Start-Up City përmbyll edicionin e tretë dhe shpall idetë më të mira të biznesit nga të rinjtë - Business Magazine Albania

Start-Up City përmbyll edicionin e tretë dhe shpall idetë më të mira të biznesit nga të rinjtë

Start-Up City përmbylli edicionin e tij të tretë. 43 ide biznesi nga nxënës e studentë, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova garuan për çmimin e parë 2500 euro, por edhe për shumë çmime të tjera.  

Çmimi i parë u fitua nga TBot, ekipi i formuar nga Arbër Bega, Leonor Caka dhe Uranik Kallaba dhe do të shpërblehet me 2500 euro. Çmimi i dytë u fitua nga Xhenson Çela me idenë Romix dhe do të shpërblehet 1000 euro, ndërsa ekipi i vendit të tretë Endrit Ameti, Arianit Selmani dhe Erjon Ameti kishin idenë BioTech Agriculture që do të suportohet nga Metropolitan Incubator me mentorim të vazhdueshëm. 

Gjithashtu ideja Parklik u vlerësua si Start-Upi më Inovator, nga Grasjela Qyli dhe Marjana Banaj; Start-Upi më i mirë në Teknologji u vlerësua IntellDrive App nga Megi Kurti dhe Çmimi i Sipërmarrësit u fitua nga Klaudio Lushka dhe Igli Kodra me idenë ShkruajShqip.Al, të cilët përfituan bursë të plotë studimi në Universitetin Metropolitan Tirana. 

Lexo: Një platformë e posaçme për aksesin në financa

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, i ftuar ishte Ministri për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, i cili gjithashtu ka qenë anëtar i jurisë së këtij edicioni të Start-Up City, organizuar nga Universiteti Metropolitan Tirana dhe Metropolitan Incubator, së bashku me Fakultetin e Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. 

“Kemi arritur të ndërtojmë një draft-ligj që hedh themele të shëndosha për të filluar e për të ngritur një ekosistem, që do të lejojë talentet e reja, njerëzit me ide, kreativë, të funksionojnë në mënyrë sa më efektive. Kam qenë edhe më parë në Universitetin Metropolitan ku jam njohur me ekipin e përkushtuar, të cilët bëjnë një punë shumë të mirë me të rinjtë. Ky është një event i rëndësishëm dhe shumë motivues për të rinjtë”,- u shpreh ndër të tjera z. Shalsi. 

Juria e përbërë nga ekspertë të fushës dhe nga sipërmarrës të suksesshëm, vlerësoi idetë mbi bazën e disa kritereve si ideja e biznesit, inovacioni, analiza financiare, studimi i tregut, si edhe realizueshmëria, ndërsa numri i lartë i aplikimeve tregon që Start-Up City është kthyer në një markë të besueshme ku të rinjtë duan të konkurrojnë dhe të promovohen. 

Presidenti i Universitetit Metropolitan Tirana, Ing. Arjan Çukaj foli për nismat e vazhdueshme të universitetit dhe partnerëve të tjerë në mbështetje të të rinjve dhe nxitjes së ideve të biznesit. 

“Vlerësuam me shumë profesionalizëm idetë më të mira. Emocionet kanë qenë të shumta, ishte surprizuese të kishim edhe 16-vjeçarë të cilët sollën para jurisë shumë ide interesante. Procesi i vlerësimit zgjati deri vonë, ndaj kjo tregon edhe seriozitetin e këtij eventi. Ne sot ndihemi krenar që Universiteti Metropolitan Tirana vijon t’i përmbahet vizionit, të përgatisë të rinj sa më të aftë për tregun e punës por duke nxitur edhe sipërmarrjen. Jo më kot jemi ne universiteti i parë që krijuam Metropolitan Incubator, një incubator brenda një universiteti. Jemi krenarë për rezultatet dhe rastet e suksesit që kemi. UMT është i fokusuar vazhdimisht në këtë drejtim dhe nuk ndalet këtu”,- u shpreh z. Çukaj. 

Zj. Jonila Janku, drejtuese e Departamentit të Marketingut në OTP Bank Albania iu drejtua me një fjalë motivuese të rinjve. Ajo u shpreh se asnjë ide nuk shkon dëm, pasi gjithmonë do të ketë një sipërmarrje apo investitor që pret për ta implementuar atë. 

Lexo: “Creative Business Cup Albanian 2021” – Thirrje për aplikime!

“Asnjë ide nuk shkon kot, nuk ka humbje. Gjithmonë ekziston dikush që pret që idenë ta marrë dhe ta implementojë. Mesazhi që dua të përcjell është mos kufizoni mendimet, mos i vini barriera vetes përpara se vetë sfidat të dalin. Përpiquni të mendoni ndryshe nga dje, mos prisni që një ditë të gjeni ndryshime në veten tuaj, ato duhet t’i bëni ju”,- u shpreh zj. Jonila Janku. 

Anëtar i jurisë në këtë edicion të tretë të Start-Up City 3 ishte z. Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm i Fondit të Pensioneve Vullnetare Sigal. “Ndihem shumë i kënaqur sepse shoh te studentët një energji, një dëshirë për të krijuar. Është shumë e rëndësishme të jeni mendjehapur, të diskutoni çdo lloj ideje”,- tha ndër të tjera z. Ponari. 

Fituesit e Start-Up City 2 në vitin 2019, Concept Marketing, tashmë operojnë suksesshëm në treg dhe treguan eksperiencën e tyre përgjatë kësaj kohe. 

“Ne kishim nevojë për zyra, kishim nevojë për pajisje. Në këtë moment na erdhi një propozim për Metropolitan Incubator për të përdorur zyrat e tyre, në një bashkëpunim që zgjati një vit. Gjatë kësaj kohe u konsoliduam dhe arritëm të merrnim zyrat tona. Sot Concept Marketing ka 2 vite në treg, faleminderit atyre që na kanë mbështetur”,- tha Endri Nasufi, një ndër themeluesit dhe ish-student i Universitetit Metropolitan Tirana. 

Juria në këtë edicion të tretë të Start-Up City përbëhej nga Eduard Shalsi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Jonila Janku, Marketing Department Manager në OTP Bank Albania, Arjan Çukaj, President i Universitetit Universiteti Metropolitan Tirana, Elvis Ponari, CEO i Fondi i Pensioneve Vullnetare SIGAL, Ardita Seknaj, Sekretare e Përgjithshme e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë dhe Ardiola Alikaj, Menaxhere Projektesh në Partners Albania. Ky event u mbështet nga OTP Bank Albania, Fondi Sigal, Metro Design dhe partner mediatik Business Magazine. 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0