Që prej datës 23 korrik 2018, Art Hostel & Apartments ka mirëpritur udhëtarë nga e gjithë bota: Hollanda, Polonia, Gjermania, Franca, Shtetet e Bashkuara, Australia, Kina, Koreja e Jugut, etj. Ajo që e bën të veçantë eksperiencën e qëndrimit në një hostel, është se sa lehtë mund të miqësohesh me udhëtarët e tjerë. Ndryshe nga hotelet ku pritja dhe shërbimi janë formalë, në hostel ambienti është shumë miqësor dhe ti mund ta ndjesh veten si në shtëpi.
Gjatë pothuajse dy muajve të parë të Art Hostel & Apartments, kam njohur shumë udhëtarë, si ata që udhëtojnë vetëm, ashtu edhe grupe shoqërore, çifte dhe familje. Për pjesën më të madhe, Shqipëria është vetëm një ndalesë përgjatë udhëtimit disa-mujor në mbarë botën, që ata kanë ndërmarrë. Secili prej tyre ka një histori të veçantë dhe një arsye të veçantë pse e nisën këtë udhëtim. Ndoshta për këto do t’ju tregoj një herë tjetër… Por të gjithë këta udhëtarë kanë diçka të përbashkët: Ata e dashurojnë Shqipërinë!
Pasi kanë lënë çantat dhe janë sistemuar në dhomën ose dormitorin e tyre, ata ngjiten në ambientin që ne e quajmë ‘Chill Area’, për t’u relaksuar, për të pirë diçka në bar ose për të gatuar diçka në kuzhinën e përbashkët. Pasi më kanë treguar për udhëtimet e tyre deri para se të mbërrinin në vendin tonë, i pyes: Çfarë të shtyu të vije në Shqipëri? Shumica prej tyre më thonë se kishin dëgjuar që natyra e Shqipërisë është shumë e bukur, ose miqtë e tyre që e kishin vizituar më parë, u kishin thënë që duhet të shkojnë patjetër sepse është shumë bukur dhe njerëzit janë shumë miqësorë. Disa më thonë edhe se ishte një vendim i shtyrë nga kurioziteti për të parë nje vend për të cilin flitet shumë pak dhe jo domosdoshmërisht pozitivisht. Madje një çift francezësh më rrëfyen se miqtë i kishin quajtur të çmendur kur u kishin thënë se do t’i kalonin pushimet në Shqipëri: “Pse do të shkoni atje? Nuk keni dëgjuar sa gjëra të këqija thonë për shqiptarët? Më mirë shpenzojini paratë në një vend tjetër të Europës…”
Natyrisht, pasi kam dëgjuar pritshmëritë e tyre, jam kurioze të di përshtypjet e vërteta të udhëtarëve dhe çfarë i habiti më shumë ata në vendin tonë. Për këto as nuk është nevoja t’i pyes, sepse çdo mbrëmje kur kthehen në hostel, kanë një sërë pyetjesh për mua e me kuriozitet presin përgjigjet. Nga bisedat e shumta me ta, vendosa të ndaj me ju gjërat që u bëjnë më shumë përshtypje udhëtarëve që vijnë për herë të parë në Shqipëri. Pyetjet e tyre më kanë bërë ta shoh vendin tonë me një perspektivë të re dhe uroj që të njëjtën ndjesi të përcjell edhe tek ju.
- Pse asnjë nuk i njeh emrat e rrugëve?
Që ditën e tyre të parë në Tiranë, udhëtarët kuptojnë që emrat e rrugëve dhe numrat e banesave nuk shërbejnë për asgjë dhe se të kërkosh drejtime nga qytetarët, me emra rrugësh, është përpjekje e dështuar. Kuptuan se e vetmja mënyrë për t’u orientuar është duke iu referuar bareve, restoranteve apo monumenteve kulturore dhe se gjatë qëndrimit në Shqipëri, Google Maps është miku i tyre më i mirë. Një vajzë e re hollandeze më tregoi sa përshtypje i kishte bërë kjo gjë dhe më pyeti si ia bëjmë me postën. I thashë se kur porosis online, e dërgoj në një adresë biznesi që postieri ta dallojë lehtë, për të shmangur ngatërresat. Është gjithashtu ide e mirë të bëhesh shok me postierin e lagjes që të të ketë kujdes. U habit shumë e më tha që nuk mund ta imagjinonte diçka të tillë: “Në Hollandë e zakonshmja është të blesh çdo gjë online. Ushqimet në supermarket, rrobat dhe madje edhe nëse dua një frigorifer apo lavatriçe të re, e porosis në internet dhe në mëngjes e kam në derë.” I thashë që as unë nuk e imagjinoj dot diçka të tillë në Shqipëri…
- A janë njerëzit po kaq miqësorë me njëri tjetrin, sa janë me turistët?
Të gjithë udhëtarëve, pa përjashtim, u kishte bërë shumë përshtypje sa miqësorë janë njerëzit me ta dhe se të gjithë janë të gatshëm t’i ndihmojnë. Një djalë anglez më tha se shoferi i një furgoni, pasi i kishte zbritur të gjithë qytetarët në stacionin e fundit, i kishte thënë atij të qëndronte dhe e kishte çuar deri tek dera e Dajti Ekspres, përtej stacionit të tij të zakonshëm. Kjo gjë e kishte impresionuar dhe më pyeti nëse shqiptarët janë po kaq miqësorë edhe me njëri tjetrin. Kjo pyetje më pëlqeu shumë dhe megjithëse mund të shkruaja një ese të tërë vetëm për këtë, iu përgjigja thjeshtë se shoferi i furgonit ka pak gjasa që të bënte të njëjtën gjë për një shqiptar, pa kërkuar para shtesë.
- Si ka mundësi që njerëzit janë kaq familjarë?
Një burrë amerikan, i cili po e vizitonte Shqipërinë i vetëm, më rrëfeu një mbrëmje sa shumë mbresa i kishte lënë të shihte familjet që kalonin kohën bashkë. Prindër që shëtisnin e luanin me fëmijët e tyre te liqeni, e familje të mëdha që drekonin të gjithë bashkë në restorant… Më tha se në Amerikë, pamje të tilla ishin të rralla. Atje, është normale “të parkosh fëmijët në shtëpi me një kujdestare e të dalësh pa ta.” Nësë shkon me fëmijët në restorant, të shohin shtrembër dhe se duhet të zgjidhje vende të cilat e specifikojnë që i mirëpresin fëmijët, nësë do të dalësh me ta. I thashë se në Shqipëri të shohin shtrembër nëse bën të kundërtën: t’u thuash njerëzve që i ke lënë fëmijët në shtëpi me kujdestare për të dalë për qejf, të quajnë “mama të keqe që e ka mendjen të dalë e s’di të rrisë fëmijët.” Sigurisht kjo gjë ka filluar të ndryshojë dhe ‘stigma’ nuk është më e njëjtë, ama kjo është pjesërisht arsyeja pas kulturës tonë kaq shumë familjare.
- Pse njerëzit i kushtojnë kaq shumë rëndësi veshjes?
Një çift gjermanësh, pasi u kthyen nga një restorant një mbrëmje, më thanë se ishin ndjerë pak keq me veshjet e tyre të thjeshta “prej turisti”. Kishin vërejtur se njerëzit janë kudo të veshur mirë e vajzat gjithmonë të trukuara në çdo vend që kishin shkuar në Tiranë. “Nuk ka dallim nëse është ditë jave apo fundjavë. Të gjithë janë gjithmonë të veshur bukur”, më thanë. I thashë që ne na pëlqen të dukemi gjithmonë mirë dhe se nuk duhet të shqetësohen. Ata mund ta shijojnë Tiranën si turistë, pa u ndjerë të gjykuar (megjithëse për këtë nuk jam plotësisht e bindur nëse u thashë të vërtetën…)
- Si është puna me zonjat të veshura kokë e këmbë me të zeza?
