Me siguri që kur vini me pushime në Sarandë, dy destinacionet e para që ju vijnë në mendje për t`u vizituar janë Ksamili dhe Butrinti.
Shumë mirë! Dhe nuk duhet t`i lini pa vizituar kurrsesi!
Por Saranda ka aq shumë thesare që ndoshta nuk e kanë famën e Butrintit apo të Ksamilit por janë po aq të bukura e sidomos të veçanta, secila në llojin e vet. Shtrirja gjeografike e Sarandës është shumë e larmishme dhe duke qenë e rrethuar me zona shumë të bukura, fshatra bregdetarë, burime natyrore të mrekullueshme, zona malore që i japin jo vetëm hijeshi por edhe tjetër ngjyrë pushimeve tuaja, ajo paraqet mjaft interes edhe me zonat që e rrethojnë atë. Duke nisur që nga kufiri me Himarën, ku ndodhet Borshi e Lukova, e deri në kufijtë e ekstremit jugor si Konispoli apo edhe zona e bukur e Delvinës që ndodhet fare pak kilometra pranë saj, Saranda përbën një thesar vlerash e bukurish, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse pasurojnë pushimet tuaja.
Delvina
Delvina është një nga qytetet më jugore të Shqipërisë, që fsheh në gjirin e saj shumë thesare të kulturës, natyrës e trashëgimisë, të cilat shpeshherë gabimisht i atribuohen Sarandës.
Kështu për shembull Syri i Kaltër, Mesopotami apo Finiqi, janë vlera që i takojnë asaj, bashkë me shumë të tjera të pangatërrueshme si Xhermëhalla, Xhamia e Gjin Aleksit, Sarajet e Rusanit etj.. Ajo shtrihet në këmbët e Malit të Gjerë, në një fushë të ngushtë, rrethuar me kodra të larta. Historianët e vjetër Tit Livi dhe Polibi e përmendin si një vendbanim të lashtë.
Muzika e Delvinës është shumë e njohur me “Sazet e Delvinës”, që përmenden qysh në kohën e De Radës, në “Rrëfimet e Arbrit”.
Objektet me interes që duhet të vizitoni:
Kalaja e Delvinës. Vjen nga antikiteti, mban katër rindërtime të mëdha mbi kurriz, në një sipërfaqe prej 180 m2. Periudha e fundit të rëndërtimit ishte pushtimi osman. E ndërtuar me mjeshtëri të lartë e përshtatshme për fortifikim të sofistikuar.
Xhamia e Gjin Aleksit është ndërtuar në shekullin e XVII-të dhe ndodhet në lagjen Rusan, në hyrje të Delvinës.
Sarajet e Rusanit të konsideruara si një ansambël ndërtimor, i përkasin arkitekturës neootomane dhe përbëhennga një sërë ambientesh banimi.
Manastiri i Mesopotamit. Ndodhet në pjesën jugore të fshatit Mespotam. Ishte fillimisht një tempull pagan dhe mbi rrënojat e tij u ngrit kisha e Shën Kollit nga perandori bizantin Kostandini i IX Monomaku. Është ndër kishat më të mëdha e më të vjetra të periudhës bizantine.
Finiqi (Foinike). Qytet antik, i themeluar rreth shek. V p.K., I njohur si kryeqyteti i Kaonisë, mjaft aktiv në kohën e lulëzimit. Zbulimet e para u bënë gjatë Luftës së II Botërore nga Konti Ugolini. U shpall Park Arkeologjik në vitin 2005.
Syri i Kaltër, Kontrasti mes blusë së ujit, të gjelbrës së pemëve dhe formave të tyre e bëjnë Syrin e Kaltër një vend të magjishëm që nuk duhet lënë pa u parë. Legjendat e këtij vendi janë të shumta por mbi të gjitha është ajo e vajzave të bukura që u fijoheshin perëndive, që t’ua falnin njerëzve burimin e ujit të kulluar.
Konispoli
Konispoli është qyteti më jugor i Shqipërisë dhe njëkohësisht i vetmi qytet i Çamërisë që ka mbetur brenda kufijve të Shqipërisë (sot quhet Çamëria Veriore). Tri Qafat e rrethinës së Konispolit (Qafë-Bota, Qafa e Madhe dhe Qafa e Likojanit) janë dëshmitare të gjalla të eksodit të çamëve, që u përzunë nga vatrat e tyre të mbetura në Greqi. Ai është vendosur në shpatin juglindor të malit të Saraqinit, 300 m mbi nivelin e detit. Rrethina e Konispolit ka qenë e banuar që në periudhën e Paleolitit të Mesëmme një vazhdimësi të jetës qytetare në të gjitha periudhat historike.
Fshati i Konispolit, tashmë i njohur për prodhimin e agrumeve por sidomos të mandarinave, jo vetëm që eksporton me shumicë mandarina cilësore jashtë Shqipërisë, por ka edhe një festë, “Dita e Mandarinës”, ku i thur lavde produktit të tij.
Një prej objekteve me interes që mund të vizitoni në zonën e Konispolit është Ujësjellësi i Xarrës, i cili vlerësohet si një ndër projektet më të mëdha inxhinierike dhe arkitektonike të Perandorisë Romake në territoret e Ilirisë dhe Epirit. Ka gjurmë të bazamenteve me mbetjet e Këmbëve të ujësjellësit përgjatë fushës së Vrinës (Kestrina e lashtë).
Lukova
E vendosur rreth 18 km nga Saranda, Lukova është një fshat i bukur bregdetar me arkitekturë tradicionale, shtigje të vogla me kalldrëm, plazhe të mahnitshme me ujëra të kristalta dhe perëndime spektakolare. Emri i këtij fshati u shfaq për herë të parë në “defterët” e regjimit osman të vitit 1431 me 13 familje dhe në 1520 me 49 familje. Një mbishkrim i shkruar në relievin e vitit 1813, rreth këmbanës së Manastirit të Shën Marisë së Kurorës, i referohet disa shtresave (ushtarëve) nga fshati Lukove që shërbenin në mbretërinë e dy Sicilive.
Udhëtari francez Pukëvili në fillim të shekullit të XIX e krahason këtë fshat të vogël me “Kopshtin e Edenit”.
Veçanërisht e rëndësishme në kishën e Shënepremtes ishte kambanarja e dhuruar nga Mbreti i Napolit më 1695, e cila u zhduk gjatë regjimit të Enver Hoxhës më 1967.
Lukova dikur ishte komunë në në jug të Himarës që përfshinte fshatrat Borsh, Fterrë, Çorraj, Piqeras, Sasaj, Lukovë, Shën Vasil dhe Nivicë-Bubar. Në reformën e qeverisjes vendore të vitit 2015 u bë nënndarja e re dhe Lukova është tashmë njësi admininistrative nën bashkinë e Himarës.
Në jug të Lukovës dhe në drejtim të Gjirit të Kakomesë, shtrihen disa kilometra plazhesh të bardha prej gurësh e pllakash shkëmbore, karakteristike për të gjithë Rivierën. E veçanta është se në brigjet e Lukovës gjendet një numër i lartë shpellash nënujore. Prej njërës prej tyre, ka marrë edhe emrin plazhi më i madh i Lukovës.
Borshi
Po të themi se e njohim Borshin, me siguri kemi parasysh atë hapësirën e pamatë blu që të shfaqet para syve në të djathtën e xhamit të makinës, sapo ke kaluar edhe kthesën e fundit të Qeparoit. Por që ta njohësh shumë mirë Borshin, duhet sigurisht më shumë se kaq. Në vetvete Borshi është një vend i pasur me histori – ai akoma ka një kala në gjendje shumë të mirë që dëshmon për rrënjët e tij të hershme – dhe gjurmët e tij të ekzistencës shtrihen shumë thellë, gjë që e bën të vlefshëm jo thjesht si një destinacion të freskët pushimesh por si një pikë të mirëfilltë turistike që ka se ç’tju ofrojë.
Një vizitë në Borshin e vjetër
Vishni një palë atlete, ose sandale praktike, pantallonat e shkurtra, një bluzë pambuku për djersën, mos harroni çantën e shpinës ku patjetër duhet të ketë ujë, dhë nisuni lart burimit, për tek fshati i vjetër. Gjurmët e fshatit ndodhen mbi një shkëmb në lartësinë 300 m mbi det. Do të kënaqeni duke shijuar vlerat e ndërtimeve karakteristike, të gjitha në gur, ku nuk mungon fantazia dhe prakticiteti. Ky sigurisht është i njëjti itinerar që ju rekomandojmë edhe për të vizituar kalanë.
Krah shtëpive të pritjes që janë të gjitha në dispozicion të pushuesve, poshtë në plazh ka edhe plot hotele shumë të këndshëm, sepse ky plazh ka shumë vizitorë, ata duan të pushojnë bukur dhe kërkojnë tashmë që ta shijojnë plotësisht këtë zonë të mrekullueshme. Ne do t`ju sugjeronim si zgjedhje tuajën Hotel Blue Days Borsh, për një qëndrim sa më të mirë e shërbime të plota për të gjithë po sidomos për familjet.
Për t`i realizuar këto itinerare në mënyrë të organizuar, me qëllim që të mos humbisni asnjë prej objekteve me interes në secilin prej tyre, ju sugjerojmë të kontaktoni stafin e e Tea Tours, një tur operator që njeh dhe ofron me udhërrëfyes profesionistë jo vetëm Jugun e Shqipërisë por të gjitha destinacionet turistike shqiptare.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.