Përditësuar së fundmi: 20/04/2017

Një tjetër fshat turistik do të ndërtohet në Gjirin e Lalzit

nga Fiorela Jaupi
Pri 20, 2017
Studied at Faculty of Economy, Master of Science in Marketing. Content Editor at Business Magazine Albania
lexo me teper >

Pas sektorit të energjisë dhe bujqësisë duket se turizmi është bërë i preferuari i bizneseve për diversifikimin e investimeve. Në gjashtë muajt e fundit, bizneset e ndërtimit po nxitojnë të ndërtojnë hotele në bregdet për t’iu përgjigjur ofertës në rritje për turizëm, e cila u ndikua nga pasiguria që shfaqi Turqia vitin e kaluar.

Kompania Edil Al prezantoi projektin për ndërtimin e një fshati turistik të kombinuar me hotel dhe resort në Gjirin e Lalzit. I pagëzuar me emrin “San Pietro Resort”, projekti synon që në të gjithë sipërfaqen e truallit prej 350.000 m², do të jenë të ndërtuara 140.000 m² sipërfaqe ndërtimi nga të cilat, 98.600 metër katror do të jetë fshati turistik, një rezidencë e ndërthurur me vila dhe apartamente dhe 41.400 m² do të jetë hoteleri dhe resort.

 

 

 

 

 

 

 

 

Gjiri i Lalzit në mes të një pylli të bukur, i pacenuar nga vala e ndërtimeve që pasoi Durrësin fill pas viteve 1990, aktualisht po zhvillohet përmes modelit të fshatrave turistikë.

Investimet në sektorin e ndërtimit janë zhvendosur vitet e fundit në ndërtimin e vilave në bregdet. Por ndërtimet e reja në bregdet nuk po orientohen drejt një modeli për të rritur vlerën e sektorit. Investimet po përqendrohen në ndërtimin e fshatrave turistikë duke ofruar vila luksi për klientët e kësaj kategorie, teksa projektet për ndërtimin e resorteve që do t’i sillnin të ardhura ekonomisë së vendit, kanë mbetur në sirtar.

Kompanitë që kanë marrë leje për ndërtimin e vilave personale kanë brenda projekteve edhe ndërtimin e hoteleve për turizëm, por këto investime janë planifikuar të kryhen në faza më të vonshme, për shkak se kthyeshmëria nga investimi në ndërtimin e vilave është shumë më e shpejtë se nga resorti.

Burimi: monitor.al