Dy vajza hollandeze, veçanërisht të vëmendshme, ma bënë këtë pyetje pasi u kthyen nga shëtitja e tyre nëpër Tiranë. U thashë se vajtojnë humbjen e një njeriu të afërm dhe se është zakon për një grua të mbajë veshur të zeza deri në fund të jetës së saj. Aty për aty, më pyetën: “Po meshkujt pse nuk e bëjnë një gjë të tillë? Nuk pamë asnjë zotëri të veshur i gjithi me të zeza.” Sinqerisht u thashë që nuk e dija përgjigjen e kësaj pyetjeje dhe më futën edhe mua në mendime…
- Si keni arritur ta merrni veten kaq shpejt pas rënies së komunizmit?
Të gjithë udhëtarëve u ka lënë mbresë të veçantë vizita në muzetë Bunk’art. Është e vështirë për ta të kuptojnë që vendi ynë ka qenë nën regjimin komunist deri 27 vite më parë dhe se prindërit tanë e kanë jetuar këtë regjim. Më rrëfyen se prisnin që të gjenin më shumë dëshmi të kësaj periudhe në kulturën tonë dhe se ishin të impresionuar sa përpara kemi bërë. Një pjesë e tyre më thanë se ishin të sigurtë që do të vazhdojmë të zhvillohemi shumë shpejt, dhe se ishin të lumtur që e vizituan Shqipërinë në këtë përiudhë, e se kur të kthehen sërish pas disa vitesh, do të shohin një Shqipëri krejtësisht të re e akoma më të zhvilluar.
- Si ka mundësi që ushqimi këtu është kaq i mirë dhe i lirë?
Një çift italianësh, pasi hëngrën darkën në një nga restorantet e dashura për ne, që e rekomandojmë gjithmonë, më thanë: “Në Itali, ushqim të një cilësie të tillë mund të gjesh vetëm në restorante luksoze, ku fatura shkon tre herë më shumë se ajo që paguam këtu!” Përveç kësaj, udhëtarëve, e veçanërisht të rinjve që kërkojnë të shpenzojnë sa më pak, u kishte pëlqyer shumë byreku i shoqëruar me dhallë. Më thanë që byreku i rrugës kishte qenë shpëtimi i tyre gjatë ditëve të lodhshme kur kishin ecur pa fund nëpër Tiranë.
- Pse ka kaq shumë policë në rrugë?
Para se të ma bënin këtë pyetje, nuk e kisha vrarë mendjen më parë për këtë gjë. Policët e shumtë rrugorë janë bërë një pamje e zakonshme në Tiranë dhe jemi mësuar t’i shohim në çdo rrugë. Aty u kujtova se gjatë udhëtimeve të mia jashtë Shqipërisë, policët në rrugë ishin një pamje e rrallë, prandaj vizitorëve u kanë bërë kaq shumë përshtypje. U thashë se me nivelet tona të trafikut kjo gjë tashmë është normale. Një vajzë australiane, më pyeti: “Ka kaq shumë policë se ka shumë trafik, apo ka kaq shumë trafik sepse ka shumë policë në rrugë?” Qesha dhe e lashë këtë pyetje pa përgjigje…
- Ç’kuptim kanë kukullat e varura nëpër ndërtesa?
Dy të rinj polakë ma bënë këtë pyetje teksa hanin mëngjes. U kishin bërë përshtypje kukullat dhe arushat e pellushit të varura nëpër tarraca ose ballkone. U mundova t’u shpjegoja sa më thjeshtë konceptin e ‘syrit të keq’, pa i frikësuar. Më thanë se diçka e tillë ishte disi rrënqethëse dhe se nuk e kishin hasur në asnjë vend tjetër më parë.
- Si ka mundësi që Shqipërinë e njohin kaq pak nëpër botë?
Të gjithë udhëtarët arritën në një përfundim të përbashkët: Ata e dashurojnë Shqipërinë! Pasi vizituan qytete si Tirana, Berati, Shkodra, Gjirokastra, Saranda, etj., thanë që ishin surprizuar e mahnitur nga natyra e mikpritja shqiptare. Më rrëfyen se në të vërtetë nuk kishin ditur ç’të prisnin nga Shqipëria para se të vinin, por tani do t’ua rekomandojnë të gjithë miqve që të vijnë e ta vizitojnë, sepse meriton të rradhitet ndër destinacionet më të bukura te Europës.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.