5 këshilla për një biznes familjar që i reziston kohës - Business Magazine Albania

5 këshilla për një biznes familjar që i reziston kohës

këshilla për një biznes familjar

Nisja e një biznesi familjar mund të jetë një ndër vendimet më të mira që mund të bëni për veten dhe familjen tuaj. Gjatë këtyre dy viteve sfiduese në mbarë botën, biznesi familjar ka dëshmuar edhe një herë që ka kapacitetin t’u bëjë ballë goditjeve të njëpasnjëshme, falë forcës së paimagjinueshme që buron pikërisht nga lidhja e dyfishtë mes kolegëve-familjarë që e drejtojnë dhe punojnë për ta çuar atë para.

Qëllimet e përbashkëta, misioni unik, përkushtimi pa kushte, vlerat familjare dhe dëshira për mirëqenien e të gjithë anëtarëve të familjes janë vetëm disa karakteristika që e kthejnë këtë formë biznesi në një kështjellë të pathyeshme.

Çfarë duhet të keni parasysh si nismëtarë dhe themelues të një biznesi familjar që t’i siguroni jetëgjatësi ëndrrës, nismës dhe kompanisë suaj? Ja 5 sugjerime për t’u pasur parasysh nëse dëshironi të ndërtoni një biznes familjar që i reziston kohës:

1. Kuptoni natyrën komplekse të një sipërmarrje familjare
2. Menaxhoni dinamikat familjare
3. Mësoni të ndani financat e biznesit nga financat familjare
4. Siguroni gamën e aftësive të nevojshme për zhvillimin e biznesit
5. Filloni të mendoni dhe të planifikoni mënyrën e kalimit të biznesit tek pasardhësit tuaj


Le t’i zbulojmë më në detaj:

  • Kuptoni natyrën komplekse të një sipërmarrje familjare

Nëse jeni duke vlerësuar mundësinë për të nisur një biznes familjar që i reziston kohës, kushtojini pak kohë natyrës së kësaj forme organizimi biznesi. Krijoni një strukturë që ngrihet në bazë të vlerave dhe objektivave tuaja për të tashmen dhe duke pasur në mendje të ardhmen. Strukturimi duhet të jetë i tillë që me rritjen e kompanisë të lejojë përfshirjen e figurave profesionale që nuk vijnë vetëm nga familja apo nga lidhjet familjare. Gjeni mënyrat për të komunikuar vlerat dhe objektivat, të cilave u shërben kjo strukturë dhe sipërmarrje si tek pjesëtarët e familjes suaj, ashtu edhe tek punonjësit jo familjarë në biznesin tuaj.

Lexo: Kompania suedeze rivalizon Teslën. Prodhon baterinë e parë me litium në Europë: “Të bëhemi të pavarur nga Azia dhe Amerika”

  • Menaxhoni dinamikat familjare

Në një biznes familjar janë pikërisht dinamikat familjare që e shtyjnë atë drejt suksesit apo dështimit. Një drejtues duhet të jetë në gjendje të ndajë qartazi rolet dhe detyrat e gjithësecilit, duke u siguruar që pjesëtarët e familjes të trajtohen në mënyrë të njëjtë me të gjithë punonjësit e tjerë – pa i privilegjuar dhe pa i ndëshkuar pa meritë. Nëse themeluesit i një biznesi synojnë të zmadhojnë kompaninë, ata duhet të kuptojnë rëndësinë e përfshirjes në role drejtuese të profesionistëve të duhur për rolin e duhur. Kjo do të thotë se një pjesëtar i familjes nuk është detyrimisht personi që duhet të qëndrojë në këtë rol apo në role vendimmarrëse.

  • Mësoni të ndani financat e biznesit nga financat familjare

Rregullimi i raporteve me anë të një dokumenti zyrtar të pjesëtarëve të familjes që ushtrojnë profesionin e tyre për kompaninë, ku cilësohen nga detyrat deri te shpërblimi përkatës, ndihmon të shmangni mosmarrëveshje të panevojshme që mund të ndikojnë në mbarëvajtjen e punës suaj. Por kjo nuk mjafton. Themeluesit e një biznesi familjar duhet të vendosin edhe se si do ta shpërblejnë veten për punën e tyre. Këtu lind nevoja të kuptohet se të ardhurat e biznesit nuk janë të ardhurat personale të themeluesit, drejtuesit apo familjarëve të tjerë.

  • Siguroni gamën e aftësive të nevojshme për zhvillimin e biznesit

Strategjia më e mirë është përshtatja, veçanërisht në një botë dinamike si kjo ku jetojmë. Ndaj, një ndër detyrat që bëjmë më pak dhe që kërkon vëmendje të shtuar është identifikimi i personave që përbëjnë vlerë për kompaninë dhe mbështetja e tyre për t’u formuar me ato aftësi njerëzore, profesionale dhe teknike të nevojshme për kompaninë. Gjithashtu, një menaxhim më global i aftësive të nevojshme për realizimin me sukses të punëve në kompani është i nevojshëm për të mos rrezikuar një kolaps për arsye të mungesës së burimeve njerëzore të kualifikuara.

  • Filloni të mendoni dhe të planifikoni mënyrën e kalimit të biznesit tek pasardhësit tuaj

Nuk është asnjëherë vonë të filloni të mendoni për momentin kur do t’ju duhet të transferoni rolin tuaj drejtues tek pasardhësit. Kalimi i një biznesi familjar nga njëri brez tek tjetri nuk mund t’i lihet rastësisë. Historia ka treguar që vetëm 30% e bizneseve familjare arrijnë të kalojnë në brezin e dytë. Një numër edhe më i vogël (12%) ia dalin në të tretin dhe vetëm 3% në brezin e katërt. Pikërisht në këtë moment tranzicioni për kompaninë rrezikohet më shumë mbijetesa e saj, ndaj lind nevoja e një plani për ta bërë këtë transferim sa më pak të komplikuar dhe për të shmangur sa më shumë problemet gjatë kësaj faze sfiduese për biznesin dhe vetë familjen. Ky plan që mund të përmbajë nga ndarja e roleve drejtuese, menaxhimi dhe ndarja e aseteve, forma ligjore që do të ruhet etj., shërben edhe në rastet kur ky kalim bëhet me vullnetin e vetë themeluesit, por veçanërisht kur familja ndeshet me fatkeqësi të papritura, si humbja e jetës së drejtuesit apo themeluesit.


Ky artikull është pjesë e një cikli shkrimesh për biznesin familjar dhe dinamikat  e tij.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0