Pavarësisht rritjes së fundit të vlerësimeve për kompaninë e inteligjencës artificiale gjenerative OpenAI dhe kompaninë e hapësirës ajrore të Elon Musk, SpaceX, ByteDance mbetet ende unicorni më i vlerësuar në botë.
Sipas të dhënave të CB Insights, kompania kineze që ka në pronësi TikTok ka një vlerësim prej 225 miliardë dollarësh, duke e vendosur para SpaceX, që ka një vlerësim prej 200 miliardë dollarësh, dhe OpenAI, që ka një vlerësim prej 157 miliardë dollarësh. Pavarësisht kësaj, më herët gjatë këtij muaji, kompania që qëndron pas ChatGPT-së, mblodhi 6.6 miliardë dollarë financime të reja, duke dyfishuar thuajse vlerësimin e saj të mëparshëm prej 80 miliardë dollarësh para raundit të fundit të financimit.
Pjesa tjetër e listës së lartë përbëhet nga kompani nga sektorët e veshjeve (Shein dhe Fanatics), fintech (Stripe dhe Revolut) dhe software (Databricks). Ndërsa OpenAI dhe Databricks janë vetëm dy kompani të dedikuara për inteligjencën artificiale, ByteDance gjithashtu ka filluar të fokusohet në inteligjencën artificiale gjenerative së fundmi. Në përpjekje për të ndjekur hapin e homologëve perëndimorë si Meta dhe Alphabet, ajo lançoi një suite modelesh të mëdha gjuhësore nën markën Doubao në muajin maj të këtij viti, sipas raporteve mediatike. Kjo do të ndihmojë më tej në forcimin e pozicionit të saj si unicorni më i vlerësuar në botë.
Lexo edhe:Reklama ikonike e Coca-Cola “Holidays Are Coming” tani është krijuar nga AI
Termi “unicorn” përdoret për të përshkruar kompanitë që nuk tregtohen në asnjë bursë dhe njëkohësisht kanë një vlerësim më të madh se 1 miliard dollarë. Sipas të dhënave të CB Insights, aktualisht ka rreth 1,200 kompani të tilla në mbarë botën. CrunchBase liston gjithashtu 1,549 kompani të tilla në renditjen e saj, duke përfshirë grupin financiar Ant të Alibaba dhe Reliance Retail dhe Reliance Jio, dy degë të konglomeratit të madh indian Reliance Industries.
Përjashtimi i këtyre tri kompanive nga CB Insights mund të lidhet me faktin se nën-korporatat e tyre janë të tregtuara publikisht, megjithëse aksionet e këtyre degëve nuk janë të disponueshme në bursat e aksioneve. Përdorimi i termit startup për këto kompani gjithashtu mund të jetë i diskutueshëm, pasi kjo terminologji zakonisht përdoret për kompani më të vogla që mbështeten në financime të jashtme dhe jo për kompani si SpaceX, ByteDance apo më së fundi, OpenAI.
Kjo e fundit jo vetëm që po ngjitet shpejt në renditjen e vlerësimit, por gjithashtu po rritet edhe në termat e të ardhurave. Sipas deklaratave të CEO Sam Altman në takime të brendshme të raportuara nga The Information, të ardhurat e përvitshme të kompanisë janë dyfishuar duke arritur në 3.4 miliardë dollarë midis fundit të vitit 2023 dhe qershorit të vitit 2024.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.