Gjatë jetës profesionale jo të gjithëve na përkon pasioni me atë çka bëjmë në përditshmërinë tonë për të përmbyllur “detyrat” brenda orarit të punës dhe përtej. Por, kjo nuk vlen në rastin e Driton Eminit, inxhinier dhe menaxher i suksesshëm në T-Mobile Austri prej dhjetë vitesh tashmë. Vite të shoqëruar plot sfida, e mbi të gjitha, secila prej tyre e mbushur me përkushtim dhe pasion si dita e parë.
Kur e takon Dritonin e gjen duke vrapuar korridoreve të kompanisë për të shkuar nga një cep në tjetrin, ku gjatë rrugës ndihmon, këshillon ata që e pyesin. Janë të shumtë studentët, të cilët janë frymëzuar prej tij, jo vetëm austriakë, por dhe nga Gjermania, Kosova, Shqipëria e vende të tjera të rajonit e më gjerë. Kështu e takuam dhe ne të Business Magazine ku pas cdo pyetjeje tonën dikush do e përshëndeste, do t’i kërkonte ndihmë e së fundi uronte pa fund për projektin e parë 5G në Europë.
Ky është edhe motivi që e takuam. Gjatë bisedës, me një shqipe të kujdesshme dhe pse tejet e vështirë për të në fushën e teknologjisë, është korrekt në atë çfarë flasim e mbi të gjitha shumë modest. Biseduam gjatë si miq të vjetër dhe po ndajmë me ju disa momente nga kjo bisedë, e cila përtej befasisë për çfarë kishte arritur, na bëri të ndihemi krenar pa fund për të.
I urojmë suksese në sfidat e rradhës: pregatitjen për Samitin Ballkanit të Dixhitalizimit, i cili do të mbahet në Beograd si dhe në konferencën ndërkombëtare në Marok (dedikuar kryesisht 5G-së dhe të ardhmes), ku Dritoni është një nder panelistët kryesor për të dhënë kontributin e tij si një ndër ekspertët më të kualifikuar në lidhje me gjeneratën e re 5G. Por, nuk mbaron këtu. Lajmi i mirë është se me ndikimin e Dritonit dhe palëve të tjera, ky samit vitin tjetër do të mbahet në Tiranë.
Si u gjendët në krye të ekipit, i cili realizoi projektin 5G?
Jo edhe aq rastësisht. Rrugëtimi ynë në T-Mobile Austria (pjesë e gjigantit të telekomunikacionit Deutsche Telekom) për t’i dhënë jetë projektit 5G, filloi në shkurt të vitit të kaluar. Teksa të gjithë flisnin për 5G në teori dhe kur standardi 3GPP (Organizata Botërore e Standarteve të Telefonisë) ishte në finalizimin e lëshimit të versionit të 15-të, propozova idenë e të dhënit jetë të diçkaje konkrete. Të mund t’i tregonim tregut nëpërmjet rasteve reale se çfarë do të sillte specifikisht kjo gjeneratë e re e telefonisë dhe ky standard i ri. Me përkrahjen e disa kolegëve nga Vjena, Bonn-i dhe Praga, realizuam një rrjet 5G në një qytet në Austri, Innsbruck, duke demonstruar nëpërmjet realitetit virtual një komandim në distancë të një droni. Kapacieti i përdorur në këtë rast ishte 2GB, çka më shtyn të theksoj faktin se transmetimet e kësaj kategorie kërkojnë kapacitete shumë të larta, kritere të cilat rrjetet aktuale 4G p.sh nuk i përmbushin dot. E gjitha kjo shkaktoi një reaksion të menjëhershëm dhe zgjoi shumë interes në industrinë tonë duke na renditur kështu si të parët që kishim komanduar një dron nëpërmjet 5G-së. Por, i gjithë ekipi nuk u mjaftua me kaq. Ne nuk do të ishim sot ata që jemi nëse nuk do të reshtnim së menduari se si do të mund të ofronim në treg këtë teknologji direkt konsumatorit fundor dhe jo vetëm demostrime. Falë vendimit të qeverisë austriake për lejimin e brezit të frekuencave 5G (3.4-3.8 GHz), menjëherë fillova të punoj më një ekip shumë të vogël për “misionin” 5G. Ishim të gjithë të dedikuar për këtë project, për të cilin patëm dhe një mbështetje të madhe nga qendra jonë (Bonn). Misioni ishte i qartë: të jemi të parët në Europe që t’ju ofrojmë konsumatorëve tanë shërbimin 5G. Ishim në garë të përditshme me dy operatorë në Zvicër, të cilët kishin potencial për të qënë të parët. Mendoj, është shumë me rëndësi në industrinë e telekomunikacionit të jesh krijues dhe pararendës i ideve të reja. Prezantimi (nëse do të mund ta përmblidhja kështu) i një teknologjie të re bëhet njëherë në 10 vite e unë pata rastin ta jetoj këtë. Kjo nuk do të ishte realizuar pa ekipin tim, të cilin gjej rast ta falenderoj për çdo ide që më kanë mbeshtetur.
A ka ndonjë sekret ecuria juaj profesionale?
Hmmm. Natyrisht se përkrahjen më të madhe e gjej në familje në Vjenë dhe Berlin, e cila shpesh herë gjatë ditës duhet të pajtohet me SMS-në e shkurtër nga unë: “Të thërrasë më vonë”. Është me rëndësi të jesh në momentin e duhur në vendin e duhur dhe me njerëzit e duhur. Bazë janë studimet në universitetin teknik në Berlin të përcjella me një eksperiencë në disa shtete të botës, dedikimi në punë, fati që rrethohem nga kolegë, të cilët përkrahin idetë e mia “të çmendura“ Të tjerat janë dedikim për punën, e së fundmi besimi që stafi drejtues i kompanisë ka pasur tek unë.
Nëse kryen një punë me sukses, njëkohësisht do të të besohet një përgjegjësi edhe më e madhe. Dhe kështu vazhdon. Ne ishim të parët që implementuam ALL IP në Radio Netëorks (department, të cilin e kam udhëhequr prej 6 viteve). Pastaj, projekti tjetër në bashkëpunim me hekurudhat e Austrisë (të parët dhe këtu në Europë), projekti i shtrirjes së rrjetit NB-IoT në Austri etj.
Kam udhëhequr shumë projekte, në të cilat kemi qënë advangardë në teknologji. Megjithatë, një sekret mund ta shpalos me juve: është pasioni për të dalë nga zona e rehatisë, gjithmonë në kërkim të sfidave të reja, ku bashkëudhetarë të mitë janë një ekip me diversitet shumë të lartë. Aktualisht drejtoj një ekip, i cili përbëhet prej 10 nacionaliteteve të ndryshme. Mendoj se ndërthurja e inovacionit dhe diversitetit në grup mundëson më shumë rezultat.
Na treguat se keni studiuar në Gjermani. Sa ka ndikuar edukimi juaj atje? A ua dedikoni studimeve suksesin tuaj të deritanishëm?
Sikurse përmenda dhe më herët baza është shkollimi në Gjermani (shkolla e mesme dhe Universiteti). Vatja në Berlin. Gjermania, për dikë që është rritur në një fshat të Gjilanit, në vetvete ishte një shok kulturor kur përballesh fillimisht. Gjithsecili nga ne që ikën në moshë të vogël jashtë vendit, e shoqëron gjithmonë ndjenja e përgjegjesisë për të bërë sa më shumë e të dedikohemi pa reshtur shumë më shumë se të tjerët për vetë faktin e thjeshtë se kjo mundësi nuk ishte e mundur aty ku kaluam fëmijërinë tonë. I jam mirënjohës shtetit gjerman, për mundësinë e shkollimit që më ofroi, për familjen time e për gjithë popullin Kosovar në kohërat më të vështira të historisë së re të njerëzimit. Por, suksesi në përgjithësi nuk varet vetëm nga një person. Unë jap ide se si të zhvillohemi dhe të jemi inovatorë, por ama suksesi është i të gjithë atyre që kontribuan për këto projekte.
Cilët kanë qënë mentorët që keni pasur gjatë karrierës suaj?
Kam pasur fatin të punoj me personalitete shumë largpamës. Një ndër ta është edhe Shefi i Divizionit Teknik në kompaninë ku punoj Dr. Rüdiger Köster (në largim e sipër) i cili na dha mua dhe kolegëve besimin për të ecur përpara duke na përkrahur për vite me rradhë. I jam mirënjohës për çka më besoi dhe çfarë arritëm të realizonim së bashku e mbi të gjitha humanitetin e tij si individ. Mandej janë kolegët në Bonn, në Pragë dhe Vjenë.
Të kthehemi tek 5G: Çfarë do të sjelle kjo teknologji e re për konsumatorin fundor? A përmbush kjo gjeneratë e re të gjitha nevojat e konsumatorëve sot dhe nesër?
Në gjykimin tim, 5G është një “drejtues“ i pashmangshëm i dixhitalizimit, i cili do të jetësojë atë që së fundi haset me termin Industria 4.0.Nga ana tjetër, nevoja për më shumë kapacitete do ta bëjë 5G-në shumë të nevojshme në përdorimin e përditshëm duke zevendësuar kështu rrjetet fikse të furnizimit me internet. Aplikacionet e reja do të gjejnë fushë përdorimi nëpërmjet 5G si: lëvizja autonome e makinave, operacionet e largëta ose kontrolli i dronëve ose të gjithë llojet e këtyre të fundit si në fushën e shpëtimit dhe kërkimit të njerëzve. Këto aplikacione aktualisht nuk janë ose janë vetëm pjesërisht të mundshme me 3G apo 4G. Në të ardhmen, makinat do të komunikojnë shumë më shumë me njëra-tjetrën dhe do të bëhen të ndërlidhura me rrjetin.
Cila ka qenë sfida më e madhe gjatë projektit që keni drejtuar?
Sigurisht që faktori kohë, pasi ishim në një garë me shumë operatorë të tjerë në Europë për të qënë të parët. Ishte projekt sekret, ku vetëm një numër i vogël njerëzish ishin në dijeni për planin kohor. Të tjerat ishin të natyrës teknike. P.sh, nuk kishim kohë të realizonim teste në laborator përpara se të ofronim shërbimin në kohë reale.
A do të kemi së shpejti 6G?
Nëse do të ktheheshim në kohë përsa i përket historisë së rrjeteve të telefonisë së lëvizshme, një gjeneratë e re është ofruar në treg çdo 8 apo 10 vjet. Duke u bazuar në atë se çfare 5G ofron në lidhje me kërkesat e dixhitalizimit të vendit dhe shoqërisë, mendoj se kjo gjeneratë e re i mbulon këto nevoja. Përsa i përket pjesës së marketingut një version i avancuar 5G apo 6G mund të ofrohet, por kjo mbetet për t’ia lënë kohës se çfarë do të na servirë në vitet në vazhdim. Ne opinionin tim 5G është një filozofi e re, e cila duhet të jetësohet. Edhe pse teknikisht ofrohet shumë, mbetet sfidë e radhës për të kuptuar se për cilat rastet konkrete konsumatori do të jetë i gatshëm të paguajë.
Nëse do t’ju kërkohet të jepni një këshillë të rinjve sot, cila do të jetë ajo?
Ndoshta të largohen për 2 orë në ditë nga telefonat e tyre dhe të lexojnë një libër, të dalin në natyrë apo edhe të takohen me shoqëri J.
Ndryshe, besoni në ëndrrën tuaj dhe punoni për atë. Jetojmë në një kohë (të ndërlidhur) kur dhe ku çdo gjë është e mundur, falë qasjes së shpejtë me informcionet e duhura.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.