Zhvillohet takimi i parë i klubit të librit "Bytes & Books" - Business Magazine Albania

Zhvillohet takimi i parë i klubit të librit “Bytes & Books”

Më 5 mars, One Connect Hub në Tiranë hapi dyert për takimin e parë të Klubit të Librit “Bytes & Books”, një ngjarje që mblodhi bashkë entuziastë të teknologjisë, lexues dhe ekspertë të fushës. Ky takim, i cili u mbajt dje pasdite, shënoi hapin e parë të një nisme që synonte të ndërthurte leximin me diskutime rreth ndikimit të teknologjisë në shoqërinë tonë. Në fokus të këtij eventi të parë ishte libri Nexus i Yuval Noah Hararit, një vepër që eksploron lidhjet mes historisë, teknologjisë dhe fuqisë së informacionit. Në një ambient të ngrohtë dhe të mbushur me energji, të pranishmit u angazhuan në një diskutim të thellë rreth temave të ngritura nga Harari.

Qëllimi i “Bytes & Books” u bë i qartë që në fillim: leximi na hap dritare drejt botës, por përmes këtij klubi, organizatorët donin të krijonin një hapësirë ku njohuritë të ktheheshin në biseda dhe veprime konkrete. Nga studentët e apasionuar pas teknologjisë te sipërmarrësit dhe botuesit, eventi mblodhi një grup të larmishëm njerëzish, të cilët reflektuan mbi idetë e Nexus-it dhe i lidhën ato me realitetin e sotëm.

Lexo edhe:Lançohet ” Bytes & Books”, klubi i parë i librit mbi ndikimin e teknologjisë në shoqëri!

Klubi drejtohet nga një bord me tre anëtarë të spikatur, të cilët dhanë tonin e takimit me fjalimet e tyre. Z. Geron Kamberi, ekspert dhe studiues me përvojë në politikat e kërkimit shkencor dhe inovacionit, tha: “Teknologjia na ka vënë përballë pyetjeve të mëdha, dhe ky klub është një përpjekje për t’i dhënë përgjigje bashkë. Nexus na kujton se informacioni është fuqi, por si e përdorim atë varet nga ne.” Fjalët e tij ndezën një diskutim të gjallë për rolin e teknologjisë në kontrollin e shoqërisë.

Dr. Albert Gjoka, studiues dhe drejtues me përvojë të gjatë në promovimin e leximit, si dhe Drejtor Ekzekutiv i “Institutit Kulturë dhe Edukim për Zhvillim”, shtoi: “Nuk ka asgjë më të fuqishme se një libër që lexohet dhe diskutohet. Nexus na nxit të mendojmë se si teknologjia mund të jetë një urë ose një mur.”

Z. Gerti Boshnjaku, ekspert i sipërmarrjes dhe inovacionit, drejtor i revistës “Business Mag” dhe “Albania Tech”, e mbylli me një thirrje: “Leximi është hapi i parë, por zbatimi është çelësi. Nexus na tregon se si rrjetet e informacionit formojnë botën, tani na takon të veprojmë.” Fjalët e tij rezonuan veçanërisht me sipërmarrësit e rinj, të cilët lidhën idetë e librit me aplikimet e Inteligjencës Artificiale në biznes.

E pranishme ishte edhe Aulona Ormëni, përkthyesja e librit Nexus në shqip, e cila ndau me të pranishmit eksperiencën e saj gjatë procesit të përkthimit. “Ishte sfiduese, sepse nuk është fusha ime, unë jam psikologe, jo eksperte e teknologjisë,  por gjithashtu shumë interesante,” tha ajo. Aulona shtoi se “Harari ka një aftësi të jashtëzakonshme për të bërë lidhje mes të kaluarës dhe të ardhmes, dhe përkthimi i tij më bëri të reflektoj për atë që po jetojmë sot.” Fjalët e saj sollën një këndvështrim të ri, duke treguar se si libri mund të prekë edhe ata që vijnë nga fusha të ndryshme.

Takimi zgjati rreth dy orë dhe u zhvillua në një format të hapur, ku të pranishmit ndanë mendimet e tyre për Nexus. Libri, i cili analizon evolucionin e rrjeteve të informacionit dhe ndikimin e tyre në pushtet dhe shoqëri, u bë pikënisje për një diskutim të gjerë. Një nga momentet kulmore ishte biseda rreth asaj se si Inteligjenca Artificiale dhe teknologjitë e reja po krijojnë “nexus-e” të rinj në jetën tonë të përditshme  nga mënyra si komunikojmë te si marrim vendime. Disa pjesëmarrës ngritën pyetje kritike: A jemi ne në kontroll të këtyre rrjeteve, apo ato na kontrollojnë ne?

Organizatorët kishin vendosur një tavolinë me kopje të Nexus-it dhe libra të tjerë të Hararit, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve, të cilët u ulën në grupe të vogla pas prezantimeve të bordit.  Eventi u mbyll me një sesion diskutimesh mes njëri tjetrit, ku u vendos që takimi i radhës të fokusohej te një libër tjetër për t’u lexuar nga të gjithë anëtarët.

Takimi i parë i “Bytes & Books” la pas një ndjenjë optimizmi dhe kurioziteti. Me Nexus si pikënisje, klubi tregoi se mund të krijojë një hapësirë ku leximi dhe teknologjia bashkohen për të na bërë më të vetëdijshëm dhe të angazhuar. Me një bord drejtues të përkushtuar dhe një grup pjesëmarrësish të etur për të kontribuar, ky event i djeshëm në One Connect Hub ishte një dëshmi se diskutimet rreth librit dhe inovacionit mund të kenë një ndikim real në botën tonë gjithnjë në ndryshim.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

✨ Thënia e ditës
“Ndonjëherë nuk e sheh veten tënde qartë, deri kur e sheh me sytë e të tjerëve.”
— Ellen DeGeneres
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0