76% e të moshuarve në Shqipëri kanë nevojë për ndihmë, sociologu Gëzim Tushi: Vetmia është plaga më e madhe e moshës së tretë - Business Magazine Albania

76% e të moshuarve në Shqipëri kanë nevojë për ndihmë, sociologu Gëzim Tushi: Vetmia është plaga më e madhe e moshës së tretë

76% e të moshuarve në Shqipëri kanë nevojë për ndihmë, sociologu Gëzim Tushi: Vetmia është plaga më e madhe e moshës së tretë

Nga Eni Muça– Një raport i ri i UNDP mbi plakjen në Shqipëri ka nxjerrë në pah shifra që duhet të na bëjnë të reflektojmë thellë mbi të ardhmen tonë sociale. Sipas studimit, 76% e të moshuarve në Shqipëri kanë nevojë për ndihmë në aktivitetet e përditshme, një tregues i qartë se shoqëria po përballet me një proces plakjeje të shpejtë dhe me sfida të mëdha për kujdesin afatgjatë.
Në një intervistë për Business Magazine Albania, profesor Gëzim Tushi, studiues, politolog dhe sociolog i njohur shqiptar, gjithashtu edhe autor i librit “Mosha e Tretë”, analizon situatën dhe përcjell mesazhet e tij për institucionet dhe shoqërinë.

Nevoja për kujdes të personalizuar

“Shoqëria shqiptare po plaket me ritme të shpejta. Nga një popullsi e re, tashmë jemi ndër vendet me ritme më të larta të plakjes. Kjo nënkupton se shërbimet sociale duhet të rinovohen me forma më dinamike e komunitare.” Sipas z.Tushi, shifra 76% nuk është thjesht statistikë, por një “sirenë alarmi”: “Nevoja për ndihmë në aktivitetet e përditshme është një tregues i drejtpërdrejtë se duhet të rishikojmë format e kujdesit dhe të përqendrohemi te shërbimet mobile për të moshuarit që janë të vetmuar. Duhet të shkojmë tek ta, jo të presim që ata të vijnë tek ne.”

Lexo edhe: Shqiptarët po heqin dorë nga paraja fizike? Rriten veprimet me karta bankare

Pensionet: një sistem që nuk mjafton

Raporti evidenton se 95% e të moshuarve mbështeten tek pensionet, por shpesh ato nuk mbulojnë as minimumin jetik. Për rreth 510 mijë pensionistë me të ardhura nën 20 mijë lekë, situata është edhe më e vështirë. “Pensioni është e ardhura bazë e të moshuarve, por për shumicën është i pamjaftueshëm. Është një realitet i ashpër: shumë të moshuar jetojnë me më pak se minimumi jetik. Prandaj duhet një strategji e diferencuar, që të rritë gradualisht pensionet dhe të forcojë shërbimet komunitare.” Shqipëria ka kaluar nga modeli tradicional i familjes, ku kujdesi ndaj të moshuarve ishte i pakushtëzuar, drejt familjes moderne bërthamë. Emigrimi dhe shpërbërja e rrjetit familjar kanë krijuar një kategori të re sociale: “të moshuar të vetmuar dhe pa përkrahje”. “Emigracioni është faktori më i fortë që ka prodhuar një shtresë të re sociale, të moshuarit e vetmuar. Ky është një realitet i dhimbshëm që ka nevojë për politika të reja sociale, për modele të reja kujdesi, sepse familja nuk mund të mbajë më e vetme gjithë peshën.”

Ai propozon modele që janë testuar jashtë: “Nëse një i moshuar ka shtëpi ose prona, ato mund të administrohen nga shoqata apo institucione që në këmbim ofrojnë shërbime të personalizuara deri në fund të jetës. Kjo është një mënyrë për të siguruar dinjitet edhe kur nuk ka mbështetje nga familja.”Pse vetëm 1% përfitojnë nga qendrat rezidenciale? Aktualisht, Shqipëria ka vetëm 23 institucione rezidenciale që mbulojnë më pak se 1% të popullsisë mbi 65 vjeç. “Në kushtet e një shoqërie që plaket, është e patolerueshme të kemi kaq pak institucione rezidenciale. Duhet standard dhe vizion. Nuk mjafton të kemi disa qendra që funksionojnë si biznes privat. Nevojitet një sistem i integruar dhe me standarde humane.”

60% e të ardhurave për shëndetin: pasojë e rrezikshme

Shumë të moshuar shpenzojnë deri në 60% të të ardhurave për kujdes shëndetësor, ndërsa një pjesë e madhe jetojnë vetëm. “Vetmia është plaga më e madhe e moshës së tretë. Nuk është vetëm mungesë e një personi pranë, por një boshllëk emocional që dëmton seriozisht cilësinë e jetës dhe shëndetin.” Profesor Tushi nënvizon se problemet nuk lidhen vetëm me buxhetin e ulët, por edhe me mungesën e një strategjie të qartë: “Pushteti lokal është inekzistent në këtë drejtim. Askush nuk bën një diagnozë reale të nevojave të të moshuarve në territorin e tij. Pa këtë bazë, nuk mund të ofrosh shërbimet e duhura. Kjo është një plagë tjetër e sistemit tonë.”

Në librin e tij, z.Tushi thekson se kujdesi për të moshuarit është detyrim politik, moral dhe institucional: “Kujdesi për të moshuarit nuk është kurrë i tepërt. Është një detyrim i shoqërisë, i familjes dhe i shtetit. Nëse nuk veprojmë sot, nesër do të kemi një krizë sociale të thellë.”

Profesor Gëzim Tushi, si studiues, politolog dhe sociolog, ngre një thirrje të qartë: Shqipëria ka nevojë urgjente për një sistem të ri social dhe shëndetësor që u garanton të moshuarve dinjitet, siguri dhe jetë me cilësi.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0