Arkeologët kanë zbuluar mbetjet e një kompleksi të lashtë Majan afërsisht 3,000-vjeçar në veri të Guatemalës, duke identifikuar tempuj, piramida dhe një sistem unik kanalizimesh që mund të ofrojë më shumë njohuri mbi këtë qytetërim të lashtë.
Kompleksi është zbuluar në tre zona arkeologjike Los Abuelos, Petnal dhe Cambrayal pranë sitit të njohur Majan të Uaxactún, në rajonin Petén. Sipas ministrisë, këto zbulime po i japin një tjetër dimension të rëndësishëm historisë së qytetërimit Majan. Qytetërimi Majan daton që nga viti 2000 para erës sonë dhe arriti kulmin midis viteve 400 dhe 900 të erës sonë, duke u përhapur kryesisht në territorin e sotëm të Meksikës dhe Guatemalës. Në periudhën e tij të artë, ky qytetërim ndërtoi tempuj, rrugë, piramida dhe monumente të tjera madhështore, si dhe zhvilloi sisteme të avancuara të shkrimit, matematikës dhe astronomisë.
Los Abuelos , një qendër ritualesh për të parët
Zona arkeologjike Los Abuelos, që në spanjisht do të thotë “gjyshërit”, ndodhet rreth 21 kilometra nga Uaxactún dhe e ka marrë emrin nga dy figura shkëmbore antropomorfe të cilat besohet se përfaqësojnë një “çift paraardhës”. Këto figura, së bashku me një numër vendesh të shenjta, sugjerojnë se Los Abuelos ka qenë një qendër me rëndësi për ritualet Majane. “Ky është një nga qendrat rituale më të rëndësishme të rajonit, me tempuj dhe vendndodhje të shenjta që na ndihmojnë të rishikojmë historinë e qytetërimit Majan,” deklaroi zëvendësministri i Kulturës dhe Sporteve të Guatemalës, Luis Rodrigo Carrillo, gjatë një deklarate për media.
Lexo edhe:Paga deri në 500 mijë dollarë për talentët e AI-së, Mira Murati trondit Silicon Valley
Petnal dhe piramida me murale simbolike
Lindje të Los Abuelos ndodhet Petnal, ku është zbuluar një piramidë 33 metra e lartë. Në majë të saj gjenden dy dhoma të ruajtura mirë, të stolisura me murale që paraqesin simbole dhe imazhe të shumta me kuptime rituale.
Cambrayal dhe kanalet e ujit brenda pallatit
Vetëm 4.8 kilometra larg nga Los Abuelos ndodhet Cambrayal, ku shkencëtarët kanë zbuluar një sistem të pazakontë kanalizimesh uji brenda një ndërtese pallati. Ky element unik tregon për një infrastrukturë të sofistikuar dhe sjell një kuptim të ri për jetën urbane Majane. “Këto tri site formojnë një trekëndësh urban të panjohur më parë, ekzistenca e të cilit na ka shpëtuar deri më sot. Ky është një dëshmi e madhe e madhështisë së kulturës Majane, të cilën sot po e ndajmë me botën,” thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Kulturës së Guatemalës. Zbulimet janë bërë nga arkeologë guatemalas dhe sllovakë, në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, në kuadër të Projektit Rajonal Arkeologjik të Uaxactún (PARU), me mbështetjen e Universitetit Comenius në Bratislavë, Sllovaki.
Teknologjia për zbulime të reja
Zbulimet e reja Majane mbeten të rralla, por jo të pamundura, falë kërkimeve të vazhdueshme dhe përdorimit të teknologjive të avancuara. Në prill, në qytetin antik Tikal, vetëm 23 kilometra në jug të Uaxactún, arkeologët gjetën një altar 1,700-vjeçar me mbetje njerëzore. Megjithëse ndodhej në një qytet Majan, studiuesit besojnë se dekori nuk i përkiste Majanëve, por ishte realizuar nga artistë të trajnuar në qytetërimin e Teotihuacan, qindra kilometra larg. Po ashtu, përdorimi i teknologjisë së hartëzimit me lazer (LiDAR) ka mundësuar identifikimin e siteve të reja, duke zbuluar rrjetin e ndërlidhur të qyteteve, fshatrave dhe vendbanimeve Majane, duke sjellë një perspektivë më të thelluar mbi organizimin e tyre urban dhe kulturor. Këto zbulime dëshmojnë se, edhe pas mijëra vitesh, qytetërimi Majan vijon të na mahnisë dhe të na mësojë më shumë për rrënjët e qytetërimeve njerëzore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.