Të hapësh apo jo një biznes familjar, kjo është çështja. - Business Magazine Albania

Të hapësh apo jo një biznes familjar, kjo është çështja.

Biznesi familjar

Sot, më shumë se asnjëherë, kushtet dhe rrethanat janë të favorshme për këdo që ëndërron të bëjë hapin e madh për në botën e biznesit. “Sipërmarrja” është termi më i lakuar në fushën e biznesit dhe mbart në vetvete forcën joshëse të rrezikut, të  resë, të ndryshimit dhe, më të rëndësishmes, të nevojës për pavarësi. Ama, sipërmarrja nuk vjen në një prerje – format e saj ndryshojnë vazhdimisht. Çdo sipërmarrës duhet të jetë në gjendje të kuptojë se cila formë sipërmarrjeje i përshtatet më shumë për t’i garantuar sukses.  

Biznesi apo sipërmarrja familjare është një ndër format më të hershme të  bërit biznes. 
Profesor William O’Hara, ekspert i fushës do ta cekte mrekullisht këtë gjë duke thënë: “Përpara se të ekzistonin korporatat ndërkombëtare, revolucioni industrial, Greqia e lashtë dhe Perandoria Romake, ekzistonte biznesi familjar.” 

Ndaj, ka ardhur momenti të vlerësoni nëse sipërmarrja familjare është ajo që ju duhet për të ndërtuar të ardhmen tuaj profesionale dhe, siç mund të jetë e kuptueshme, atë familjare.  Le ta fillojmë nga pyetja më e lehtë:

 

Përse nuk duhet të hapni një biznes familjar?  

 

  • Gjithçka, ose pothuajse gjithçka, varet nga ju.  

Ju jeni krijuesi dhe zbatuesi i idesë së biznesit. Vështrimet dhe reflektorët janë të gjithë të përqendruar mbi ju – si në sukses, e veçanërisht në dështim.  

  • Jeta personale dhe ajo profesionale nuk do të kenë më dallim.

Gjasat janë që ju të mos arrini ta ndani plotësisht jetën personale me atë profesionale. Problemet e punës merren me vetë në shtëpi dhe problemet e shtëpisë në punë. Nëse mendoni që kjo situatë mund të bëhet e papërballueshme për ju apo nuk do të arrini të krijoni gjithsesi ekuilibrat e nevojshëm, atëherë më mirë të qëndroni larg biznesit familjar.  

  • Bagazhi emocional i marrëdhënieve ekzistuese është gjithmonë gati për sulm.  

Marrëdhëniet familjare krijohen që në momentin tonë të lindjes, me dinamika nga më komplekset. Biznesi dhe presioni që mund të shkaktojë te pjesëtarët e familjes të përfshirë në të, do të nxjerrin në pah anë të harruara apo të panjohura të tyre. Kjo mund të cenojë cilësinë e angazhimit të tyre në punë dhe deri në vetë jetëgjatësinë e biznesit.  

  • Dështimi apo vështirësitë financiare mund të cenojnë marrëdhëniet familjare. 

Kur gjithçka shkon mirë, familjarët janë të gjindshëm dhe të përfshirë. Problemet lindin kur kompania vihet në vështirësi ekonomike dhe kjo krizë ndikon në mirëqenien ekonomike të familjarëve tuaj, të cilët, në një farë mënyrë ndryshe prej punonjësve jo familjarë, do t’ju fajësojnë plotësisht për gjendjen e tyre financiare.  

  • Pozicioni i “privilegjuar”, performanca dhe ndikimi te punonjësit jo familjarë janë faktorë që nuk mund të lihen jashtë vëmendjes.  

Disa familjarë mendojnë se kanë të drejtë të jenë më të përfshirë në çështjet që nuk i përkasin një punonjësi falë lidhjes familjare. Në anën tjetër, performanca e tyre mund të ndikohet nga mendimi se nuk janë të detyruar të ndjekin rregullat, të respektojnë afatet dhe të dëgjojnë të vërtetën t’u thuhet në sy ashtu si të tjerëve. Si pasojë, punonjësit e tjerë do të mund të ndiejnë një lloj parehatie, duke u ndierë të pavlerësuar dhe mund të krijojnë bindjen se, sado të angazhohen, pozicionet më të mira në kompani do t’i zënë, gjithsesi, pjesëtarët e familjes.  

 

Por, nëse mendoni se vështirësitë e mësipërme janë të kapërcyeshme, le të përqëndrohemi tek arsyet që e bëjnë biznesin familjar zgjedhjen e duhur për ju.

 

Përse duhet të hapni një biznes familjar?  

 

  • Gjithçka, ose pothuajse gjithçka, varet nga ju. 

Më në fund, ideja që ju rri si çekan mbi kokë mund të realizohet. Ju keni largpamësinë për të pasur një vizion dhe vullnetin për të ndërtuar një biznes, i cili do të kthehet në bazën e një familjeje sipërmarrësish. Ky biznes do të sigurojë jetesën e familjes suaj dhe të ardhmen e saj, përmes mundësisë për t’u trashëguar brez pas brezi. Kjo trashëgimi i përket atyre dhe historisë ekonomike të vendit tuaj. 

  • Të gjithë për një qëllim.  

Të punosh dhe të ndërtosh një biznes familjar do të thotë që besimi i ndërsjellë është shumë më i madh se me këdo tjetër, komunikimi është më i lehtë sepse bazat e njohjes janë më të forta dhe qëllimi i përbashkët është i motivuar nga dëshira për të pasur të gjithë mirëqenie në familje.  

Kjo do të thotë që pjesëtarët e familjes janë më të predispozuar t’i përkushtohen masivisht biznesit të tyre, duke e lidhur suksesin e biznesit me suksesin e tyre personal. 
Nëse arrihet që pjesëtarët të vendosen në pozicione që i përshtaten në mënyrën më të mirë të mundshme potencialeve dhe talenteve të tyre, procesi i vendimmarrjes dhe i zbatimit të këtyre vendimeve kërkon shumë më pak kohë.  

  •  Një kasafortë e çmuar e bagazhit intelektual, përvojës praktike dhe arritjeve të biznesit.  

Të ashtuquajturat “sekrete” te bizneseve familjare joshin çdo mendje kureshtare të fushës. Pas tyre fshihen arsyet e suksesit dhe veçanërisht jetëgjatësisë së bizneseve familjare – e cila mund të shkojë me shekuj mbrapa në kohë. Kur familja shpërndahet, potenciali për atë sinergji tipike vetëm për llojin e bizneseve familjare, zhbëhet dhe humbet. 
Kjo kasafortë e çmuar, e përdorur siç duhet, nuk përbën vlerë vetëm për familjen e përfshirë në biznes, por për të gjithë individët, komunitetet dhe çdo aktor interesi që ka të bëjë me kompaninë, në mënyrë të drejtë për drejtë ose jo.  

  •  Ju keni nën kontroll kohën tuaj – pra, jetën tuaj. 

Nuk është e lehtë të menaxhosh kohën, por biznesi familjar ju detyron të vishni role që as nuk i keni ëndërruar ndonjëherë. Nëse brenda jush ekziston një farë e mbjellë prej sipërmarrësi, biznesi familjar është sfida që do ta detyrojë atë të çelë e të rritët në mënyrë të papërshkrueshme. Disa nga ju do të bëhen lider të vërtetë, me aftësi të shkëlqyera për të drejtuar dhe menaxhuar një sistem kompleks siç është një sipërmarrje familjare. Ju do të jeni aq të ngarkuar dhe të përfshirë sa koha do t’ju rrëshkasë vazhdimisht nga duart, derisa ta mësoni vlerën e saj dhe nevojën për ta pasur atë nën kontroll.  

Për këtë arsye, do të filloni të krijoni struktura, të vendosni qëllime, të ndiqni plane dhe të kërkoni e të jepni llogari – të gjitha aftësi pa të cilat nuk do të mund ta drejtoni dot një biznes dhe që ju lejojnë të përdorni kohën në mënyrë efektive, të krijoni një balancë të arsyeshme midis jetës profesionale dhe familjare e të merrni nën kontroll jetën tuaj, si lideri i një familjeje dhe i një biznesi familjar.  

 

Ky artikull është i pari i një cikli shkrimesh për biznesin familjar dhe dinamikat  e tij. 

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0