75% rritje në Hungari, 61.6% në Rumani/ Si renditen Bullgaria, Greqia dhe Kroacia në garën e eCommerce - Business Magazine Albania

75% rritje në Hungari, 61.6% në Rumani/ Si renditen Bullgaria, Greqia dhe Kroacia në garën e eCommerce

eCommerce në Ballkan: rritje e vazhdueshme, por me ritme të ndryshme

Tregtia elektronike në Bullgari, Rumani, Greqi, Hungari dhe Kroaci ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025, por jo me të njëjtin ritëm në çdo treg. Këto janë disa nga gjetjet kryesore të studimit “Gjendja e eCommerce në Ballkan 2025”, realizuar përgjatë nëntë muajve gjatë vitit 2025 nga ekipi i Balkan eCommerce Summit. Studimi ofron një panoramë të detajuar mbi mënyrën se si operojnë bizneset online në këto pesë tregje të Europës Juglindore dhe jep pritshmëritë kryesore për vitin 2026.

Të pesë vendet, Hungaria, Rumania, Kroacia, Greqia dhe Bullgaria, kanë shënuar rritje të të ardhurave online në vitin 2025, por me diferenca të mëdha mes tyre. Bazuar në rritjen vjetore të të ardhurave (YoY) dhe në peshën që zë shitja online në totalin e xhiros, renditja për nga dinamika e përgjithshme e tregut është kjo:

Hungaria kryeson qartë për nga rritja
75% e bizneseve raportojnë rritje vjetore të të ardhurave online.
41.7% e tyre shesin 100% vetëm online, ndërsa edhe 12.5% të tjerë thonë se mbi gjysmën e të ardhurave e gjenerojnë nga eCommerce.
Ky kombinim i rritjes së lartë dhe i peshës së madhe të shitjeve online e vendos Hungarinë në krye të renditjes rajonale.

Rumania vjen menjëherë pas Hungarisë, si në rritje ashtu edhe në varësi nga kanalet online
61.6% raportojnë rritje vjetore të të ardhurave nga online.
34.6% janë biznese plotësisht online, ndërsa 23.1% gjenerojnë mbi 50% të xhiros nga eCommerce.
Rumania është në fazë zgjerimi të fortë, me një pjesë të konsiderueshme biznesesh që tashmë varen strukturalisht nga shitjet online.

Kroacia renditet në mes, me zhvillime pozitive por jo të njëtrajtshme
Rreth 60% raportojnë rritje vjetore të të ardhurave online.
Mbi 20% shesin vetëm online, ndërsa rreth 40% thonë se pjesa më e madhe e të ardhurave u vjen nga eCommerce.
Nga ana tjetër, afro 45% e bizneseve ende gjenerojnë më pak se 25% të xhiros nga online.
Kjo e bën Kroacinë një treg të polarizuar: disa biznese janë shumë të orientuara drejt online-it, ndërsa të tjerat ende mbështeten kryesisht në shitjet offline.

Lexo edhe:The Lobby Boy, nga kaosi i recepsionit, te një platformë që po ndryshon hotelerinë!

Në Greqi, rritja është më e moderuar, por sërish pozitive
52.8% raportojnë rritje vjetore të të ardhurave online.
Vetëm 15.1% operojnë plotësisht online, ndërsa 24.5% gjenerojnë mbi 50% të të ardhurave nga kanalet digjitale.
Për shumicën e bizneseve greke, eCommerce është i rëndësishëm, por jo burimi kryesor i të ardhurave.

Bullgaria mbyll renditjen me një profil më të përzier rritjeje, por me një segment të fortë biznesesh vetëm online
45.7% raportojnë rritje vjetore të të ardhurave online.
34.6% operojnë 100% online, ndërsa 19.7% të tjerë gjenerojnë mbi gjysmën e shitjeve nga eCommerce.
Edhe pse rritja nuk është aq e përhapur sa në Hungari apo Rumani, Bullgaria ka tashmë një bazë të fortë biznesesh plotësisht digjitale, që krijon potencial të mirë për zgjerim në të ardhmen.

Strategjitë mobile: rajoni mbetet “web-first”
Në të pesë tregjet, strategjia dominuese për përdoruesit mobile është faqja web e përshtatur për celular. Shumica e bizneseve mbështeten te faqet responsive për të shërbyer klientët në telefon. Aplikacionet mobile dhe PWA-të ekzistojnë, por përdoren vetëm nga një pakicë. Në asnjë vend, përvojat e avancuara mobile nuk janë ende standard. Dallimet mes tregjeve janë më shumë në nivel shkalle sesa në kategori. Sot, për klientët është më e rëndësishme shpejtësia e dorëzimit, cilësia e shërbimit dhe ofertat, sesa nëse kompania ka app apo thjesht një faqe web të optimizuar për mobile.

Shitjet ndërkufitare: ende kryesisht tregje vendase
Në të gjitha vendet, pjesa më e madhe e bizneseve shesin kryesisht brenda vendit. Në Greqi dhe Bullgari, mbi 40% e bizneseve nuk shesin fare jashtë vendit. Në Kroaci, Rumani dhe Hungari, shumica ose nuk kanë klientë nga jashtë, ose kanë më pak se 10% të klientëve ndërkombëtarë.
Një grup më i vogël biznesesh ka arritur të krijojë të ardhura më domethënëse nga jashtë, por këto mbeten përjashtim. Të dhënat tregojnë se zgjerimi rajonal dhe ndërkombëtar është më shumë një plan sesa një realitet i konsoliduar. Në Hungari dhe Rumani, ku rritja është më e lartë, ka edhe më shumë biznese që gjenerojnë të ardhura nga jashtë, sidomos ndër kompanitë më të mëdha. Në Greqi dhe Bullgari, ku eksportet janë më të ulëta, hasen më shpesh biznese me rritje më të ngadaltë.

Sfidat kryesore janë të njëjta në gjithë rajonin
Në të gjitha vendet, sfida kryesore mbetet gjetja e klientëve dhe marketingu. Logjistika dhe përmbushja e porosive vijnë në vend të dytë, veçanërisht për bizneset me volum më të madh. Pagesat, mashtrimet apo zgjedhja e teknologjisë përmenden më rrallë si pengesa kryesore, krahasuar me vështirësitë në rritjen e kërkesës dhe shkallëzimin operacional.

Pritshmëritë për 2026: rritje për të gjithë, por ambicie të ndryshme
Në Greqi dhe, deri diku, në Kroaci, shumica e bizneseve planifikojnë të fokusohen më shumë në tregun vendas. Në Bullgari, Rumani dhe Hungari, një pjesë më e madhe e bizneseve – sidomos ato më të mëdha – synojnë zgjerim rajonal ose europian krahas rritjes brenda vendit. Drejtimi është i njëjtë për të gjithë, por ritmi dhe ambicia e daljes jashtë vendit ndryshon nga tregu në treg.

“Ky studim tregon qartë se rajoni nuk po ecën me të njëjtin ritëm,” – thotë Nikola Ilchev PhD, autori kryesor i studimit dhe organizator i Balkan eCommerce Summit. “Në 2026, suksesi do të varet më pak nga gjeografia dhe më shumë nga sa mirë kompanitë përdorin marketingun, automatizimin dhe vendimmarrjen e bazuar në të dhëna.”

Studimi “State of eCommerce 2025” analizon pesë tregje të Ballkanit dhe mat treguesit kryesorë të rritjes, maturimit digjital dhe planeve për të ardhmen. Gjetjet e tij do të formësojnë temat kryesore të diskutimit në Balkan eCommerce Summit 2026.

Raporti i plotë është i disponueshëm për shkarkim online.
Lexuesit që duan të marrin pjesë në event mund të përfitojnë 15% zbritje në biletë me kodin promocional businessmag15.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0