Nga Zef Preçi
Këto ditë u përcoll në shtyp një raport i rëndësishëm i MONITOR me autore dy gazetare të mirënjohura të ekonomisë: Blerina Hoxha dhe Nertila Maho mbi rrezikun në rritje përgjithësisht nga koncesionet e tipit Partneritet Publik Privat si dhe veçanërisht nga e ashtuquajtura paketa “1 Miliard Euro” e investimeve private në infrastrukturën publike.
Ajo që mendoj se është më shqetësuese është fakti se të gjitha këto investime janë oferta të pa kërkuara d.m.th. bizneset respektive (në shumicën e rasteve oligarkë të vërtetë) akaparojnë taksat që do të mblidhen gjatë 20-30 viteve që vijnë; qeveria nuk ka asnjë master plan të zhvillimit të sektorëve përkatës ku mund të integroheshin këto investime në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit; këto investime nuk kanë asnjë element konkurrence dhe janë gjerësisht të dyshueshëm për korrupsion në nivelet më të larta të vendim-marrjes; qeveria është e frikësuar nga ndëshkimi potencial në të ardhmen e sidomos nga pasiguria e kontrollit të saj mbi drejtësinë që sjell procesi i vetingut dhe për këtë qëllim po fshihet pas përgjegjësisë kolegjiale dhe përdorimit të Kuvendit si koracë e ndëshkimit të paligjshmërisë dhe pasojave rrënuese mbi ekonominë tonë kombëtare në dy-tri dekadat e ardhshme; asnjë nga këto investime alla-shqiptare nuk kreditohet as nga bankat tregtare vendase dhe as nga institucionet financiare ndërkombëtare që mbështesin reformat në vendin tonë.
Ky tipar i fundit i programit “1 Miliard Euro” duket se ka lehtësuar edhe mundësitë e kanalizimit të stokut të parave në cash me origjinë veprimtarinë kriminale të kultuvimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të rënda drejt vendeve të BE-së.
Edhe pse personalisht jam prononcuar disa herë rreth kërcënimit që përbën rritja e pakontrolluar e borxhit publik sidomos gjatë pesë viteve të fundit dhe përpiqem të ndjek dinamikën e zhvillimeve në këtë fushë, e kam të vështirë të vlerësoj se sa e mundshme dhe e afërt është përsëritja e skenarit grek të kësaj krize (krizës së borxhit publik). Aq më pak në parashikimin e pasojave të mundshme të menjëhershme të saj. Por, artikulimi i përfaqësuesit të FMN më shtyn të mendoj se situata është edhe më e rëndë nga sa mund të mendohet prej nesh. Gjithsesi mbetem i hapur ndaj mas-medias, ekspertëve të qeverisë dhe atyre të opozitës për të diskutuar e ndarë pikëpamje rreth kësaj teme.
Ndoshta kështu një ditë qeveria kthjellohet për pasojat e politikave voluntariste dhe aventurizmit ekonomik në të cilin ka futur vendin dhe opozita kupton se një Shqipëri e rrënuar ekonomikisht dhe e braktisur nga qytetarët e saj është vështirësisht e qeverisshme edhe sikur zgjedhjet të bëheshin vërtet “demokratike, të lira, të barabarta dhe të ndershme”, siç jemi mësuar të dëgjojmë në “recitimet” e raporteve ndërkombëtare të monitorimit pas çdo procesi elektoral në vendin tonë.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto