Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka rritur ndjeshëm projeksionet për rritjen ekonomike të Shqipërisë, nga 4.5 në 8%.Ky rishikim vjen në linjë edhe me ato të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilët kanë vlerësuar se rimëkëmbja ekonomike e vendit do të jetë më e fortë seç ishte parashikuar. Nga krahu tjetër BERZH ka rishikuar dhe rritjen e vitit 2022, e cila nga parashikimi fillestar prej 4% është ulur në 3.7%.
BERZH në raportin e saj thekson se konsumi në Shqipëri është rritur për shkak të remitancave, parave që dërgohen nga diaspora, ndërsa shprehet se rritja e çmimeve në vend, që ndikojnë në inflacion vazhdojnë të mbeten nën objektivin e Bankës Qëndrore. Gjithashtu Rindërtimi dhe emetimi i eurobondit në fund të vitit pritet t’i japin një shtysë të re ekonomisë së vendit.
Në rajon Shqipëria projektohet të jetë ekonomia e dytë në Ballkanin Perëndimor me rritjen më të madhe, pas Malit të Zi, ku rritja projektohet mbi 12%. Sa i përket Kosovës, parashikimet flasin për një normë rritje pranë 7.7% këtë vit, dhe 4.5% vitin e ardhshëm.
INSTAT ka raportuar se dy sektorët që dhanë kontributin më të madh në rritje në tremujorin e dytë kanë qenë pikërisht Ndërtimi dhe Industria nxjerrëse dhe Përpunuese.
Edhe pse me rritje të lartë ekonomike, Shqipëria ka rritur ndjeshëm borxhin e saj publik, me nivelin që ka arritur pranë 78% sipas Ministrisë së Financave. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se rritja e çmimeve të produkteve dhe kriza energjitike mund të ndikojë në rritjen mbi objektiv të inflacionit, gjë e cila do të ngadalësonte rimëkëmbjen ekonomike.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto