Çdo vit, 8 Marsi duket se na rikthen para syve të njëjtën panoramë: mesazhe urimi dhe dedikimesh, festa me stafet, lule dhe diskutime për barazinë gjinore. Por përtej simbolikës, në ekonominë globale po konsolidohet një koncept që po ndryshon mënyrën se si analizohet zhvillimi ekonomik; e ashtuquajtura ”ekonomia SHE” (SHEconomy), ekonomia e grave. Termi nuk i referohet vetëm barazisë në vendin e punës. Ai përshkruan ndikimin gjithnjë e më të madh që gratë kanë në prodhimin ekonomik, sipërmarrje, konsum dhe vendimmarrje financiare.
Në vende si Shtetet e Bashkuara, gratë kontribuojnë me triliona dollarë në vit në PBB dhe janë vendimmarrëset kryesore në shumicën e blerjeve familjare. Në shumë ekonomi të zhvilluara, rritja e pjesëmarrjes së grave në biznes dhe punë ka qenë një nga faktorët kryesorë të përparimit ekonomik.
Por përtej statistikave globale, pyetja që lind natyrshëm është: ku qëndron Shqipëria në këtë realitet të ri ekonomik?
Në Shqipëri, pjesëmarrja e grave në ekonomi ka bërë progres të dukshëm në vitet e fundit. Gjithnjë e më shumë gra po drejtojnë biznese të vogla dhe të mesme, po hyjnë në sektorë si: teknologjia, shërbimet digjitale apo marketingu dhe po krijojnë startup-e në një ekosistem që po zhvillohet gradualisht.
Megjithatë, statistikat tregojnë se hendeku mbetet i dukshëm. Pjesëmarrja e grave në tregun e punës është ende më e ulët se ajo e burrave, ndërsa sipërmarrjet e drejtuara nga gra përballen shpesh me akses më të kufizuar në financim dhe kapital investimi.
Edhe pse numri i themelueseve është në rritje, investimet në bizneset e drejtuara nga gra mbeten të vogla krahasuar me ato të drejtuara nga burra, një fenomen që reflekton një trend global të financimit të kapitalit sipërmarrës.
Por paradoksi është se shumë studime ndërkombëtare tregojnë se kompanitë me diversitet më të madh gjinor performojnë më mirë financiarisht. Bordet drejtuese më të balancuara kanë tendencë të marrin vendime më të qëndrueshme dhe të menaxhojnë më mirë riskun.
Pikërisht për këtë arsye, gjithnjë e më shumë investitorë dhe kompani në botë po e shohin barazinë gjinore jo thjesht si çështje sociale, por si strategji ekonomike. Në Shqipëri, debati për rolin e grave në ekonomi shpesh mbetet i kufizuar në diskursin për barazi. Por realiteti është se çështja është shumë më e gjerë: ajo lidhet drejtpërdrejt me potencialin e pashfrytëzuar të ekonomisë shqiptare.
Nëse më shumë gra hyjnë në tregun e punës, nëse më shumë sipërmarrëse arrijnë të krijojnë dhe të rrisin bizneset e tyre dhe nëse më shumë profesioniste marrin role drejtuese, efekti nuk është vetëm social…është ekonomik. Rritet produktiviteti. Zgjerohen tregjet. Rritet inovacioni.
Në një moment kur Shqipëria po përpiqet të ndërtojë një ekonomi më konkurruese, më inovative dhe më të orientuar drejt sipërmarrjes(diktuar edhe nga planet dhe projeksionet për t’iu bashkuar familjes evropiane) SHEconomy nuk është thjesht një koncept global. Është një mundësi zhvillimi që ende nuk është shfrytëzuar plotësisht.
Prandaj, 8 Marsi nuk duhet të mbetet vetëm një ditë simbolike me mesazhe urimi dhe buqeta me lule. Duhet të jetë një moment reflektimi për mënyrën se si shoqëria dhe ekonomia shqiptare mund të krijojnë më shumë hapësira për gratë që të kontribuojnë, të drejtojnë dhe të ndërtojnë.
Fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një çështje barazie. Është një politikë zhvillimi ekonomik.
Një ekonomi që nuk përdor plotësisht potencialin e gjysmës së popullsisë së saj, në thelb, po kufizon vetë rritjen e saj.
SHEconomy nuk është vetëm ekonomi e grave. Është ekonomi më e fortë për të gjithë.
Opinion
Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull i përkasin autorit/es dhe nuk pasqyrojnë në asnjë mënyrë qëndrimin editorial të Business Magazine.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto