Me një vit vonesë, dhe pasi koronavirusi rrezikoi për t’i shtyrë përsëri për një vit të dytë, Lojërat Olimpike të vitit 2020 kanë nisur zyrtarisht këtë të premte, me mbajtjen e ceremonisë së hapjes. Lojërat Olimpike 2020 kanë startuar në Tokio me një minutë heshtje në nder të viktimave për shkak të pandemisë së COVID.
Olimpiada do të përfundojë në datën 8 gusht, ku do të presë 339 evente me 204 shtete pjesëmarrëse në 33 sporte dhe 50 disiplina të ndryshme.
Në shkallët e stadiumit gjigand janë ulur vetëm 950 spektatorë VIP, mes të cilëve 800 të huaj dhe 150 nga e “zonja e shtëpisë”, Japonia. Në nisje të ceremonisë delegacioni i Tokios mbajti flamurin kombëtar japonez, ndërsa të gjithë përfaqësuesit u shfaqën me maska anti-COVID.
Shqipëria ka parakaluar e 12-ta, pasi dalja e shteteve është bërë në bazë të alfabetit japonez. Flamuri kuqezi në këtë ceremoni është mbajtur nga atletja Luiza Gega dhe peshëngritësi Briken Calja.
Asnjë Olimpiadë nuk ka qenë më e kërkuar se kjo, edhe sepse ka qenë më e vështira për t’u organizuar, me shumë pengesa, më e luftuar. Për këto arsye, Lojërat Olimpike të Tokios kanë zënë një vend special në histori që pa nisur akoma. Do të jetë një Olimpiadë ndryshe nga të tjera për një seri arsyesh: zhvillohet një vit me vonesë, zhvillohet në pandemi dhe në heshtje të plotë, sepse nuk do të ketë publik.
https://streamable.com/cmy75a
Në Tokio 2020 Shqipëria do të përfaqësohet me 9 sportistë, të cilët u përkasin 6 disiplinave të ndryshme: atletikë, peshëngritje, qitje, not, xhudo dhe gjimnastikë artistike. Peshëngritësi Briken Calja dhe atletja Luiza Gega janë flamurmbajtësit e delegacionit shqiptar, që do të parakalojë mes gjithë vendeve të botës.
I pari nga sportistët shqiptarë do të garojë gjimnasti Matvei Petrov, rusi i natyralizuar në shqiptar dhe i shpallur kampion i Eruopës pak kohë më parë. Ai konkurron në gjimnastikë artistike dhe do të garojë më 24 korrik, ditën e dytë të Olimpiadës. Për këtë arsye ai ishte i pari që shkoi në Tokio. Petrov ka shanse reale për të marrë medalje.
Më pas, më 25 korrik, radhën e kanë qitësja Manuela Delilaj, e cila është stërvitur në Zvicër dhe do të garojë në disiplinën e pistoletës. Po këtë ditë garon edhe xhudisti Indrit Çullhaj, në peshën 66 kilogramë. Më 27 korrik është radha e notarit Kledi Kadiu.
Shpresat e mëdha për t’i dhënë Shqipërisë një medalje olimpike janë te peshëngritësi Briken Calja. Ai do të garojë më 28 korrik, në peshën 73 kilogramë. Calja është një pretendent serioz në peshën e tij për të fituar medalje, aq më tepër një nga rivalët e tij kryesorë, turku Ismailov, ka dalë pozitiv me doping dhe është skualifikuar.
Qitësja Manuela Delilaj garon edhe më 30 korrik, në disiplinën e pistoletës sportive. Po këtë dita do të zhvillojë garën e saj edhe notarja Nikol Merzinaj, në 50 metra. Më 31 korrik atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj, zhvillon garën e parë kualifikuese. Këtë ditë garon edhe peshëngritësi tjetër, Erkand Qerimaj, në peshën 81 kilogramë.
E fundit do të garojë atletja Luiza Gega, në specialitetin e saj, 3000 metra me pengesa. Ajo garon më 1 gusht me objektivin për t’u kualifikuar për në finalen e 4 gushtit. Nëse kualifikohen, gjimnasti Matvei Petrov do të zhvillojë finalen më 1 gusht, ndërsa atleti Izmir Smajlaj, më 2 gusht. Shqipëria që në vitin 1988 e deri më tani është pjesëmarrëse e rregullt e Lojërave Olimpike.
Në Lojërat Olimpike “Tokyo 2020” mund të garohet në çdo moshë nëse arrin të kualifikohesh. Personi më i vjetër në moshë në Olimpiadën japoneze që nis nesër është 66-vjeçarja australiane Hanna Mary, e cila garon në sportin e hipizmit.
Ndërsa sportistja më e vogël është 12-vjeçarja Hend Zaza, që garon për Sirinë në sportin e pingpongut. Gjyshja Hanna, siç njihet ndryshe 66-vjeçarja australiane, ka 3 nipër dhe së shpejti pret edhe një të katërt.
Sportistja më e re e Olimpiadës, vjen nga Hama, qyteti biblik i 17 mullinjve, i njohur edhe gjatë luftës civile të Sirisë në 10-vjeçarin e fundit. Në ping pong, duke ndjekur shembullin e një vëllai më të madh, ka gjetur shpëtimin nga drama e të shtënave të përditshme me armë, duke krijuar një hapësirë personale për të fluturuar me fantazinë dhe për të mos u mbytur nga errësira e ndjenjave.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.