10 vjet Business Magazine, nga një ide te një komunitet njerëzish që rriten bashkë! - Business Magazine Albania

10 vjet Business Magazine, nga një ide te një komunitet njerëzish që rriten bashkë!

Nga Gerti Boshnjaku – E vështirë për të vendosur nga t’ia nisësh… sepse kur sheh pas, këto nuk janë thjesht 10 vite pune. Janë vite transformimi. Vite ndryshimi. Dhe në fund, janë 10 vite moshimi; ku jemi maturuar, pa dashur të them plakur. Kemi ndërtuar atë që ne jemi e na përfaqëson si karakter. 

Këto 10 vite mbajnë brenda një copë historie të krijimit të një marke. Një fazë të jetës sime që nuk e kisha imagjinuar asnjëherë. Përplot njerëz të rinj, situata që nuk i kisha menduar se mund t’i përjetoja, momente të lehta e momente të vështira. Ka qenë një udhëtim që më ka ndryshuar rrënjësisht si njeri dhe si profesionist.

Profili im është komunikim, marketing dhe administrim biznesi. Gjatë shkollimit tim nuk kam bërë asnjë orë mësimi mbi median, as mbi botimet, as mbi menaxhimin e një platforme mediatike. E megjithatë, sot shumë njerëz më njohin si “njeriu i medias”. Kam mësuar shumë gjatë këtij rrugëtimi, por e vërteta është që Business Magazine Albania nuk është një media në kuptimin tradicional.

Ajo lindi si media e re, bijë e ‘’New Media’’, krejtësisht digjitale. Ishte një hap i parë në një terren të panjohur. Por përgjatë këtyre 10 viteve, BusinessMag është kthyer në një platformë multi-format me një mision, i cili lindi spontanisht, u rrit, u qartësua dhe u forcua me kalimin e kohës:

Të frymëzojmë këdo drejt sipërmarrjes.
Të promovojmë rritjen e vazhdueshme, duke ndërtuar komunitete të forta profesionale.

Shumë herë kam tentuar ta përkufizoj me fjalë të sakta këtë mision. Ndonjëherë e kam zgjeruar, ndonjëherë e kam thjeshtuar. Por çdo herë ka ndodhur kur kam kuptuar më mirë rolin real që luajmë… dhe ndikimin që kemi.

Ndikojmë të rinjtë që nga mosha 13 vjeç, duke u dhënë mundësinë që në internet dhe rrjetet sociale të gjejnë materiale edukuese dhe argëtuese njëkohësisht. Shembuj pozitivë që i frymëzojnë, sepse tregojmë mbi njerëz që ia dalin, duke krijuar vlerë, në mënyrën e duhur, në rrugën e drejtë.

Më gëzon jashtë mase edhe fakti që materialet tona në shqip për biznesin, marketingun, PR-in, teknologjinë, inteligjencën artificiale, zhvillimin profesional, karrierën etj., janë sot referenca serioze për studentët që përgatisin temat e diplomave.

Shpërndajmë informacion me vlerë për ata që kërkojnë një drejtim, që janë në dilemë mes një pune dhe rrugës së sipërmarrjes. Jemi një nga dritaret e pakta ku reflektohet optimizëm. Nuk ka politikë e as kronikë. Ne e shohim çdo ngjarje me lente pozitive dhe besojmë thellë në atë që përcjellim. Sepse sipërmarrësit, në thelb, janë njerëzit që shohin zgjidhje, jo probleme. Ata nuk presin askënd t’ua bëjë rrugën. Ata e krijojnë vetë.

Shpesh kam kuptuar se sipërmarrja nuk u përket vetëm atyre që nisin një biznes apo një startup. Është një mendësi që duhet ta përqafojnë të gjithë ata që duan të rriten, në karrierë dhe në jetën personale. Prandaj rritja, zhvillimi personal dhe profesional janë bërë baza e përmbajtjes sonë; në çdo format; të shkruar apo video. Jo vetëm në web, por edhe përmes eventeve ku përfshihemi si partnerë.

Lexo edhe: Editorial/ Koha për të NDËRTUAR… ekonomi të qëndrueshme dhe digjitale!

Falë kësaj përmbajtjeje, shumë specialistë, menaxherë të HR, financave, logjistikës, shitjeve dhe marketingut janë sot ndër ndjekësit tanë më besnikë. Jo vetëm si lexues online apo print, por si pjesë e Eventeve tona Flagship, të cilat i realizojmë me konsistencë prej vitesh. Para pak ditësh mbyllëm edicionin e 8-të të ‘’AllWeb Digital Conference’’ dhe muajin e kaluar Panairin e Teknologjisë, Inovacionit & Edukimit, ‘’Future2Tech’’ (edicionin e 3-të).

Për shumë gjëra jam krenar. Por më mbush me energji pozitive momenti kur dëgjoj dikë të thotë: “Po, ju ndjek. Më pëlqen shumë stili juaj.” Drejt, shkurt, to the point… thjesht, informacion me vlerë, i kuptueshëm dhe me nota pozitive.”

Dhe pastaj vjen ajo pjesë që më emocionon më shumë: review-t tona prej vitesh, 100% me 5 yje. Vlerësime që vijnë nga miq, nga partnerë, nga të panjohur. Ato tregojnë se ajo që bëjmë pëlqehet, vlerësohet dhe ka impakt. Sepse është rezultat i punës së njerëzve që krijojnë vlerë përditë.

Njerëzit janë pjesa ime e preferuar.

E them pa hezitim. E dashuroj këtë që bëj për plot arsye, por një nga më të rëndësishmet është pikërisht komuniteti i njerëzve që kam takuar në këto 10 vite. Ata që kanë bashkëpunuar me mua, me BusinessMag, me New Media. 

Ata janë investitorët më të mëdhenj në rritjen e markës, në zgjerimin e rrethit të miqve (jo thjesht të kontakteve) dhe kontribuuesit më të mëdhenj të këtij rrugëtimi.

Nuk dua të përmend emra, sepse janë shumë. Dhe nuk dua të rrezikoj të harroj askënd. Sepse për mua ka qenë i rëndësishëm çdo njeri që ka qenë pjesë, qoftë për pak orë, ditë, javë, muaj apo për shumë vite. Të gjithë, pa përjashtim, e kanë bërë këtë udhëtim memorable dhe të bukur.

BusinessMag ka nisur pothuajse paralelisht me zhvillimet e para të ekosistemit të startup-eve në Shqipëri dhe rajon. Ka ndikuar në rritjen e tij duke ndërtuar ndërgjegjësimin mbi këtë frymë të re, duke mbështetur çdo nismë brenda tij, duke sjellë eventet tona, duke bërë bashkë aktorë të rëndësishëm dhe duke i promovuar të gjithë pa përjashtim.

Kemi besuar te çdo startup që ka bërë hapat e vet, së bashku me ne. Kemi pasur durimin të investojmë pa u ndalur, shpesh pa e ditur saktësisht cili ishte modeli ynë i qëndrueshëm i të bërit biznes. Sepse në të njëjtën kohë që rritej ekosistemi, rriteshim edhe ne. Si një startup që kërkonte të gjente veten, pa u ndalur kurrë, edhe kur pengoheshim, rrëzoheshim apo dëmtoheshim.

Dhe bëmë atë që bëjnë sipërmarrësit: Vazhduam….! Sepse ne besojmë në këtë që bëjmë çdo ditë. Dhe sepse shumë besojnë tek ne.

E kemi të përbashkët këtë rrugëtim me njerëzit e mirë që besuan tek progresi dhe tek e mira. Kemi kaluar sfida të ngjashme, të njëjtat ulje-ngritje. Prandaj BusinessMag është 10 vjeç sot dhe do të jetë 20, 30 apo 100 vjeç në të ardhmen. Falë secilit prej jush! 

Ndaj, në këtë numër përmbyllës të vitit 2025, që shënon dekadën tonë të parë, dua thjesht t’ju them:
Faleminderit që jeni pjesë e jona.
Faleminderit që na keni mbështetur.
Faleminderit që kemi ecur së bashku.

Qofshim bashkë edhe për shumë dekada të tjera.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0