Pas gati më shumë se 1 viti që prej miratimit të ligjit për “Tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka nxjerrë për konsultim publik setin e parë të projekt rregulloreve të ligjit që rregullon tregtimin dhe ruajtjen e kriptomonedhave.
Në draftet e publikuara në faqen zyrtare të Autoritetit përcaktohet se subjektet që do të ushtrojnë veprimtarinë e tyre në tregjet financiare bazuar në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë duhet të sigurojnë një nivel të mjaftueshëm të kapitali.
Më konkretisht, sipas draft rregulloreve çdo agjent i tokenit digjital, TD duhet të vërtetojë se ka një kapital fillestar minimal prej 18 milionë lekë në dispozicion përmes një dokumenti të lëshuar në një nga bankat e nivelit të dytë në vend. Së bashku me këtë dokument, subjekti duhet të bashkëngjisë edhe aplikimin për marrjen e licencës nga AMF.
Më e lartë është vlera e kapitalit fillestar minimal të bursës DLT ku mund të listohen apo tregtohen tokenë digjitalë të shërbimeve, pagesave apo aseteve që ndahet në disa kategori që licencohet nga AMF dhe AKSHI.
Për kategorinë A përllogaritet në 20 milionë lekë, për kategorinë B kapitali fillestar duhet të jetë 60 milionë lekë si dhe për kategorinë C vlera e tij arrin në 90 milionë lekë. Ndërsa për kujdestarin e portofolit të palëve të treta që është person juridik që ofron shërbime të ruajtjes së kujdestarisë së çelësave kriptografikë privatë për llogari të klientëve në rregullore propozohet një kapital fillestar prej 18 milionë lekë me licencë të miratuar nga Autoriteti dhe AKSHI.
LEXO: Bitcoin si para zyrtare, a është vendimi i El Salvadorit një mashtrim i kushtueshëm?
Sipas AMF-së, subjektet që ushtrojnë veprimtari në këto fusha si agjentë TD, bursë DLT dhe kujdestar i portofolit të palëve të treta mund të mbulojnë përgjegjësinë e tyre profesionale përmes një police sigurimi që duhet të përfshijë mbulimin kundrejt rrezikut të humbjes së dokumenteve, paraqitjes së informacioneve të rreme, humbjet që vijnë nga ndërprerja e veprimtarisë së shoqërisë apo dëmtimet e sistemit.
Publikimi i këtyre draft rregulloreve plotëson pjesërisht kuadrin ligjor të ligjit “për tregjet financiare të mbështetura në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, pasi një pjesë të akteve nënligjore do të plotësohen nga Këshilli i Ministrave për ta bërë kështu ligjin të zbatueshëm.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.