Në një intervistë për gazetën Panorama, drejtori ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, sqaron efektet e draftit të ri të qeverisë, që cakton OSHEE si agjent për mbledhjen e taksës së re të pronave. Haxhimali nënvizon se do të duhej që çdo bashki të përcaktonte vetë se kush do e mblidhte taksën, si vendim pjesë e autonomisë vendore.
Sikundër do të ishin po bashkitë që do vendosnin edhe përqindjen që do merrte agjenti për këtë shërbim. Haxhimal, nënvizon 10 kategoritë që nuk do paguajnë taksë shtëpie në të gjithë vendin, ku pensionistët kryefamiljarë, janë pjesë dërrmuese e atyre që përjashtohen. Në intervistë ai flet edhe për mënyrën e llogaritjes së taksës, për pjesën nga 1 prilli kur hyri në fuqi metodologjia e re, deri më 1 janar kur taksa do të mblidhet nga OSHEE.
Taksa ka hyrë në fuqi më 1 prill, por ndërkohë që mbledhja e saj është shtyrë për 1 janar 2019. Kjo kohë, nga prilli në janar, që qytetarët po paguajnë taksën e vjetër, do falet?
Apo do rillogaritet në faturat e reja të dritave? Edhe kjo pyetje, që shtrohet me të drejtë, tregon faktin sa konfuzion sjellin ligjet e paplota me akte dhe nënakte, pasi ligji duhet të jetë i plotë juridikisht dhe i qartë administrativisht. Ligji ka përcaktuar qartë që taksa e pasurisë do të paguhet nga qytetari shqiptar bazuar në metodologjinë e re, pra, bazuar në vlerë, duke filluar nga 1 prilli 2018. Draftvendimi për të cilin po flasim, sanksionon përgjegjësinë e agjentit të ri OSHEE, që fillon efektet më 1 janar 2019. Por taksa për vitin 2018 do paguhet nga qytetari kështu: për muajt janar–shkurt–mars 2018 do ta paguajë taksën bazuar në sipërfaqe. Pra, me metodologjinë e vjetër. Për periudhën 1 prill 2018 që ka hyrë në fuqi VKM-ja me metodologjinë e re, bazuar në vlerë, qytetari do ta paguajë në bashki ose Ujësjellës këtë taksë në vlerën 0.05% me diskrecionin që ka vendosu Këshilli Bashkiak.
Cilat janë kategoritë që nuk do paguajnë, apo do përjashtohen nga taksa e re? Sipas legjislacionit, janë 10 kategori që përjashtohen nga taksa e banesës. Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat:
- pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse;
- pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore;
- ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara;
- banesat sociale në pronësi të bashkive;
- pasuritë e paluajtshmendërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale;
- ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre;
- strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”;
- ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët;
- ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike;
- ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore”.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.