Nisma WiFi4WB u lançua zyrtarisht sot në Shqipëri, duke shënuar fillimin e shtrirjes mbarëkombëtare të pikave të aksesit të Wi-Fi publik falas në 61 bashki. Ceremonia u mbajt në qytetin e Krujës, në një nga pikat e para WiFi4WB të instaluara në vend, e vendosur në Kalanë e Krujës.
Nisma WiFi4WB është pjesë e projektit EU4Digital, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane dhe i zbatuar nga GIZ, frymëzuar nga programi i BE-së WiFi4EU që lidh mbi 7,000 komunitete në të gjithë Evropën. Pas zbatimit të plotë të nismës, qytetarë dhe vizitorë do të mund të aksesojnë Wi-Fi falas në hapësira publike si sheshe, parqe, biblioteka, shkolla dhe site kulturore, në Shqipëri dhe në mbarë rajonin.
Ambasadori i BE-së në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, theksoi rolin e lidhjes digjitale në forcimin e shërbimeve publike dhe në mbështetjen e rrugës së integrimit evropian të Shqipërisë. “WiFi4WB është një ide e thjeshtë me një ndikim të fuqishëm: internet falas në 61 bashki të Shqipërisë, duke krijuar akses në shërbime digjitale, informacion, mësim dhe komunikim për të gjithë. Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me lidhjen me internetin. Ai synon fuqizimin e komuniteteve, mbështetjen e zhvillimit vendor dhe afrimin e Ballkanit Perëndimor me Tregun Unik Digjital të BE-së,” u shpreh Ambasadori Gonzato.
Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, z. Karl Bergner, nënvizoi partneritetin e fortë midis Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian në avancimin e transformimit digjital në rajon. “Digjitalizimi është një nga çështjet kryesore të kohës sonë. Ai mundëson shkëmbimin, informimin dhe frymëzimin. Duke ofruar ‘internet falas për të gjithë’ në qendrat kryesore të 61 bashkive, ne po hedhim një hap të madh përpara drejt aksesit të barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë,” u shpreh Ambasadori Bergner.
Përfaqësues të qeverisë iu drejtuan gjithashtu të pranishmëve, duke theksuar ndikimin e nismës në qeverisje, shërbime publike dhe përfshirjen e qytetarëve.
“Wifi4WB do te thote me shume informacion dhe orientim per turistet, me shume aksesueshmeri. Nga kjo iniciative perfitojne qytetaret, bizneset lokale dhe qendrat kulturore.
Muzeu ne Kalane e Krujes eshte nje nga sitet kulturore me te vizituara ne Shqiperi ku vetem nje vit me pare eshte vizitur nga rreth 200 mije turiste. Prioritet kryesor per ne eshte rritja e turizmit gjate gjithe vitit dhe sitet kulturore mbajne peshen kyesore te turizmit gjithevjetor,” u shpreh Zëvendës Ministrja e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Znj. Lira Pipa.
Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) mes GIZ dhe Bashkisë, duke formalizuar bashkëpunimin për instalimin, operimin dhe mirëmbajtjen afatgjatë të rrjetit WiFi4WB. Znj. Sonja Kurz, Drejtore e GIZ Shqipëri, theksoi rëndësinë rajonale të nismës dhe modelin e saj të qëndrueshëm.
“GIZ mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me partnerët për të ofruar zgjidhje digjitale të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin. Përmes nismës WiFi4WB, ne po sigurojmë që çdo bashki të mund të ofrojë internet falas dhe të besueshëm në hapësirat publike, duke ndihmuar në reduktimin e hendekut digjital dhe duke i bërë shërbimet thelbësore online më të aksesueshme për të gjithë qytetarët,” u shpreh Znj. Kurz.
Operatori i telekomunikacionit Vodafone u përzgjodh përmes një tenderi publik të zhvilluar nga GIZ për të shtrirë dhe mirëmbajtur infrastrukturën Wi-Fi dhe për të ofruar shërbim interneti falas në vendndodhje publike të përcaktuara në të gjithë Shqipërinë
Nisma WiFi4WB do të përmirësojë aksesin në shërbime digjitale, arsim dhe informacion publik, duke mbështetur njëkohësisht bizneset e vogla, përmirësuar përvojën e vizitorëve dhe forcuar turizmin lokal. Duke siguruar internet falas dhe të besueshëm në hapësira publike, nisma promovon gjithashtu përfshirjen sociale dhe ndihmon në ngushtimin e hendekut digjital.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto