4 gjërat që duhet të negocioni në çdo ofertë pune! - Business Magazine Albania

4 gjërat që duhet të negocioni në çdo ofertë pune!

Keni kaluar me sukses intervistën e punës dhe keni mbërritur në fazën e negociatave , momenti kur mund të kërkoni jo vetëm një pagë më të lartë, por edhe ndonjë vend parkimi të privilegjuar apo drekë falas çdo të premte. Edhe pse mund të duket e frikshme, negociata është thelbësore për të siguruar kompensimin dhe përfitimet që meritoni. Por përveç pagës, çfarë tjetër mund të kërkoni?

Sipas Jane Gerard, presidente e agjencisë së rekrutimit “Jane Gerard Executive Search” dhe eksperte me mbi 20 vite përvojë në këtë industri, gjithçka nis duke u sqaruar me veten. “Duhet të mendoni mirë se çfarë është më e rëndësishme për ju, çfarë vlerësoni më shumë, dhe të negocioni mbi këtë bazë,” – shpjegon ajo. Edhe nëse nuk i merrni të gjitha, të keni një listë prioritetesh dhe të hapni një bisedë të sinqertë me punëdhënësin mund të sjellë rezultate pozitive.

Ja katër gjëra përtej pagës që duhet të merrni parasysh në çdo negociatë pune:

1. Ditë pushimi shtesë

Përveç pagës, mund të negocioni edhe për ditë pushimi shtesë, veçanërisht nëse keni plane të paracaktuara për udhëtime apo angazhime familjare. “Le të themi që ju ofroj një pozicion me vetëm 15 ditë leje vjetore, por ju më thoni ‘Kam një udhëtim muajin tjetër, nuk do t’i kem ende ditët e fituara sepse sapo kam filluar punën’ – kjo është një situatë ku mund të kërkoni që këto ditë të miratohen dhe të paguhen që në fillim,” – thotë Gerard. Nëse keni një udhëtim të planifikuar dhe nuk e keni akumuluar ende kohën e pushimeve, kërkoni që ato ditë të llogariten që përpara fillimit të punës. Gerard këshillon të jeni transparentë: “Kam këto ditë të planifikuara për një dasmë ose një udhëtim familjar, dhe nuk mund t’i shtyj. Do të ishte e mundur që këto ditë të përfshihen si pjesë e paketës sime?”

Lexo edhe:Nga Instagram-i në dhomën e fëmijës, psikologu shqiptar ngre alarmin për ndikimin e LaBubu

2. Kompensimi për udhëtim

Nëse pozicioni juaj kërkon udhëtime të shpeshta, pagesë parkimi apo përdorim të transportit publik, mund të kërkoni rimbursim ose një shtesë për këto shpenzime. Në qytete si Los Angeles, parkimi është një kosto e konsiderueshme. Ndaj, mund të negocioni për një vend parkimi të paguar nga kompania ose për rimbursim. Ndërsa në qytete si New York, kompanitë ofrojnë fonde fleksibël për transport publik. “Varet nga rasti,” – thotë Gerard. “Nëse udhëtimi është përtej transportit ditor të zakonshëm, si metroja apo autobusi, kjo është diçka që mund të negociohet.” Ajo shton se edhe vendndodhja nuk duhet të jetë kufizuese. “Nëse jetoni në New York, ndoshta mund të punoni dy ditë në javë në Washington D.C. nëse jeni të gatshëm të udhëtoni. Kërkoni nëse kompania do të mbulojë një pjesë të kostos. S’ju kushton gjë të pyesni.”

3. Anëtarësimi në palestër

Nëse kompania nuk ofron një anëtarësi në palestër, mund të negocioni për këtë përfitim ose për ditë të dedikuara për mirëqenie. “Shumë kompani po ofrojnë katër ditë në vit që janë të dedikuara për mirëqenie,” – thotë Gerard. “Ju japin 100 dollarë për secilën ditë për të bërë çfarë të dëshironi,  të shkoni në muze, të bëni një masazh, etj.  dhe këto nuk llogariten në lejen tuaj të zakonshme.” Një tjetër përfitim në rritje është qasja në platforma si Wellhub – një version korporativ i aplikacionit ClassPass, që ofron qasje në palestra, klasa online dhe nutricionistë. “Kjo është një vlerë që mund ta negocioni si pjesë e marrëveshjes së punës.”

4. Shërbime për kafshët shtëpiake

Nëse jeni dashamirës i kafshëve, mund të kërkoni sigurim shëndetësor për to, kujdes ditor për qen apo edhe shërbime si ecje me qen. “Disa punonjës e kanë negociuar këtë, sidomos kur janë rikthyer në zyrë pas punës nga shtëpia gjatë pandemisë,” – thekson Gerard. “Këto janë kosto që ndoshta nuk mund t’i përballoni nëse ndryshon situata juaj e punës.”

Si të negocioni si profesionist

Gerard rekomandon të krijoni një tabelë Excel ku të rendisni të gjitha përfitimet që merrni aktualisht dhe çfarë ju ofron puna e re – përfshirë pagën, përfitimet, bonuset dhe kostot personale. “Krahasojini, shikoni se çfarë jeni duke paguar aktualisht dhe çfarë do të paguani në të ardhmen, dhe më pas vendosni se çfarë duhet të negocioni,” – këshillon ajo. Nëse kompania nuk mund të ofrojë një pagë më të lartë, mund të thoni: “E kuptoj që nuk mund të ofroni më shumë para, por a do të ishit të hapur për më shumë ditë pushimi?”
ose “A mund të kompensoni këtë pjesë me ndonjë përfitim tjetër?” Mënyra se si i parashtroni kërkesat është thelbësore. Duke analizuar qartë të dhënat, mund të negocioni me besim dhe të siguroni një marrëveshje që pasqyron nevojat dhe vlerat tuaja.

success

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0