Meta mohoi raportimet se kompania e drejtuar nga Mark Zuckerberg ka ofruar deri në 300 milionë dollarë për të rekrutuar talente nga OpenAI, në garën gjithnjë e më të ashpër për dominim në fushën e inteligjencës artificiale.
Sipas një raportimi nga faqja teknologjike Wired, Zuckerberg thuhet se ka ofruar paketa jashtëzakonisht të majme për të paktën 10 punonjës të OpenAI, të cilëve u është dhënë mundësia të marrin aksione në Meta – me 100 milionë dollarë që do të llogariteshin brenda vitit të parë dhe deri në 300 milionë dollarë gjatë një periudhe katërvjeçare. Zëdhënësi i Meta, Andy Stone, i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke u shprehur për The New York Post se raportimet janë “të pavërteta” dhe se përmasat e paketave të kompensimit janë keqinterpretuar. “Disa njerëz kanë zgjedhur të ekzagjerojnë situatën për arsye të veta,” tha Stone, duke nënvizuar se shifrat e përmendura i tejkalojnë edhe pagat e drejtuesve më të lartë të teknologjisë si CEO i Uber, Dara Khosrowshahi ($39.4 milionë), dhe drejtuesi i Microsoft, Satya Nadella ($79.1 milionë). Wired nuk ka reaguar ende ndaj këtyre deklaratave. Megjithatë, është konfirmuar se Meta ka rekrutuar të paktën tetë studiues nga OpenAI javët e fundit, sipas disa raportimeve.
Këta punonjës të rinj të Meta kanë pasur role të rëndësishme në zhvillimin dhe trajnimin e modeleve të inteligjencës artificiale të OpenAI. Emrat përfshijnë: Shengjia Zhao, Jiahui Yu, Shuchao Bi, Hongyu Ren, Trapit Bansal, Lucas Beyer, Alexander Kolesnikov dhe Xiaohua Zhai. Katër nga këta — Zhao, Yu, Bi dhe Ren, i janë bashkuar njësisë së re të Meta-s, Superintelligence, që drejtohet nga Alexandr Wang. Ndërkohë, Beyer, Kolesnikov dhe Zhai kanë punuar më parë në zyrën e OpenAI në Zvicër. Bansal u bashkua në qershor.
Lexo edhe:Google përballet me një ankesë antitrust në BE për AI Overviews
CEO i OpenAI, Sam Altman, ka reaguar ndaj përpjekjeve të Zuckerberg për të joshur punonjësit e tij, duke i quajtur “të pakëndshme” dhe të motivuara nga qëllime të gabuara. Në një mesazh në Slack, të siguruar nga Wired, Altman ka thënë: “Meta ka marrë disa njerëz të shkëlqyer, por në tërësi, është e vështirë të thuash sa shumë nuk arritën të rekrutojnë njerëzit tanë më të mirë dhe u desh të shkonin shumë poshtë në listë.” Altman shtoi se Meta “po përpiqet të rekrutojë njerëzit tanë prej shumë kohësh” dhe se “kam humbur llogarinë se sa herë kanë tentuar të marrin ndonjërin prej nesh si kryeshkencëtarin e tyre.” “Jam krenar për sa të orientuar pas misionit janë njerëzit në industrinë tonë; natyrisht që do ketë gjithmonë edhe disa që ndjekin vetëm interesin personal,” shkroi ai.
Pas rekrutimit të katër studiuesve të lartë, drejtuesi i kërkimeve te OpenAI, Mark Chen, ka dërguar një memo për ekipin, duke shprehur zemërimin dhe përkushtimin për të mos lënë terren bosh. “Ndihem sikur dikush ka hyrë në shtëpinë tonë dhe ka vjedhur diçka,” shkroi Chen në memon e siguruar nga Wired. Ai shtoi se ai dhe Altman po punojnë “pa ndalim për të folur me ata që kanë marrë oferta”, duke theksuar se po rishikojnë strukturat e kompensimit dhe po eksplorojnë mënyra kreative për të motivuar dhe shpërblyer talentet kryesore.
Altman gjithashtu ka theksuar potencialin e aksioneve të OpenAI krahasuar me ato të Meta. “Besoj se ka shumë më tepër potencial për fitime nga aksionet e OpenAI sesa ato të Meta-s,” tha ai. “Por mendoj se është e rëndësishme që ky përfitim të vijë pas suksesit të madh – ndërsa ajo që po bën Meta, sipas meje, do të sjellë probleme të thella kulturore.” Zuckerberg është duke e shtyrë me vendosmëri Meta-n drejt dominimit në AI. Javën e kaluar, kompania lançoi Meta Superintelligence Labs (MSL), një njësi e re e përqendruar në ndërtimin e sistemeve të AI me kapacitet arsyetimi të ngjashëm ose më të madh se ai i njeriut. Si pjesë e strategjisë për inteligjencën artificiale gjenerative, Meta ka investuar 14.3 miliardë dollarë në Scale AI, duke siguruar një pjesëmarrje prej 49%.
Në këtë kuadër, Alexandr Wang, ish-CEO i Scale AI, është emëruar si Shefi i Parë i Inteligjencës Artificiale në Meta, ndërsa Nat Friedman, ish-CEO i GitHub, do të udhëheqë zhvillimin e produkteve të AI.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto