Në një periudhë ku largimet nga puna janë pothuajse të përditshme dhe kompanitë po rrisin vazhdimisht standardet e eficiencës dhe performancës, është e lehtë të ndihesh sikur nuk po ia del.
John Morgan nga LHH i tha Business Insider se mesazhi kryesor për këdo që kërkon punë është i thjeshtë: ndryshimi i vendeve të punës është tashmë normalitet. “Njerëzit po largohen nga kompanitë, qoftë me dëshirë apo jo, dhe po kërkojnë diçka ndryshe,” tha Morgan, president për tranzicion karriere, mobilitet dhe zhvillim lidershipi në LHH. Qoftë nëse je pushuar nga puna, je larguar vetë apo je pjesë e një shkurtimeje kolektive, ekspertët thonë se duhet ta trajtosh situatën njësoj. Mënyra se si përfundoi puna jote e fundit nuk e përcakton karrierën tënde dhe as nuk duhet të të prishë shanset për të gjetur një rol të ri.
Business Insider foli me tre këshilltarë karriere dhe një avokate të së drejtës së punës për hapat më të mirë që duhen ndjekur pasi pushohesh nga puna.
1. Mos reagoni në moment
Të pushuarit nga puna shoqërohet shpesh me emocione të forta dhe reagimi impulsiv mund të të dëmtojë. Alan Stein, CEO i shërbimit të karrierës Kadima Careers, ka përjetuar disa herë largime nga puna dhe pranon se jo gjithmonë i ka menaxhuar si duhet. “Jam pushuar disa herë dhe kam thënë gjëra që nuk duhej,” tha Stein. Këshilla e tij kryesore është: largohu në mënyrë korrekte, edhe kur je i nervozuar. “Nuk duhet të djegësh ura. Industria është e vogël dhe karma ekziston,” shtoi ai.
Edhe Natalie Lemons, këshilltare për tranzicion karriere, sugjeron që njerëzit të marrin kohë për të lexuar dokumentacionin dhe marrëveshjet e kompensimit (severance), sidomos kur janë emocionalisht të ngarkuar.
2. Merr kohë për ta përpunuar, por jo shumë
Para se të nisësh kërkimin për një punë të re, është e rëndësishme të përpunosh humbjen e vendit të punës. “Shpesh, qoftë largim apo pushim nga puna, kalojmë pothuajse pesë fazat e zisë,” tha Stacey Perkins, trajnere karriere dhe lidershipi në Korn Ferry. Nëse largimi ka ardhur për shkak të sjelljes apo performancës, është e rëndësishme të reflektosh dhe të nxjerrësh mësime, në mënyrë që të mos i përsëritësh të njëjtat gabime në rolin tjetër.
Megjithatë, Perkins paralajmëron që reflektimi të mos kthehet në vetë-dënim të vazhdueshëm. “Nuk duhet të ngecim aty,” tha ajo, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes nga njerëz të afërt ose nga një këshilltar karriere. Stein sugjeron që kjo periudhë të ketë një kufi kohor të qartë. “Nëse nuk vendos një limit, do të vuash pafund derisa të fillosh të ecësh përpara,” tha ai. Sipas tij, rreth 30 ditë janë të mjaftueshme për të përpunuar situatën, më mirë një muaj sesa gjashtë, apo vetëm 45 minuta, siç kishte bërë ai vetë dikur.
Lexo edhe: Gjatë 2025 u instaluan mbi 1,400 bankomate të reja Bitcoin në mbarë botën
3. Krijo një plan konkret për kërkimin e punës
Pasi të kesh kaluar fazën emocionale, është koha për veprim. Kjo do të thotë: kërkim mundësish të reja, përditësim i LinkedIn-it, rishikim i CV-së dhe përshtatje me tregun aktual. Rrjeti profesional është më i rëndësishëm se kurrë, sidomos në një treg ku aplikimet me AI janë rritur ndjeshëm. Kontakti i drejtpërdrejtë dhe rekomandimet po bëhen faktorë kyç. Kjo periudhë mund të jetë gjithashtu një mundësi për ndryshim drejtimi në karrierë. Kur teknologjia po transformon tregun e punës, ndoshta është momenti i duhur për të ndjekur kurse, trajnime apo certifikime të reja.
4. Përgatitu si do të flasësh për largimin nga puna
Të qenit i pushuar nga puna nuk do të thotë se duhet ta mbash këtë si një “njollë” në intervista, por duhet të jesh i përgatitur për ta shpjeguar Amy Epstein Gluck, partnere themeluese dhe drejtuese e departamentit të punësimit në Pierson Ferdinand LLP, shpjegon se zakonisht kompanitë kufizohen në konfirmimin e datave të punës dhe pozicionit, dhe ndonjëherë nëse do ta ri-punësonin apo jo një ish-punonjës. Shumë kompani shmangin dhënien e detajeve negative për të mos u ekspozuar ndaj padive ligjore.
Edhe pse është pak e mundshme që ish-punëdhënësi të japë informacion negativ, ti duhet të kesh një përgjigje të qartë për intervistat. Nuk është ide e mirë të gënjesh, por as të hysh në shpjegime të gjata. John Morgan sugjeron që fokusi të jetë tek e ardhmja: “Është shumë mirë të thuash: ‘Po kërkoja diçka ndryshe, më të përshtatur me aspiratat e mia’.” Edhe Perkins këshillon të mos flasësh keq për ish-punëdhënësin dhe të mos japësh shumë detaje. “Sa më shumë detaje të japësh, aq më shumë duket sikur po përpiqesh të fshehësh diçka,” tha ajo.
Në fund, një largim nga puna nuk është fundi i karrierës, por shpesh një pikë kthese. Me qasjen e duhur, reflektim dhe planifikim, mund të kthehet në një mundësi për rritje dhe drejtim të ri profesional.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.