Virologu australian, Sir Frank Macfarlane Burnet deklaroi në vitin 1962 se një nga revolucionet më të rëndësishme shoqërore në histori ishte “eliminimi në dukje” i sëmundjeve infektive. Barnet fitoi çmimin Nobel për Mjekësi. Ai ishte një njeri i shkëlqyer, por e kishte gabim.
Covid-19, është ndoshta koronavirusi i tretë që ka kaluar nga lakuriqët e natës tek njerëzit që nga viti 2002. Sindroma e Rëndë e Frymëmarrjes Akute, vrau të paktën 774 njerëz pasi u shfaq në provincën Guangdong të Kinës, dhe me shumë gjasa origjinën e kishte sërish tek lakuriqët e natës, para se të përhapej tek njerëzit nëpërmjet maceve.
Në vitin 2012, Sindroma e Frymëmarrjes e Lindjes së Mesme, e identifikuar për herë të parë në Arabinë Saudite, u përhap tek njerëzit nga lakuriqët e natës përmes deveve. Midis viteve 1940-2004, tek njerëzit u shfaqën mbi 335 sëmundje të reja infektive, me 60 për qind të tyre që kaluan nga kafshët tek njerëzit.
Dhe 72 për qind e tyre erdhën nga kafshët e egra. Në vitin 1962, ishte e lehtë të besohej se Barnet kishte të drejtë. Në shekullin XIX-të, ushqimi më i mirë, shtëpitë pa minj, uji i pastër dhe sistemet e kanalizimeve, kishin kufizuar në mënyrë dramatike sëmundjet infektive. Në kohën e parashikimit të Barnet, antibiotikët dhe vaksinat kishin bërë mrekulli të mëtejshme. Brenda 2 dekadave, do të eliminohej sëmundja e rrezikshme e lisë, ndërsa ajo e poliomieliti do të zhdukej plotësisht në vendet më të përparuara.
LEXO: Një udhëzues i zakontë për pandemitë dhe viruset, kryesisht për nënat
Por Barnet nuk e kishte marrë dhe aq në konsideratë atë që mund ta quajmë paradoksin e progresit. Për çdo përparim njerëzor, nga shpejtësia e udhëtimit tek zhvillimi intensiv i bujqësisë, ekzistojnë shumë rreziqe të fshehura. Janë pikërisht të njëjtët faktorë që na lejojnë të krijojmë teprica ushqimore dhe vaksina mARN, ato që na ekspozojnë ndaj rrezikut të pandemive edhe më të këqija sesa ajo që po përjetojmë tani. Sa më shumë që njerëzit e fusin botën në çekuilibër, përmes shpyllëzimeve masive, shkatërrimit të biodiversitetit dhe rritjes së temperaturës globale, aq më shumë kërcënim do të paraqesin patogjenët për ne. Shihni se çfarë po ndodh me bujqësinë.
Qytetërimi njerëzor siç e njohim sot, nuk do të ishte i mundur nëse mbledhësit-gjuetarë nuk do të ishin vendosur nëpër fshatra. Por ato kushte, ishin gjithashtu ideale që patogjenët të kapërcenin nga kafshët e zbutura tek njerëzit. Gripi mund të ketë evoluar nga gripi i shpendëve, ndërsa fruthi ka ardhur nga virusi që dëmton në masë bagëtitë.
LEXO: Mësimet nga një vit pandemi
Tani shumë prej nesh jetojnë në megaqytete të dendura, që janë të përsosura për shkëmbimin e njohurive, por po aq edhe për përhapjen e patogjenëve. Teknikat më të mira bujqësore, i dhanë mundësi njerëzve që të rrisin rendimentet e të korrave dhe të ushqejnë një specie gjithnjë e më të shfrenuar. Në kundërshtim me atë që parashikoi dikur Thomas Maltus, numri i njerëzve në botë është rritur nga 900 milionë në kohën kur ai nisi të vendoste kufijtë e popullsisë njerëzore në fillimin e shekullit XIX-të në 7.8 miliardë sot. Tani, vetëm disa gjitarë, përfshirë bagëtitë dhe minjtë, janë më të shumtë se ne në numër. Ky sukses i përsëritur e ka një dobësi. Nga këndvështrimi i parazitit, çfarë strategjie është më e mirë sesa infektimi i njerëzve? Sipas Pol dhe Ana Erlih, që paralajmëruan mbi “bombën demografike“ më shumë se 50 vjet më parë, depërtimi tek Homo sapiens do të thotë “fitimi i çmimit të parë”.
Një faktor tjetër rreziku, është shkatërrimi i nxitur nga njerëzit. Ndërsa vendbanimet po zhvendosen më pranë pyjeve dhe jetës së egër brenda tyre, patogjenët kanë sot më shumë të ngjarë të kalojnë nga specia në specie. Sëmundja e Marburgut dhe HIV-i, (një virus që ka vrarë deri tani rreth 33 milionë njerëz), erdhën nga majmunët. Sëmundjet zoonotike nuk janë të kufizuara vetëm në vendet tropikale. Përhapja e popullatave urbane të Amerikës në periferi, krijoi kushtet, në të cilat sëmundja Lyme, një sëmundje potencialisht dobësuese, mund të përhapet nga rriqrat tek njerëzit.
LEXO: Murtaja që do të shkatërrojë njerëzimin
Ndryshimi i klimës po e ndryshon diapazonin, në të cilin mund të mbijetojnë vektorët e mundshëm të sëmundjeve. Shpejtësia është e shumë e dashur edhe nga patogjenët. Pandemia e tretë e murtajës bubonike, mund të ishte kufizuar vetëm në Kinën Jugore, po të mos kishte mbërritur në portet e Kantonit dhe Hong Kongut në vitin 1894. Anijet me avull e transportuan sëmundjen në portet e mëdha të botës, duke vrarë më shumë se 10 milion njerëz. Edhe avionët janë përhapës të shpejtë të patogjenëve. Sot, një sëmundje e re mund të kalojë nga kafsha tek njeriu në Amerikën Latine, Afrikën Qendrore ose Azinë Juglindore, dhe të jetë kudo në botë brenda pak orësh.
Pjesa më e madhe e asaj që duhet të bëjnë njerëzit është e qartë. Ne duhet të ndalojmë tregtimin e specieve ekzotike, sidomos nëse ato përfundojnë në tryezën e darkës. Ne duhet të rregullojmë në mënyrë rigoroze tregjet ku shiten kafshët. Ndërkohë, duhet të ndalojmë së mbarështuari vjedullat dhe kafshë të tjera për lesh.
Ne duhet të investojmë mbi sisteme të paralajmërimit të hershëm, në mënyrë që shpërthimet epidemike të sëmundjeve kudo, të mund të zbulohen dhe kontrollohen shpejt. Ne duhet të investojmë mbi platformat e vaksinave dhe kapacitetin e prodhimit të tyre, në mënyrë që epidemitë që shfaqen të mund të neutralizohen shpejt. Mbi të gjitha, ne duhet të ndalojmë shkatërrimin e natyrës, që po çliron forca patogjene, të cilat nuk mund t’i kontrollojmë dot.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.