë se pesëqind operatorë, programues dhe specialistë të përpunimit të drurit dhe derivateve të tij. Për korrektesën dhe kompetencën e shfaqur nga punonjës të saj, Si-Mac Albania ka fituar respektin dhe mirënjohjen e bashkëpunëtorëve brenda e jashtë vendit.

Nëpërmjet Si-Mac Training Center, Si-Mac Albania kërkon që të shpërblejë besimin që kanë shfaqur ndaj saj aktorët e tregut të lëndëve të para të mobilerisë, përpunuesit e drurit dhe prodhuesit e mobiljeve.

Artikulli u publikua më parë në faqen47 të numrit 27 të revistës Business Magazine AlbaniaBusiness Magazine Albania është revista e parë dixhitale me përmbajtje origjinale në shqip të orientuar nga fusha e biznesit. Ju mund të Shfletoni Këtu nr. 27 të saj.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0