Kompania holandeze e shpërndarjes së ushqimit Just Eat Takeaway.com është bashkuar me firmën zvicerane RIVR për të vënë në qarkullim qen robotikë autonomë që shpërndajnë ushqim, duke nisur fillimisht me një pilot në Zyrih dhe më pas edhe në qytete të tjera europiane.
Qytetarët e Zyrihut po mësohen me një pamje të re në rrugë: qentë-robot shpërndarës të ushqimit. Për momentin, ata përdoren për të dërguar ushqime të shpejta nga restoranti lokal Zekis World.
Ky projekt pilot është pjesë e bashkëpunimit mes platformës së shpërndarjes së ushqimit Just Eat dhe kompanisë zvicerane të robotikës RIVR.
Qentë robotikë me rrota dhe këmbë hibride janë të pajisur me AI fizike (Physical AI), që u mundëson të ngjiten shkallëve, të shmangin pengesa si koshat e mbeturinave apo barin, si dhe të lëvizin mes këmbësorëve, makinave e biçikletave.
Këta robotë arrijnë të “ecin” me shpejtësi rreth 15 km në orë dhe rezistojnë ndaj shiut, borës, temperaturave të larta dhe erës. Çdo shpërndarje monitorohet në kohë reale, ndërsa roboti mund të kontrollohet edhe nga distanca.
Lexo edhe: Onemor, startupi i themeluar nga Alban Fejzaj, synon të bëhet “Spotify i Fitnesit”
Just Eat theksoi se është shërbimi i parë në Europë që teston robotë hibridë me rrota e këmbë, të pajisur me AI fizike.
RIVR synon që në të ardhmen këta robotë të përdoren jo vetëm për ushqime, por edhe për dërgesa pakosh, mallrash dhe produkte të freskëta.
“Ne planifikojmë të sjellim më shumë robotë në qytete të tjera europiane më vonë këtë vit, me mundësi zgjerimi edhe në sektorin e shitjes me pakicë dhe dyqaneve të komoditeteve,” tha kompania në një deklaratë.
Kreu ekzekutiv i RIVR, Marko Bjelonic, u shpreh: “Bashkëpunimi ynë me Just Eat është një pasqyrë e së ardhmes, ku automatizimi shndërrohet natyrshëm në pjesë të qyteteve tona, duke ndihmuar njerëzit të marrin atë që kanë nevojë, kur kanë nevojë. AI Fizike u jep robotëve aftësinë të kuptojnë dhe të përshtaten me botën reale.”
Just Eat ka eksperimentuar edhe më parë me mënyra të reja shpërndarjeje, përfshirë një shërbim me dronë në Irlandë, në partneritet me kompaninë Manna Drones Ltd.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto