Vjen një hotel i ri , nga Tirana Business  Park

Vjen një hotel i ri, nga Tirana Business Park


Tirana Business Park do të nisë ndërtimin e një hoteli këtë vit. Në një intervistë për Businessmag.al, menaxherja e përgjithshme e grupit TBP Stephanie Sieg, pranon se ky do të jetë investimi prioritar i këtij viti nga TBP.

E pyetur për planet e zhvillimit, Sieg thotë se, “ne kemi bërë një kërkim tregu për të parë mundësitë e zhvillimit të Tirana Business Park në Shqipëri. Grupi Lindner ka analizuar disa mundësi për investimet e reja në TBP. Jemi krenarë që ideja jonë e hotelit ka marrë një vlerësim pozitiv nga z. Lindner. Tashmë jemi në fazën e dizenjimit. Sigurisht, shumë shpejt, do të bëjmë të ditur më shumë detaje, rreth këtij projekti dhe PO, hoteli është projekti i parë i ri i TBP, që po vjen në 2018’’.

Ndërtimi i hoteleve luksoze në vend është kthyer në një temë të nxehtë për sipërmarrësit, kryesisht ata të sektorit të ndërtimit. Lehtësitë fiskale, të miratuara në fillim të janarit, kanë rritur interesin për ndërtim e zhvillim të hoteleve me 4-5 yje. Ikja e hotel Sheraton, pritet të zëvendësohet me një Marriot, hotel i të njëjtin grup ndërkombëtar akomodimi, ndërsa këtë vit pritet të hapë dyert për turistë e vizitorë Hilton Garden In.

Objekti ku po punohet prej vitesh, “pritet të hapet si një hotel me çmime mesatare, në verë të këtij viti”, sipas Drejtorit të Përgjithshëm të Hilton. Hoteli do të ketë 141 dhoma, 2 suita dhe 6 salla konferencash.

Vëmendja e sipërmarrjes duket se është përqëndruar në kryeqytet. Së fundi, disa hotele ekzistuese kanë zgjeruar kapacitetet e tyre si hotel Rogner, ndërsa u ngrit hotel Plazza me pesë yje. Në 23 kate, Plazza ka të shpërndara 190 dhoma.

Disa kulla, ngritja e të cilave ka filluar së fundi, ka shumë mundësi të projektojnë në planet e tyre edhe hotele të integruara. Interesi nga sipërmarrësit ka lindur pas miratimit të lehtësive fiskale dhe një pjesë e tyre janë në rivlerësim të projekteve të ndërtimit.

Interesi i shtuar ka ngritur mëdyshje për një ofertë të tepërt në shërbimin e akomodimit në Tiranë, e rrjedhimisht një ”deflacion” të ofertës së akomodimit në Tiranë.

I pyetur për këtë në intervistën në Startup Grind, Jose Pinto, ish menaxheri i Përgjithshëm i hotel Sheraton, ka theksuar se jo domosdoshmërisht kjo mund të ndodhë. Nëse tregu zhvillohet me më shumë flukse hyrëse, kjo mund të funksionojë, sipas tij.

Cilat janë lehtësitë fiskale?!

Paketa mbështetëse e turizmit, parashikon që hotelet me 4 dhe 5 yje nuk do të paguajnë tatimfitim për 10-vite, me kusht që të kenë përfituar statusin special. Po për 10 vite, përjashtohen nga tatim-fitimi strukturat që përfitojnë autorizimin nga Këshilli i Ministrave, deri në dhjetor 2024. Efektet e përjashtimit nisin në momentin e fillimit të veprimtarisë ekonomike të strukturës akomoduese, por jo më vonë se 3 vjet nga marrja e statusit special.

Në bazë të ndryshimeve të ligjit për TVSH-në, edhe hotelet me 5 yje me status special, do të kenë një nivel TVSH 6% për furnizimin e shërbimeve që ofrohen.

Për ndërtimet e reja me qëllim hotel të starndardeve të larta, parashikohet gjithashtu përjashtimi i plotë nga taksa e infrastrukturës/Albana Mucaj, Businessmag.al

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0