Skadali WIRECARD: mashtrimi me një dëm prej 3.5 miliardë Eurosh - Business Magazine Albania

Skadali WIRECARD: mashtrimi me një dëm prej 3.5 miliardë Eurosh

E themeluar në vitin 1999, Wirecard ofronte shërbime të transaksioneve e të pagesave elektronike dhe manaxhimin e kartave fizike dhe virtuale në të gjitha kontinentet. Në kulmin e shkëlqimit të saj, kompania u vlerësua në 28 miliardë dollar, por pothuajse 6 muaj më parë, me 25 Qershor 2020, gjigandi i shërbimeve financiare me një reputacion të diskutueshëm, Wirecard deklaroi falimentimin në Gjermani.

Sipas një burimi të Reuters , Wirecard falsifikoi të dhënat për dy të tretat e shitjeve të saj, duke nënkuptuar që kompania nuk do të ishte në gjendje të shlyente të gjitha borxhet e saja dhe ajo do të përballej me sfida dhe probleme të shumta ligjore. Detyrimi i Wirecard ndaj kreditorëve të saj arrin shifrën e rreth 3.5 miliardë euro, nga të cilat 1.75 miliardë euro janë detyrime ndaj 15 bankave dhe 500 milion euro janë detyrime që vijnë nga emetimi i bonove.

Fillimisht drejtuesit e kompanisë u munduan të bisedonin me kreditorët lidhur me mundësinë e likuidimit të borxhit të saj prej 3.5 miliardë euro, por më pas kompania u tërhoq nga bisedimet “për shkak të falimentimit të pashmangshëm dhe mbingarkesës së borxhit”.

Markus Braun

Skandali, i cili është rezultat i hetimeve të bëra, mendohet të jetë mundësisht më i madhi në Gjermani, që nga skandali i Volkswagenit ‘Dieselgate’ në vitin 2015 dhe skandali i korrupsionit të Siemens gjatë fundit të viteve 2000, dhe gjerësisht po emërtohet si skandali “Enron i Gjermanisë” – duke ju referuar mashtrimit me pasqyrat financiare të bërë nga kompania amerikane e energjisë Enron në vitin 2011.

Si lindi mashtrimi Wirecard?

Për shumë vite, ka patur ankesa për parregullsi në kontabilitetin e Wirecard, por ishte fillimisht Financial Times që në vitin 2019 publikoi një serë hetimesh të bëra lidhur me këto pretendime, nga të cilat rezultoi se kompania kishte falsifikuar transaksionet e saj të shitjes për të rritur të ardhurat dhe fitimet. Asokohe, Wirecard në tentativë për t’u mbrojtur ndaj sulmeve, ngriti një padi ndaj Financial Times.

Më vonë në vitin 2019, firma e njohur e auditimit KPMG u thirr si auditues i jashtëm për të të ndërmarrë një hetim të pavarur të shoqërisë. Në muajin Prill 2020, KPMG lëshon bombën e radhës duke deklaruar se ajo nuk ishte në gjendje të verifikonte në zërat financiar të Wirecard vlerën prej 1 miliard eurosh dhe nuk ishte në gjendje të gjurmonte shuma të mëdha pagesash. Gjetjet nga auditimi i KPMG rezultuan dhe në shkarkimin e CEO-s të Wirecard, Markus Braun.

Në qershor të vitit 2020, firma audituese EY, audituesi i Wirecard për më shumë se një dekadë, refuzoi të nënshkruajë pasqyrat financiare të kompanisë në vitin 2019, duke thënë se kompanisë i ishin dhënë informacione të rreme në lidhje me llogaritë e kompanisë dhe nuk mund të konfirmonte vlerën 1.9 miliardë euro në llogaritë Wirecard.

Wirecard këmbënguli se paratë e humbura ishin transferuar në dy banka në Filipine – një pretendim që u hodh poshtë jo vetëm nga bankat në Filipine por edhe nga banka qendrore Gjermanisë, e cila deklaroi se paratë nuk kishin hyrë kurrë në sistemin e saj monetar.

Më 19 Qershor, Braun dha dorëheqjen, dhe tre ditë më vonë, kompania pranoi që me shumë mundësi vlera prej 1.9 miliardë euro nuk ekzistonte. Autoritetet gjermane arrestuan Braun në 23 Qershor dhe në po atë ditë, Wirecard aplikoi për fillimin e procesit të falimentimit si pasoje e paaftësisë paguese, pasi bisedimet me kreditorët dështuan.

Pas njoftimit të falimentimit, EY tha se kishte “indikacione të qarta” të “një mashtrimi të hollësishëm dhe të sofistikuar që përfshin palë të shumta në të gjithë botën”, duke shtuar, “edhe procedurat më të forta dhe të zgjeruara të auditimit nuk mund të zbulojnë një mashtrim të tillë”.

 Reagimet e tregut financiar pas skandalit

Skandali ka shkaktuar zemërim të konsiderueshëm publik dhe ka thirrje për aplikimin e rregullave më të rrepta për këto kompani. “Nëse nevojiten masa ligjore dhe rregullatore, ne do t’i ndërmarrim ato dhe do t’i zbatojmë ato”, tha Ministri gjerman i Financave Olaf Scholz. “Një skandal si Wirecard është një kambanë zgjimi dhe ne kemi nevojë të ushtrojmë më shumë monitorim dhe mbikëqyrje sesa është ushtruar deri më sot”.

Kreu i autoritetit federal rregullator financiar të Gjermanisë BaFin, e ka quajtur gjithashtu skandalin e Wirecard një “katastrofë totale”. Vetë BaFin është përballur me kritika për trajtimin e çështjes, si dhe për ngritjen e një padie penale kundër dy gazetarëve të Financial Times.

Jan Marsalek

Firma e auditimit EY është gjithashtu duke u përballuar me një serë akuzash të publikut. Sipas Reuters, gjigandi i auditimit mund të përballet gjithashtu me një sërë padish gjyqësorë, e cila do të përfshinte padi sindikale nga kreditorët. Pavarësisht se rezulton se Wirecard ka çliruar EY nga kufizimet e konfidencialitetit, përsëri ajo këmbëngul se para të pranojë të dëshmojë në parlamentin Gjerman, duhen të merren masa paraprake ligjore për të parandaluar problemet potenciale ligjore për partnerët.

Lirimi nga detyrimet e konfidencialitetit nuk autorizohet si vendim I shumicës së anëtarëve të bordit drejtues të kompanisë, argumentoi EY, por ai jepet vetëm nga anëtarët individualë të bordit mbikëqyrës dhe bordit drejtues të cilët kanë porositur auditimin në vitin përkatës ose, përkatësisht, anëtarë e ish bordit drejtues. Për rrjedhojë, lirimi nga detyrimet e konfidencialitetit kërkon nënshkrimin e ish-COO të Wirecard Jan Marsalek, i cili u zhduk në kohën e falimentimit të kompanisë në qershor dhe është në listën e personave të arratisur më të kërkuar të Interpolit.

Ndërkohë sipas The Moscow Times, Jan Marsalek besohet të jetë fshehur në Rusi dhe është nën mbrojtjen e agjencisë së inteligjencës së vendit.

 

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0